Sveçla: Neni 31 për shtetësinë ekziston që nga viti 2008, nuk është dispozitë e re

Aktuale

Sveçla: Neni 31 për shtetësinë ekziston që nga viti 2008, nuk është dispozitë e re

Më: 2 qershor 2026 Në ora: 13:18 Përditësuar në ora: 17:30 më 02.06.2026
Xhelal Sveçla

Sveçla: Institucionet po procesojnë pagesat e orëve shtesë për policinë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se institucionet janë duke vlerësuar dhe procesuar pagesat e orëve shtesë për zyrtarët policorë, ndërsa po punohet edhe për një sistem më efikas të menaxhimit të tyre.

Sveçla: Jemi në proces të vlerësimit të orëve shtesë

“Është realisht një proces i vlerësimit të orëve shtesë. Tashmë, jemi në proces që orët shtesë të paguhen. Realisht ne po punojmë në dizajnim të sistemit sa më të mirë, në mënyrë që askujt as mos t’i humbët as mundi, as angazhimi, por edhe buxheti i Policisë së Kosovës të orientohet drejt investimeve kryesisht kapitale, por edhe shpenzimeve”, u shpreh ai.

Sfeçla tha se Qeveria ka pasur vazhdimisht fokus në përmirësimin e kushteve për Policinë e Kosovës dhe theksoi se gjatë mandatit të tij çdo orë shtesë është kompensuar.

Sveçla: Prej se jam unë ministër asnjë orë shtesë nuk ka mbetur pa u paguar

“Nuk ekziston asnjë qeveri e Kosovës që nuk ka punuar për kushtet e Policisë së Kosovës. Ne kemi pasur fokus, bile jemi kritikuar nga kundërshtarët se jemi tepër të fokusuar në këtë. Nuk është tepër, por duhet në bazë të rrethanave ta maksimalizojmë angazhimin tonë në këtë drejtim. Prej se jam unë ministër asnjë orë shtesë nuk ka mbetur pa u paguar”, tha Sfeçla.

Xhelal Sfeçla, reagoi po ashtu ndaj debateve të fundit rreth Ligjit për Shtetësinë e Republikës së Kosovës, duke thënë se neni 31 i këtij ligji nuk përbën dispozitë të re dhe se ky nen është pjesë e dispozitave themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në konferencë për media Sfeçla tha se dispozita në fjalë buron nga Pakoja e Ahtisaarit dhe është e sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Orët shtesë për policinë dhe kushtet në kampin “Enver Zymberi”, Sveçla jep sqarime në konferencë

Në konferencën për media ku u diskutua për Ligjin për Shtetësinë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u pyet edhe lidhur me pagesën e orëve shtesë të policëve dhe kushtet në kampin e Njësisë Speciale “Enver Zymberi”.

Duke folur për kompensimin e orëve shtesë, Sveçla tha se Ministria është duke punuar për krijimin e një sistemi më të mirë, me qëllim që të mos humbasë puna dhe angazhimi i asnjë zyrtari policor.

“Oret shtesë do të paguhen. Ne po punojmë të dizajnojmë sistemin sa më të mirë në mënyrë që askujt të mos i humbet mundi e angazhimi dhe që buxheti i Policisë të orientohet drejt investimeve kapitale por edhe shpenzuese”, deklaroi ai.

Sveçla theksoi se gjatë mandatit të tij si ministër nuk ka mbetur asnjë orë shtesë pa u kompensuar.

“Asnjë orë e Policisë nuk ka mbetur pa paguar prej kur jam ministër. Më herët shtesat e policëve në fundvit u janë fshirë”, tha ai.

I pyetur për kushtet në kampin e Njësisë Speciale “Enver Zymberi”, Sveçla tha se Policia e Kosovës tashmë është deklaruar për këtë çështje, ndërsa mbrojti investimet e bëra në këtë kamp.

“Sa i përket kampit ‘Enver Zymberi’, unë pyetjes tuaj do t’i përgjigjesha vetëm me një pyetje, për këtë çështje është deklaruar Policia”, tha ai.

Ministri në detyrë shtoi se kushtet në kamp janë dukshëm më të mira krahasuar me periudhën kur qeveria aktuale mori përgjegjësinë e institucionit.

“Kushtet aty janë me mijëra herë më të mira se që i kemi gjetur. Në vazhdimësi punohet që këto kushte të ngritën dhe falë investimit në atë kamp ne i kemi sukseset të cilat askush nuk mund t’i mohojë”, deklaroi Sveçla.

Ai theksoi gjithashtu se përmirësimi i kushteve për Policinë e Kosovës ka qenë një nga prioritetet kryesore të qeverisë.

“Nuk ekziston asnjë qeveri që ka punuar më shumë për kushtet e Policisë. Të gjithë e dinë që ne kemi pasur fokus, bile jemi kritikuar nga kundërshtarët politikë se jemi shumë të fokusuar këtu”, u shpreh ai.

Sveçla: Neni 31 për shtetësinë ekziston që nga viti 2008, nuk është dispozitë e re

Në një konferencë për media, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe zyrtarë të MPB-së kanë reaguar ndaj debatit të ditëve të fundit lidhur me Ligjin për Shtetësinë e Kosovës, duke theksuar se neni 31 i ligjit nuk paraqet një dispozitë të re, por është i bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe në Pakon e Ahtisaarit.

Sveçla tha se e drejta për shtetësi për qytetarët e ish-Republikës Federative të Jugosllavisë që kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës më 1 janar 1998 dhe pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë “buron nga Pakoja e Ahtisaarit” dhe se e njëjta dispozitë është pjesë e Kushtetutës që nga viti 2008.

“Nuk është dispozitë e re, ky nen është pjesë e dispozitave themelore të Kushtetutës, përkatësisht e nenit 155 që derivon nga Pakoja e Ahtisaarit. Kjo e drejtë nuk është krijuar apo njohur nga kjo qeveri dhe nuk është futur për herë të parë me ligjin e ri, ashtu siç eksponentët e opozitës po e proklamojnë”, tha ai.

Ai tha se kjo dispozitë ka qenë pjesë e pandryshuar e legjislacionit për shtetësi që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

“Kjo e drejtë, e cila parasheh se Republika e Kosovës ua njeh të drejtën e shtetësisë së Republikës së Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe shtetësia që posedojnë, të gjithë qytetarëve që ishin Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës më 1 janar vitit 1998, si dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë buron nga propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës i njohur si Pakoja e Ahtisaarit, të cilën, siç të gjithë e dini, ne e kemi kundërshtuar në mënyrë fundamentale. E njëjta është përfshirë në Kushtetutën e Kosovës dhe ka qenë pjesë e pandryshuar e legjislacionit tonë për shtetësi që nga viti 2008”, theksoi ai.

Sveçla kritikoi opozitën për kundërshtimet e saj ndaj ligjit, duke rikujtuar se ndryshimet kushtetuese të vitit 2012 ishin miratuar nga partitë që sot janë në opozitë.

“Në vitin 2012, në vend që kjo dispozitë të hiqej nga Kushtetuta, opozita e tanishme që ishte në pushtet në atë kohë vendosi që përmes ndryshimeve kushtetuese ta bartë këtë dispozitë te dispozitat themelore të Kushtetutës me qëllim që ta bëjë pjesë të përhershme të rendit kushtetues”, tha ai.

Sipas Sveçlës, deklarimet se qytetarët po presin në radhë para Ministrisë së Punëve të Brendshme për aplikim për shtetësi tregojnë mungesë njohjeje të legjislacionit.

“Deklarimet e opozitës në media se para ndërtesës së MPB-së janë bërë radhë të gjata për aplikim për shtetësi tregojnë se ata jo vetëm që nuk e njihnin ligjin, por nuk ishin të vetëdijshëm as për veprimet që kishin ndërmarrë”, deklaroi ai.

Në të njëjtën konferencë, drejtori i Departamentit Ligjor në MPB, Qëndrim Bytyqi, tha se formulimi i nenit 31 në ligjin e ri është identik me nenin 155 të Kushtetutës.

“Ky është neni i njëjtë që është në të katër aktet. Aktualisht është neni 31, në ligjin paraprak ka qenë neni 32”, tha Bytyqi.

Ai sqaroi se ligji i ri nuk ua jep automatikisht shtetësinë personave të përfshirë në këtë kategori, por ua njeh të drejtën për ta fituar atë sipas kritereve ligjore.

“Ligji ua njeh të drejtën e shtetësisë, por që duhet të plotësohen kriteret”, theksoi Bytyqi.

Sipas tij, ligjet e viteve 2008 dhe 2013 përdornin formulimin “konsiderohen shtetas të Republikës së Kosovës”, ndërsa ligji i ri është harmonizuar me tekstin kushtetues.

“Ligji i vitit 2026 që tash ka hyrë në fuqi ka formulimin e njëjtë sikur në Kushtetutë, që do të thotë se ua njeh të drejtën e shtetësisë, por duhet të plotësohen kriteret përkatëse”, deklaroi Bytyqi.

Zyrtarët e MPB-së insistuan se ndryshimet e fundit nuk krijojnë kategori të reja përfituesish dhe se dispozitat aktuale vetëm harmonizojnë ligjin me formulimin kushtetues ekzistues. 

-----

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajë sot një konferencë për media.

Konferenca do të mbahet në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prishtinë.

Sipas njoftimit zyrtar, konferenca do të zhvillohet më 2 qershor 2026, duke filluar nga ora 15:00, në objektin kryesor të ministrisë.

Ministria e Punëve të Brendshme ka ftuar përfaqësuesit e mediave që të marrin pjesë dhe të përcjellin nga afër konferencën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat