Ky është i dyshuari i arrestuar për krime lufte në Zubin Potok

Aktuale

Ky është i dyshuari i arrestuar për krime lufte në Zubin Potok

Nga: A.M. Më: 2 gusht 2026 Në ora: 09:19 Përditësuar në ora: 13:10 më 02.08.2026
Foto nga gërmimet në Kalludër

Jugosllav Radeviç, i arrestuari mbrëmë për krime lufte – i njëjti person i dyshuar për rastin e Kalludrës

Jugosllav Radevič është personi i arrestuar mbrëmjen e së shtunës gjatë aksionit të zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale në disa lokacione të ndryshme.

Arrestimi i tij lidhet me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për rastin janë në vazhdim dhe, për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës, nuk janë bërë publike më shumë detaje.

Burime të Kanal10 bëjnë të ditur se Jugosllav Radevič dyshohet të jetë i përfshirë edhe në rastin e Kalludrës, ku autoritetet po zhvillojnë hetime dhe gërmime pas dyshimeve për ekzistimin e një varreze masive të personave të zhdukur gjatë luftës.

Aksion i Policisë dhe Prokurorisë Speciale: Arrestohet edhe një i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok

Nga: A.M

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka arrestuar edhe një person të dyshuar për krime lufte në komunën e Zubin Potokut.

Sipas një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, i arrestuari me inicialet J.R. dyshohet se ka kryer veprën penale "Krime lufte kundër popullsisë civile".

Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës e Policisë së Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për rastin.

Autoritetet bëjnë të ditur se arrestimi është rezultat i një pune intensive hetimore, të zhvilluar nga hetuesit policorë dhe Prokuroria Speciale, si pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës.

“Lidhur me rastin ‘krime të luftës’ në komunën e Zubin Potokut, Policia e Kosovës-Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka arrestuar edhe një person të dyshuar me inicialet J.R.I dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale "Krime lufte kundër popullsisë civile".

Arrestimi i të dyshuarit është rezultat i një pune intensive hetimore, të zhvilluar nga hetuesit policorë dhe Prokuroria Speciale, në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Speciale do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për çka publiku do të njoftohet në kohë”, thuhet në komunikaten për media.

Ndryshe, institucionet kompetente po zhvillojnë gërmime në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, ku dyshohet se ndodhet një varrezë masive me mbetje mortore të viktimave shqiptare të luftës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat