Deputetët e PDK-së dhe AAK-së po qëndrojnë në hollin e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa në sallën plenare po zhvillohet aktiviteti tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend”.
Ndërkohë, në rrjetet sociale janë publikuar pamje të një diskutimi mes ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku, teksa ato incizoheshin nga pjesëtarë të mërgatës.
PDK-ja kishte paralajmëruar se do të paraqitej në Kuvend pavarësisht nëse kryesuesi i seancës, Avni Dehari, do ta thërriste atë zyrtarisht. Më vonë, edhe AAK-ja iu bashkua kërkesës për vazhdimin e seancës.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se partia e tij po kërkon funksionalizimin e Kuvendit dhe mbrojtjen e rendit kushtetues.
“Nëse shteren mundësitë brenda Kuvendit, do të jenë hapat tonë të tjerë të guximshëm për ta mbrojtur shtetin”, tha Tahiri.
Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se partia e tij nuk do të lejojë, siç u shpreh, “dhunimin e së drejtës së qytetarëve”.
Pas fjalimeve, deputetët e PDK-së dhe AAK-së dolën nga salla dhe vazhduan të qëndrojnë në hollin e Kuvendit.
Pak para largimit të tyre, në sallë hynë edhe dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Deputeti Vigan Qorrolli tha se ata po merrnin pjesë në aktivitetin me mërgatën, ndërsa aksionin e opozitës e cilësoi si "të lejueshëm".
Megjithatë, Qorrolli përsëriti qëndrimin e LVV-së se duhet të arrihet fillimisht një marrëveshje politike për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
PDK-ja tha se të gjitha partitë ishin ftuar të merrnin pjesë në sallë, por deputetët e LDK-së nuk u panë aty.
Ndërkaq, Dehari ka thënë se seanca nuk duhet të vazhdojë pa një marrëveshje politike mes partive.
Afati 30-ditor ka përfunduar
Përplasja rreth vazhdimit të seancës vjen pasi ka përfunduar afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht.
Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por Kuvendi nuk arriti të përfundonte zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Procesi mbeti pezull për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike.
Pikërisht për zbatimin e këtij aktgjykimi, 14 organizata të shoqërisë civile, të udhëhequra nga AVONET, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Në thelb të ngërçit politik mbetet çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar një marrëveshje më të gjerë politike dhe një kandidat konsensual e jopartiak për president, ndërsa LDK-ja ka kërkuar që posti t’i takojë asaj.
PDK-ja ka insistuar që fillimisht të respektohen procedurat kushtetuese dhe të përfundojë konstituimi i Kuvendit. AAK-ja, ndërkaq, ka kërkuar respektimin e afateve kushtetuese dhe ka fajësuar Vetëvendosjen për bllokimin institucional.
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund të pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së.