Kurti ‘godet’ opozitën: Kosova e kishte presidenten, por ata e bllokuan – tani synojmë 60% të votave

Aktuale

Kurti ‘godet’ opozitën: Kosova e kishte presidenten, por ata e bllokuan – tani synojmë 60% të votave

Më: 31 maj 2026 Në ora: 21:37 Përditësuar në ora: 23:46 më 31.05.2026
Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Kurti për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur në emisionin “Politiko” për mungesën e reagimit të tij lidhur me protestat e studentëve shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria në Maqedoninë e Veriut, të cilët kundërshtuan mospërfshirjen e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.

Kurti tha se në këtë fazë nuk e ka parë të nevojshme të ndërhyjë publikisht në këtë çështje, duke theksuar rolin institucional që ka dhe përfaqësimin politik në terren.

“Nuk më është dukur që në këtë fazë, kur e ke deputetin e VV në VLEN, të flas unë.

Jam duke e bërë më shumë komentuesin sesa përfaqësuesin, sepse nuk jam përfaqësues”, tha Kurti.

Kurti për raportet me Ramën: Marrëdhënie të mira, por dallime për qasjen ndaj Beogradit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në emisionin “Politiko” edhe për raportet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, duke theksuar se ndonëse marrëdhëniet mes tyre janë të mira, ekzistojnë dallime në qasje për disa çështje politike.

Kurti tha se bashkëpunimi mes dy vendeve nuk nënkupton domosdoshmërisht pajtim në çdo qëndrim politik, veçanërisht sa i përket raportit me Beogradin zyrtar.

“Edi Ramën marrëdhëniet i kemi të mira. Kjo s’do të thotë që pajtohemi për të gjitha çështjet, në veçanti për shembull me qëndrimin tonë karshi Beogradit zyrtar.

Ne kemi ndjeshmëri tjetër, aty dallojmë”, tha Kurti.

Kurti: Raportet me SHBA-të janë tre-dimensionale, Ballkani nuk është më në qendër të vëmendjes së tyre

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në emisionin “Politiko” për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar ato si të qëndrueshme dhe të shumëdimensionale.

Gjatë debatit, Kurti tha se raportet me SHBA-në mbështeten në tri shtylla kryesore: diplomaci, zhvillim dhe mbrojtje, duke theksuar se ato mbeten partner strategjik i Kosovës.

“Ti e di që nuk friksohem. Jemi në të drejtën tonë. Raportet me Shtetet e Amerikës i kemi thënë që janë tredimensionale: diplomacia, zhvillimi dhe mbrojtja.

A e di pse nuk është ndoshta në shkallën që do kishim dëshiruar? Sepse SHBA-të kanë orientime tjera tash, nuk e kanë Ballkanin në qendër”, tha Kurti.

Kurti për Marrëveshjen e Brukselit e Ohrit: E kam pranuar, por Serbia refuzoi ta nënshkruajë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk ka dështuar, duke theksuar se gjatë procesit janë arritur marrëveshje, por problemi kryesor, sipas tij, mbetet moszbatimi i tyre nga ana e Beogradit.

Gjatë debatit në emisionin “Politiko”, Kurti tha se marrveshja nuk është e mirë por që ka bazë për tutje.

“Dialogu nuk ka vdekur. Ka pasur sukses, ka rezultuar me marrëveshje. Problemi është që marrëveshjen s’e nënshkruan Serbia e as nuk po e respekton. Serbia përditë po e shkel.

Unë e kam pranu marrëveshjen. Ajo nuk është e shkëlqyeshme, por është bazë e mirë për më tutje. Edhe duket që Beogradi ka besuar që unë do të them jo për marrëveshje, por unë kam thënë po, dhe kur e kanë pa ku janë ndodh, nuk kanë pranu me nënshkru”, tha Kurti.

Kurti mohon se 100 eurot janë blerje vote: Qytetarët e kuptojnë se lidhet me pakon kundër inflacionit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kritikave për ndarjen e 100 eurove nga Qeveria në prag të fushatës zgjedhore, një vendim që ka nxitur debate dhe reagime në opinionin publik.

Gjatë debatit në emisionin “Politiko”, moderatori Kushtrim Sadiku e pyeti drejtpërdrejt Kurtin nëse kjo masë mund të konsiderohet si blerje e votës.

Në përgjigje, Kurti e hodhi poshtë këtë vlerësim, duke thënë se qytetarët e kuptojnë arsyen e vendimit.

“Unë besoj që qytetarët e Republikës nuk janë të tillë që e shohin këtë si ndikim në procesin zgjedhor. Ata e kuptojnë që kjo lidhet me zotimin tonë për Pakon e Përballjes me Inflacionin 2.0”, tha Kurti.

Kurti me mesazh të fortë: Kur e ke komshiun e keq, duhet me pas pushkën plotë!

Nga: A.M.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në intervistën e tij në “Politiko” foli edhe për investimet në ushtri gjatë mandatit të tij qeverisës.

Ai u shpreh se, investimin në ushtri nuk e bën me dëshirë, por si pasojë e qasjes së Serbisë ndaj Kosovës.

Mes tjerash, ai u shpreh se, “mirëpo kur e ke komshiun e keq, duhet me pas pushkën plotë”, përcjell “Bota sot”.

“Unë si socialdemokrat, nuk jam militarist. Unë nuk investoj në ushtri me qejf, mirëpo kur e ke komshiun e keq, duhet me pas pushkën plotë”.

Kurti mesazh LDK-së: Le t’i pyesin të EPP-së se ata më njohin mua, me 15 deputetë katër ministri, ta shohim se çka…

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka folur në debatin e emisionit “Politiko” edhe për raportet me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke komentuar negociatat e kaluara politike mes dy partive.

Kurti tha se LDK-së i ishte ofruar një pjesë e konsiderueshme e pushtetit ekzekutiv, por sipas tij, partia nuk e pranoi marrëveshjen.

“Po ta kishte LDK për vete, e kishte marrë pozitën e zëvendëskryeministrit dhe katër ministrive.

Lirisht LDK le t’i pyesë ata të Partisë Popullore Evropiane. Ata më njohin mua. Neve me 15 deputetë na i ka ofruar katër ministri dhe zëvendëskryeministrin. Ata marrin, le të shkojnë t’i pyesin e t’i shohim çka po thonë ata. Tash jemi në zgjedhje, jemi te populli dhe topi tash është te populli. Kur populli t’ua gjuajë topin, e shohim më 7 qershor”, deklaroi Kurti.

Kurti: Ku ka vend në botë që me 51.1% i fton të tjerët për bashkëqeverisje?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se partia që drejton nuk ka qenë e interesuar për zgjedhje të reja gjatë këtij viti.

Në emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun, Kurti tha se VV-ja është e gatshme për zgjedhje në çdo kohë, por jo gjatë këtij viti.

“Ne jemi të gatshme për zgjedhje çdoherë, por jo këtë vit”.

Duke folur për rezultatin zgjedhor dhe mundësinë e bashkëqeverisjes, Kurti u shpreh se një parti që fiton mbi gjysmën e votave nuk ka arsye të ftojë subjektet e tjera në qeverisje.

“Kjo do të ishte deformim i vullnetit të popullit”, ka thënë Kurti.

Ai tha se ka zhvilluar takime me liderët opozitarë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike, duke shtuar se ka qenë i vetmi që ka bërë oferta lidhur me çështjen e Presidentit.

“Me i thënë opozitës që i kanë 37 deputetë ma sjell propozimin për kandidatë për President dhe ne u ofrojmë nënshkrimet, kjo është arrogancë e opozitës”, ka thënë Kurti. 

Kurti për çështjen e presidentes: Kosova e kishte, por mungoi kuorumi në Kuvend

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në emisionin “Politiko” për procesin e zgjedhjes së presidentes, duke iu referuar rastit kur ishte propozuar Feride Rushiti si kandidate për këtë post.

Sipas Kurtit, problemi nuk kishte qenë numri i votave të fituara nga kandidatja, por mungesa e kuorumit të nevojshëm për vazhdimin e procedurës në Kuvend.

“E propozuam Feride Rushitin si kandidate. Ajo i pati 63 vota, mirëpo nevojitej kuorumi prej 81 deputetësh dhe nuk kishim si të procedonim më tutje.

Me fjalë të tjera, Kosova kishte një presidente, por Kuvendi nuk kishte kuorum, sepse në rundin e tretë 61 vota janë më se të mjaftueshme”, tha Kurti.

Kurti: Nuk kam nevojë për fitore të re, opozita ka nevojë për humbje të re

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në intervistën e tij në “Politiko” foli për shkuarjen në zgjedhje të reja edhe për rrezikun që mund të përsëritet bllokada e njëjtë.

Sa i përket kësaj çështje, Kurti u shpreh optimist se zgjedhjet do ofrojnë zgjidhje dhe se LVV do marrë 60 për qind të votave, përcjell “Bota sot”.

“Unë nuk kam nevojë për fitore të re, por opozita ka nevojë për humbje të re.

Nëse i bëjmë 60 për qind, do ndryshojnë gjërat”, deklaroi kryeministri në detyrë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat