Në 21-vjetorin e atentatit ndaj gazetarit të “Bota Sot”, Bardhyl Ajeti, themeluesi i gazetës, Xhevdet Mazrekaj, ka bërë një kujtim publik për të, duke e cilësuar atë si zë të guximshëm të së vërtetës dhe simbol të fjalës së lirë.
Mazrekaj ka rikujtuar se Ajeti u qëllua me armë zjarri më 3 qershor 2005, në rrugën Prishtinë–Gjilan, afër fshatit Bresalc, ndërsa pas tri javësh lufte për jetë ndërroi jetë më 25 qershor 2005.
Postimi i plotë i Xhevdet Mazrekajt:
“Në 21-vjetorin e atentatit ndaj Bardhyl Ajetit
Sot, më 3 qershor, kujtojmë me dhimbje dhe krenari Bardhyl Ajetin, gazetarin e ‘Bota Sot’, i cili 21 vjet më parë u godit nga dora kriminale, vetëm pse nuk u ndal së shkruari të vërtetën.
Bardhyli nuk ishte thjesht një gazetar. Ai ishte një zë i guximshëm në një kohë të frikës, një njeri që e kuptonte se fjala e lirë ka çmim, por nuk pranoi kurrë ta ulte kokën para kërcënimeve, fyerjeve e presioneve.
Më 3 qershor 2005, në rrugën Prishtinë–Gjilan, afër Bresalcit, ai u qëllua me armë zjarri dhe u plagos rëndë. Për tri javë me radhë luftoi për jetën, derisa më 25 qershor 2005 ndërroi jetë, duke hyrë përgjithmonë në kujtesën e gazetarisë shqiptare si dëshmor i fjalës së lirë.
Edhe pas 21 vitesh, vrasja e Bardhyl Ajetit mbetet plagë e hapur. Jo vetëm për familjen e tij, jo vetëm për ‘Bota Sot’, por për gjithë shoqërinë që ende pret drejtësi.
Ballina e asaj kohe e ‘Bota Sot’ është dëshmi e një periudhe të rëndë, kur gazetaria e guximshme përballej jo vetëm me kërcënime, por edhe me atentate. Bardhyli ishte njëri nga ata që nuk u tërhoq.
Lavdi kujtimit të Bardhyl Ajetit.
Drejtësia për të nuk është vetëm borxh ndaj familjes së tij, por borxh ndaj së vërtetës, ndaj fjalës së lirë dhe ndaj historisë.