“Nuk është rastësi” – Avni Islami sheh prapavijë pas lëvizjes së Serbisë

Aktuale

“Nuk është rastësi” – Avni Islami sheh prapavijë pas lëvizjes së Serbisë

Nga: A.SH Më: 27 qershor 2026 Në ora: 19:15
Avni Islami

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq se po ndjek retorikën e ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, duke e lidhur simbolikën e Vidovdanit me politikat nacionaliste të së kaluarës.

Sipas Islamit, paralajmërimi i Serbisë për mbajtjen e ushtrimeve ushtarake më 28 qershor përbën provokim të sigurisë dhe presion politik ndaj Kosovës.

Ai theksoi se institucionet e sigurisë në Kosovë janë të përgatitura për çdo skenar, duke nënvizuar se Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë janë në gatishmëri të lartë për të parandaluar çdo provokim apo incident.

Postimi i plotë:

Aleksandar Vuçiq, ky imitues i Sllobodan Millosheviqit

Tendenca e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të ringjallur simbolikën nacionaliste të Vidovdanit – e ngjashme me propagandën e Sllobodan Millosheviqit në Gazimestan në vitin 1989 – përbën një përpjekje për të ricikluar politikat e vjetra hegjemone që sollën tragjedi në Ballkan.

Paralajmërimi i Serbisë për mbajtjen e ushtrimeve ushtarake pikërisht në këtë datë me peshë historike dhe emocionale nuk është thjesht një koincidencë, por një provokim i hapur i sigurisë dhe një mjet shantazhi politik ndaj Republikës së Kosovës.

Pavarësisht këtyre skenarëve të vjetruar, institucionet e sigurisë në Kosovë janë të konsoliduara dhe plotësisht të përgatitura për të parandaluar çdo lloj provokimi:

Policia e Kosovës në çdo 28 qershor rrit praninë dhe monitorimin në zonat e ndjeshme, duke garantuar rendin dhe sundimin e ligjit.

Poashtu Agjencia e Kosovës për Inteligjencë është në gatishmëri të lartë për të identifikuar dhe neutralizuar çdo tendencë për inskenime apo incidente.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat