Policia mbështeti aksionin për rrënimin e vilave ilegale në Ujman, s’pati telashe
Aksioni për rrënimin e 11 vilave të ndërtuara në mënyrë të kundërligjshme pranë liqenit të Ujmanit, ka rrjedhur pa telashe.
Procesin e lirimit të pronës së Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, e siguroi policia, derisa në mesin e objekteve të rrënuara, sipas burimeve të KosovaPress-it, janë edhe dy që iu përkasin kryesuesit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Ivan Zaporozhac, dhe vëllait të tij.
Shefi i Planifikimit në kuadër të Operativës Rajonale policore Mitrovicë – Veri, Erduan Baliqi, ka bërë të ditur se në terren nuk u shënua ndonjë incident.
“Ajo çfarë mund të deklarojmë ne është se nga orët e mëngjesit kemi asistuar për Ibër-Lepencin. Këtu jemi për shkaqe sigurie, ndërsa Ibër-Lepenci është duke i kryer punët e veta. Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë incident ose ndonjë problem. Aktualisht janë duke u rrënuar, pothuajse janë në përfundim të rrënimit të këtyre 10 vilave që janë këtu, mirëpo deri tash çdo gjë ka shkuar në rregull dhe nuk është paraqitur nevoja për të intervenuar. Ne kemi pasur kërkesë vetëm për sot, ndërsa për ditët në vijim nuk mund të parashohim derisa të kemi një kërkesë të tillë”, tha Baliqi.
Kryeshefi ekzekutiv i Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, ka konfirmuar për KosovaPress se aksionin janë duke e zhvilluar Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës .
Ai bëri të ditur se 11 personave që kishin ndërtuar objekte në pronën e Ibër-Lepencit u ishte kërkuar që më 3 korrik t’i largonin të gjitha gjërat nga këto objekte dhe t’i lironin ato më së largu deri më 17 korrik.
Disa pronarë të këtyre objekteve janë lejuar që t’I largojnë gjësendet që mund t’I shpëtonin pa e penguar aksionin.
Rrënohen dy vilat e Ivan dhe Sergej Zaporozhacit në zonën e Ujmanit
Aksioni i nisur sot në mëngjes për rrënimin e 11 objekteve në zonën përreth liqenit të Ujmanit po vazhdon edhe më tej. Këto objekte janë ndërtuar në pronën që i përket ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”.
Në mesin e objekteve që po rrënohen janë edhe dy vila të Ivan Zaporozhacit dhe vëllait të tij Sergejit.
Ivan Zaporozhac është kryesues i Asamblesë së Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe nënkryetar i Listës Serbe.
Mujka i Ibër Lepencit konfirmon aksionin për rrënimin e 11 shtëpive në Ujman
Kryeshfi ekzekutiv i Ibër Lepencit, Faruk Mujka ka konfirmuar për KosovaPress aksionin për rrënimin e 11 shtëpive në pronën e kësaj ndërmarrje në liqenin e Ujmanit.
“Inspektorati i Ministrisë së Ambientit është duke e zhvilluar këtë aksion”, tha ai.
Mujka bëri me dije se 11 personave që kishin ndërtuar shtëpi në pronën e Ibër Lepencit u ishte kërkuar qysh më 3 korrik të heqin të gjitha gjërat që kanë në këto objekte dhe t’I lirojnë ato deri më 17 korrik.
“Ata nuk e kanë bërë këtë gjë, kështu që ne kemi lajmëruar inspektoratin dhe ata kanë shkuar sot për të kryer punë”, tha Mujka për Kosovapress. “Njëherë pritet t’i largojnë të gjitha gjërat nga shtëpitë e mandej t’i rrënojnë ato”.
Ibër Lepenci me aksion “rrënimi” në Ujman, i liron pronat e veta që ishin uzurpuar qe 20 vjet
Me kërkesë të ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” në zonat përreth liqenit të Ujmanit është duke u zhvilluar një aksion për lirimin e disa pronave të uzurpuara në një parcelë të kësaj ndërmarrje, në këtë zonë të Kosovës.
Aksioni, siç merr vesh KosovaPress nga burimet e veta, ka nisur në orën 7 e 30 të mëngjesit.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka konfirmuar se policia është duke asistuar në këtë aksion.
Ky veprim vjen pas një paralajmërimi dhe kërkese paraprake që Ibër Lepenci u ka bërë 11 “pronarëve” që kanë ndërtuar objekte të ndryshme e shtëpi pushimi në hisen e ndërmarrjes, te Ujmani
"Bazuar në regjistrat zyrtarë dhe dokumentet e pronësisë, Ndërmarrja Publike e Ujërave 'Ibër-Lepenc' Sh.A. është pronare ligjore e parcelës kadastrale nr. P-72908033-02631-2, me sipërfaqe 32.998 m², e regjistruar në Zonën Kadastrale të Veli Bregut, Komuna e Zubin Potokut", thuhet në kërkesë, e cila mban datën 3 korrik.
Në këtë kërkesë, siç kishte raportuar Mitropol më herët, personave në fjalë u ishte dhënë një afat prej 15 ditëve për të liruar menjëherë pronën e uzurpuar, për të hequr të gjitha sendet dhe ndërtimet e vendosura në mënyrë të paligjshme dhe për ta kthyer pronën në gjendjen e mëparshme".
Në të kundërtën, siç thuhej në kërkesë, pas skadimit të afatit, "Ibër-Lepenci" do të detyrohet të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të mbrojtur të drejtat e saj dhe për të liruar pronën, pa ndonjë paralajmërim të mëtejshëm; në këtë rast, të gjitha kostot dhe pasojat ligjore do të bien mbi pronarët”.