Abdixhiku: Ka afrime, por kemi distancë për balancën demokratike, ata që po na kritikojnë, po kërkojnë zgjedhje
Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, para seancës konstituive tha se në takimet me Lëvizjen Vetëvendosje ka afrime, por se mospajtimi mbetet për balancën demokratike.
Ai tha se kjo balancë është e mirë për Kosovën dhe tha se arsyeja pse po shkojnë në takime është shmangia e zgjedhjeve të reja.
“Po përpiqemi vazhdimisht që t’i shmangim zgjedhjet e reja. Po përpiqemi që brenda këtyre diskutimeve, t’i përfaqësojmë bindjet tona dhe duhet ta kuptoni se bindjet s’janë të njëjta. Duhet kohë. Po përpiqemi që të gjithë ata që i përfaqësojmë ne, deputetët e Kuvendit, t’i mbajmë rreth një zgjidhje të përbashkët. Këto tri procese nuk janë të lehta. Dhe meqenëse se s’janë të lehtë dhe derisa përpiqemi e takohemi, mbesim të vetmit që duam t’i shmangim zgjedhjet e reja. Të gjithë ata që po na kritikojnë, s’e kuptojnë pse po takohemi e çfarë qëllimi kemi. Mendoj se na kërkojnë të shkojmë në zgjedhje të reja edhe njëherë e shkuarja në zgjedhje të reja është dëmi më i madh që i bëhet vendit. Është paaftësi totale e klasës politike”.
Abdixhiku tha se do t’i vazhdojnë takimet dhe në rast se s’dakordohen do të dalin e ta thonë këtë.
“Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore që është balanca demokratike. Sot Kuvendi duhet të konstituohet dhe s’ka arsye të mos bëhet kjo. Më pas i kemi rreth 25 ditë për Qeverinë, nëse merremi vesh më herët për të gjitha institucionet më mirë, nëse s’merremi vesh duhet të jemi transparentë dhe të sinqertë se kaq kemi mundur dhe s’mund të bëjmë më tepër”.
I pyetur nëse Presidenti duhet t’i takojë LDK’së, Abdixhiku tha se s’është çështje emrash, por e balancës së ndarjes së pushtetit.
“Qëndrimet i japim në takime. Ne kërkojmë balancë demokratike dhe kjo kërkon që LDK të jetë e përfaqësuar. Në këtë fazë, s’po flasim për emra individësh të caktuar, po flasim për balancë demokratike. Është e mirë për Kosovën që të ketë balancë demokratike, që palët të jenë të përfaqësuara dhe po ashtu që rezultati zgjedhor të respektohet në tërësi. Pra, s’duam të marrim asgjë që nuk na takon dhe s’duhet t’i lëmë askujt të marrë diçka që s’i takon. Pra, balanca demokratike është çelësi i këtyre takimeve që po i zhvillojmë”.
“Sot nuk votoj asgjë”, Balje: Mes meje dhe VV-së nuk ka besim, qëndrimet e mia nuk kanë ndryshuar
Deputetja boshnjake e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje ka folur para mediave në lidhje me seancën konstituive që do të mbahet sot.
Ajo ka thënë se para kësaj seance nuk është takuar me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ndërsa ka thënë se qëndrimet e saj mbesin të njëjta me kohën kur Kuvendi ishte funksional, para zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Takim me Kurtin nuk kam pas, qëndrimet nuk i ndryshoj, asgjë nuk ka ndryshu mes partisë sime dhe VV-së dhe nuk kam asnjë arsye që të reagoj brenda Kuvendit siç kam reagu herën e fundit”, ka thënë Balje.
Ajo ka thënë se për Presidentin nuk ka fol ende me asnjë parti.
“Për Presidentin ende nuk kemi fol me asnjë parti, nuk kam informacion çka do të ndodh. Mes meje dhe VV-së nuk ka besim, as ata nuk besojnë si punoj unë as unë si punojnë ata”, ka shtuar Balje.
Për kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët që pritet të votohen sot, Balje ka thënë se sot nuk voton asgjë.
Rexhepi: Kemi obligim ta votojmë kryeparlamentarin dhe nënkryetarët, s’e di nëse do të jem pjesë e qeverisë së re
Deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Emilia Rexhepi tha se sot deputetët kanë obligim të votojnë për kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët.
Rexhepi tha para seancës konstituive se “sot është ditë e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, edhe për deputetët një rast solemn, i veçantë”.
“Ne kemi obligim si deputetë ta votojmë kryetarin e Parlamentin, nënkryetarët dhe ta hapim rrugën për formimin e qeverisë”, tha ajo.
E pyetur nëse ajo do të jetë pjesë e kabintetit të ri qeveritar, Rexhepi tha: “Nuk e di ende. Sot ne votojmë për Parlamentin”.
Ajo u pyet edhe nëse ka diskutuar për këtë me kryeministrin në detyrë, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Vazhdimisht, çdoherë ne kemi takime”, tha Rexhepi.
Seanca konstituive, Hamza: Qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se deri më tani askush nuk ka kërkuar mbështetjen e kësaj partie, ndërsa ka theksuar se PDK-ja nuk ka zhvilluar diskutime për ndarjen e pozitave.
“Tash kemi mbledhjen e Grupit Parlamentar. Askush nuk ka kërkuar përkrahje prej neve. Edhe në të kaluarën nuk është që i kanë përkrahur kandidatët e PDK-së. Sa i përket çështjes së nënkryetarëve, ne e kemi një nënkryetar dhe, si parti e dytë për nga numri i ulëseve, e përkrahim kandidatin e propozuar nga PDK-ja për atë pozitë”, tha Hamza para fillimit të seancës konstituive.
Ai ritheksoi se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar dhe se prioritet janë programi dhe politikat, e jo ndarja e posteve.
“Qëndrimi i PDK-së është konsistent. Ne kemi shkuar në zgjedhje, kemi kërkuar votën e qytetarëve me një program për ekonomi, drejtësi dhe energji. Nëse nuk kemi dakordim për këto prioritete, është absurde të flasim për tema të tjera”, u shpreh ai.
I pyetur nëse ka pasur bisedime për pozita institucionale, Hamza u përgjigj shkurt: “Nuk kemi diskutuar fare.”
Haziri: Sot konstituohet Kuvendi sipas rezultatit zgjedhor, ende s’ka marrëveshje me VV-në
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, tha se Kuvendi sot do të konstituohet sipas rezultatit zgjedhor, dhe konfirmoi se nuk ka marrëveshje me partinë e parë.
Haziri tha se LDK-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë me VV-në për arritjen e një marrëveshje funksionale, në interes të agjendës së shtetit.
“Tani jemi në bashkëpunim me partinë e parë, jemi duke bisedu për të krijuar një marrëveshje funksionale në interes të agjendës së Republikës. Ende jemi në nivelin e diskutimeve lidhur me parimet e funksionimit të një bashkëpunimi të qëndrueshëm.
Sot do të konstituohet Kuvendi, sipas rezultatit zgjedhor, praktikisht marrëveshje të arritur për këtë nuk ka dhe nuk ka pasur nevojë të diskutohet më shumë”, tha Haziri para mediave.
Pas pak nis seanca konstituive e Kuvendit, këto janë katër pikat e rendit të ditës
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot, me fillim nga ora 10:00, seancën konstituive të legjislaturës së re.
Sipas njoftimit zyrtar, rendi i ditës përfshin:
Formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve;
Betimin e deputetëve;
Zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit;
Zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Seanca do të zhvillohet në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës dhe pritet të jetë vendimtare për konstituimin e legjislaturës së XI-të.
Haxhiu mbërrin në Kuvend, nuk tregon nëse do të propozohet sërish për kryetare të Kuvendit
Kryetarja e Kuvendit, njëherësh ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës ndërsa nuk tregoi nëse do të jetë sërish kandidatë për ta mbajtur pozitën numër një në këtë institucion.
Ajo nuk dha përgjigje kur u pyet nga gazetarët nëse do të jetë sërish emri i propozuar nga Vetëvendosje për kryeparlamentare.
Në orën 10:00 pritet të nisë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për Legjislaturën e XI-të.
Kuvendi i Kosovës mban sot seancën konstituive të Legjislaturës së XI-të
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancën konstituive të Legjislaturës së XI-të, me fillim nga ora 10:00, në sallën plenare.
Sipas rendit të ditës, fillimisht do të formohet Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.
Pas verifikimit të mandateve, deputetët do të japin betimin, duke i hapur rrugë procedurës për konstituimin e legjislaturës së re.
Në vazhdim të seancës pritet të zhvillohet procedura për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Seanca konstituive shënon fillimin e punës së Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Kosovës.