Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Kur rregullatori shkel rregullat: Kundërligjshmëria e gjobave të KPM-së ndaj shkeljeve të mediave”, ku vlerësohet se të gjitha vendimet dhe sanksionuese të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të marra pas funksionalizimit të institucionit në maj 2026, janë të kundërligjshme.
Zëvendësdrejtori ekzekutiv i IKD-së, Betim Musliu, në një konferencën për media prezantoi gjetjet kryesore të raportit, i cili trajton vendimet sanksionuese të KPM-së ndaj mediave pas rikthimit të funksionalitetit të institucionit.
Sipas tij, pas funksionalizimit, KPM-ja ka mbajtur 14 mbledhje, ku janë shqyrtuar 62 raste ligjore dhe janë shqiptuar sanksione në 59 prej tyre.
Musliu: KPM-ja ka shqiptuar sanksione në 59 prej tyre
“Pas funksionalizimit, KPM-ja i ka mbajtur 14 mbledhje ku janë shqyrtuar 62 raste ligjore dhe ka shqiptuar sanksione në 59 prej tyre. Nga këtu, në 31 raste janë shqiptuar gjoba në vlerë totale prej 67,000 eurove, ndërsa në 28 raste janë shqiptuar vërejtje. Në dy mbledhjet e para që lidhen me proceset zgjedhore të vitit 2025, KPM-ja i ka shqiptuar 46 sanksione, prej tyre 21 gjoba në vlerë prej 43,000 eurove dhe 25 vërejtje. Në dy mbledhjet pasuese lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026, KPM-ja i ka shqiptuar 13 sanksione, prej tyre 10 gjoba në vlerë prej 24,000 eurove dhe tri vërejtje”, tregoi Musliu.
Ai tha se gjetja kryesore e raportit është se të gjitha këto sanksione janë shqiptuar në kundërshtim me ligjin.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Gëzim Shala, tha se raporti ka trajtuar nëse KPM-ja ka pasur bazë ligjore për t’i sanksionuar mediat në mënyrën dhe kohën kur janë marrë vendimet.
Sipas tij, KPM-ja ka kompetencë për të monitoruar mediat gjatë fushatave zgjedhore, por kjo kompetencë duhet të ushtrohet në përputhje me afatet dhe procedurat ligjore.
Shala: Kjo vendimmarrje e jashtëafatshme është vendimmarrje e kundërligjshme
“KPM ka miratuar rregulloren lidhur me obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuele gjatë fushatës dhe procedurën për trajtimin e ankesave. Kjo rregullore ka përcaktuar afate shumë të shkurtra: shqyrtimi fillestar bëhet brenda 4 orëve, ndërsa krahas afateve të tjera vendimi duhet të merret më së shumti brenda 5 ditëve gjatë fushatës së rregullt, apo brenda 60 orëve gjatë fushatës së jashtëzakonshme. Dhe këtu afatet nuk janë vendosur rastësisht. Ato janë vendosur sepse shkeljet gjatë fushatës zgjedhore kanë efekt të menjëhershëm, dhe nëse një shkelje ndodh gjatë fushatës, ajo duhet të trajtohet vetëm gjatë fushatës sepse vetëm atëherë vendimi mund të ketë efekt. Në rastin konkret kjo nuk ka ndodhur. Komisioni i Pavarur i Mediave ka qenë jofunksional nga 31 janari 2025 e deri më 5 maj 2026, dhe kjo periudhë ka përkuar me një sërë ciklesh zgjedhore: zgjedhjet e 9 shkurtit, zgjedhjet lokale të 12 tetorit, balotazhi i 9 nëntorit, dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Pas funksionalizimit, Komisioni i Pavarur i Mediave u është kthyer rasteve të cilat kanë ndodhur gjatë vitit 2025. Kjo vendimmarrje e jashtëafatshme është vendimmarrje e kundërligjshme. Arsyetimi i Komisionit të Pavarur të Mediave ka qenë se këto afate janë vetëm udhëzuese. Nuk mund të ketë asnjë logjikë juridike që materia e kësaj rregulloreje të jetë obligative, ndërsa afatet të jenë vetëm udhëzuese. Nuk ka asnjë logjikë që rregullorja të jetë obligative për mediat dhe KPM të sanksionojë po me këtë rregullore, ndërsa afatet e përcaktuara po në këtë rregullore, mos të jenë obligative për Komisionin e Pavarur të Mediave”, tha Shala.
Ai theksoi se sipas raportit, vendimet për ciklet zgjedhore të vitit 2025 janë marrë jashtë afateve të përcaktuara në rregullore dhe për këtë arsye konsiderohen të kundërligjshme.
Shala ngriti po ashtu shqetësime edhe për ligjshmërinë e rekomandimeve të Zyrës Ekzekutive të KPM-së, duke argumentuar se pozita e kryeshefit ekzekutiv është ushtruar për vite me radhë nga ushtrues detyre, përtej afateve të lejuara me ligj.
Sipas tij, rekomandimet e hartuara nga një pozitë e tillë nuk prodhojnë efekt juridik dhe rrjedhimisht edhe vendimet e bazuara mbi to janë të kundërligjshme.
Shala: Vendimet për fushatën e vitit 2025 janë të kundërligjshme
“Edhe një herë, vendimet për fushatën e vitit 2025 janë të kundërligjshme për dy arsye: janë marrë jashtë afateve ligjore dhe janë bazuar në rekomandime të kundërligjshme. Ndërkaq këto për zgjedhjet parlamentare të vitit 2026 që u zhvilluan dje, janë të kundërligjshme për shkak se janë bazuar në një rekomandim të kundërligjshëm. Në shtetin e së drejtës, si përfundim, ligji nuk zbatohet vetëm ndaj palëve që sanksionohen, mirëpo pikë së pari ai zbatohet edhe në raport me institucionin që i sanksionon, që në rastin konkret është Komisioni i Pavarur i Mediave. Dhe përkundër faktit që mediat gjatë këtyre fushatave mund të kenë kryer shkelje, prapëseprapë kjo nuk e arsyeton Komisionin e Pavarur të Mediave që të nxjerrë vendime të kundërligjshme. Ligjshmëria është elementi kryesor i sundimit të ligjit, dhe që i njëjti nuk është respektuar në rastin konkret, për të cilën arsye raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi gjen se të gjitha këto vendime janë të kundërligjshme”, përfundoi Shala.
Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha se mediat duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike në dispozicion për të sfiduar këto vendime, duke përfshirë ankesat në Komisionin për Ankesa dhe në Gjykatën Administrative.
Ai kritikoi Kuvendin e Kosovës për mosfunksionalizimin me kohë të Komisionit të Ankesave në kuadër të KPM-së dhe për mosgarantimin e funksionalitetit të plotë të institucionit.
Miftaraj: Gjithçka çka është marrë nga KPM është e kundërligjshme
“Dështimet pse kemi ardhur në situatë të tillë, janë sepse Kuvendi i Kosovës ka lejuar, ose s’ka ushtruar kompetencat e përgjithshme të tij, me bë raport, Komisionin e Pavarur për Media funksional, me kuorum, pastaj edhe Komisionin për Ankesa. Kur Komisioni i Pavarur për Media ka qenë jofunksional për afërsisht një vit e diçka, domethënë nuk ka qenë në gjendje brenda afateve ligjore me përfunduar, me përmbushur detyrimet e tij. Nga ana tjetër, Komisioni i Pavarur për Media ka dështuar me zgjedh kryeshefin ekzekutiv. Gjykata Supreme ka, tashmë ka një praktikë gjyqësore, ka një mendim, i cili e ka pasqyruar mjaft qartë, kushdo që e mban një pozitë ushtrues detyre mbi dy vite, domethënë jo personi por pozita, atëherë i njëjti pas dy viteve nuk ka të drejtë më me marrë veprime ligjore, kështu që kemi ardhur në situatë ku gjithçka çka është marrë nga Komisioni i Pavarur për Media është e kundërligjshme, jashtë afateve ligjore, dhe kjo duhet të mirëkuptohet përmes ankesave dhe më e mira është që të ankohet kjo punë përmes gjykatave, që mjetet në njëfarë mënyre të ushtrojnë këto mjete juridike”, tha Miftaraj.