Premtime miliardëshe nga Mitrovica, Kurti paraqet premtimet për katër vitet e ardhshme

Aktuale

Premtime miliardëshe nga Mitrovica, Kurti paraqet premtimet për katër vitet e ardhshme

Më: 4 qershor 2026 Në ora: 21:38 Përditësuar në ora: 23:07 më 04.06.2026
Tubimi i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë

Kurti: Bashkëinvestim në Trepçë me një koorporatë minerale ndërkombëtare

Kryeministri në detyrë dhe kandidati i Vetëvendosjes për këtë post në zgjedhjet e 7 qershorit , Albin Kurti, tha se Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të ruajë mbështetjen qytetare, teksa ka akuzuar kundërshtarët politikë për bllokada dhe kriza artificiale.

Në një tubim në Mitrovicë, Kurti tha se VV-ja ka dalë e para në pesë procese zgjedhore brenda gjashtë viteve e gjysmë. Sipas tij, kjo është arsyeja pse ish-opozita po e dërgon shtetin në zgjedhje.

Kurti: Ajo që është e shtetit nuk bëhet e jotja

“Nga vjeshta e vitit 2019, deri në pranverën e 2026, për gjashtë vite e gjysmë, pesë herë zgjedhje vetëm pse Lëvizja vetëvendosje po del e para, nuk ka ndodhur në historinë e kësaj republike, nuk ka një shembull të ngjashëm në rajon ose Evropë. E të përballet me kriza artificiale e bllokada partiake po normalisht kanë mbetur pa terminale doganore që i patën privatizuar. Po i frikësohen edhe Byrosë të konfiskimit të pasurisë se pajustifikueshme. Ajo që nuk është e jotja nuk bëhet e jotja. Ajo që është e shtetit nuk bëhet e jotja. Kjo fushatë do të jetë edhe nje dëshmi që ne nuk dorëzohemi e qytetarët nuk lodhën”, tha Kurti.

Ai shpalosi edhe projektet që, sipas tij, do të realizohen në mandatin e ardhshëm, duke veçuar investimet në Trepçë, sektorin e energjisë dhe trashëgiminë kulturore.

Kurti: Mandati i ardhshëm do të jetë mandat i bashkëinvestimit në Trepçë me një koorporatë minerale ndërkombëtare

“Mandati i ardhshëm do të jetë mandat i bashkëinvestimit në Trepçë me një koorporatë minerale ndërkombëtare, teknologji moderne. 50 milionë euro do të investojmë në skanimin e burimeve tona natyrore dhe futjen e tyre në funksion.

Do ta rindërtojmë xhaminë e Ibrit dhe garantojmë mbështetjen financiare. Tashmë e kemi nënshkruar bashkëpunimin dhe ai vend do të ketë po ashtu edhe muze me rëndësi historike përveç aspektit shpirtëror të besimit. Ajo është e rëndësishme si trashëgimi për brezat e ardhshëm. Kriminelët armiqësorë më 2 maj 1999 na e dogjën xhaminë, e cila është e vjetër dy shekuj e gjysmë. Ata na shkaktuan dëm, humbje e vuajtje, mirëpo me rindërtimin e saj do ta vërtetojmë se kriminelët humbin e Mitrovica e populli fiton. Do bëjmë gazifikimin e qymyrit dhe për këtë do të bashkëpunojmë edhe me kompani ndërkombëtare e ekspertë”, tha ai.

Kurti foli edhe për projektet energjetike dhe infrastrukturore, duke përmendur investime në kapacitetet e energjisë së erës dhe diellit, rehabilitimin e termocentraleve, si dhe investime në Mitrovicë.

Kurti: Do të investojmë bashkë me Shqipërinë më terminalin e gazit në Vlorë

“Ekonomia jonë ka nevojë për më shumë energji e kemi edhe burimet dhe planet tona. Do të investojmë bashkë me Shqipërinë më terminalin e gazit në Vlorë. Kemi në proces të arrijmë për pak vite 305 mgë kapacitet me erë dhe 250 kapacitet me diell. Termocentralit Kosova B i shtohen 120 mgë e Kosova a 160 mgë nga rehabilitimi…Renovimi i stadiumit, ndërtimi i spitalit në Mitrovicë. Rregullimi i shtratit të lumenjve, sistemi i ujitjes për tokë bujqësore. Tre milionë euro për rrugët në fshatra. Shala e Bajgorës do të ketë më në fund fokusin që ka pasur. Sot i inauguruam punimet për projektin zhvillimor mbi Ibër ku përfshihet ura e re për rivitalizimin e gjithë zonës përreth”, shtoi Kurti.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, u shpreh i bindur për fitore në zgjedhjet e ardhshme.

Peci: Fitorja do të jetë më e bindshme se nuk ka më uzurpatorë as zullumqarë

“Fitorja do të jetë më e bindshme se nuk ka më uzurpatorë as zullumqarë, mund të kemi haset ndonjë ziliqarë. Mbetën pa pushtet, pa autoritet, lek e respekt e tash shteti e komuna është për krejt. Mitrovica dhe veriu gjithmonë kanë qenë burim i jetës për Kosovën e Kurti ia ktheu begatinë e sigurinë.. Sot Kosova ka sovranitet integritet e çdo ditë zhvillim e përparim… Në studio televizive sa herë kam marr pjesë më tregonin se si Kurti është autoritar. Para disa ditës disa prej tyre kishin rastin të jenë në të njëjtën studio me kryeministrin. E nuk e quajten asnjë herë të vetme autoritar”, tha Peci.

Premtime miliardëshe nga Mitrovica, Kurti paraqet premtimet për katër vitet e ardhshme

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur tubim zgjedhor në Mitrovicë. Para qytetarëve premtoi investime të shumta në Mitrovicë e gjithë Kosovën, duke filluar nga zhvillimi ekonomik, infrastruktura e deri te energjia dhe Trepça.

Kurti po ashtu premtoi investime në arsim, shëndetësi, bujqësi si dhe sistemet e ujitjes, etj.

Kandidati për kryeministër gjithashtu premtoi edhe investime. Kandidati, teksa u bëri thirrje që ta votojnë programin e tij, tha se do të investojë edhe në siguri dhe hekurudha, si dhe biletën e integruar mujore vetëm 10 euro.

Kurti foli edhe për shtesat e fëmijëve, duke premtuar se do të rriten. Po ashtu edhe për nënat lehona, ku tani do të marrin nga 500 euro në muaj.

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, premtoi se do të ketë mbështetje edhe për gratë në kuadër të Super Punës. Ai nuk la pa përmendur edhe bursa për studime për të rinjtë, ku premtoi që do të ketë edhe për ata që studiojnë në institucionet private.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat