​LDK mbledh sot grupin parlamentar

Aktuale

​LDK mbledh sot grupin parlamentar

Më: 13 gusht 2026 Në ora: 09:02 Përditësuar në ora: 14:29 më 13.08.2026
Fotoilustrim

Quni: LDK-ja përmbahet nga situatat që mund të gjenerojnë incidente

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Anton Quni është deklaruar para mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj partie duke thënë se përmbahen nga situatat që mund të gjenerojnë incidente.

“Me siguri nga kryetari do të njoftohemi me situatën aktuale. Do të këmbejmë mendimet, vlerësimet tona. Do të japim këshilla, ide, propozime. Do të dëgjojmë njëri-tjetrin me vëmendje. Në lidhje me pjesëmarrjen në Kuvend, do të thotë, Lidhja Demokratike e Kosovës përmbahet nga situatat ku mund të gjenerohen incidentet, problemet e tjera. Ne bëjmë thirrje të jemi sa më të qetë edhe me arsyshmëri, me racionalitet, duke dëgjuar njëri-tjetrin, t’i zgjidhim të gjitha problemet”, tha Quni.

I pyetur se a ka pasur së fundmi takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Quni tha se për këtë çështje është deklaruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Është deklaruar kryetari në lidhje me bisedën e fundit që e ka pasur me zotin Kurti, e cila nuk ka pasur ndonjë epilog pozitiv, nuk vrehen shenjat e materializimit të ndonjë marrëveshje, kështu që ne do t’i shqyrtojmë ë hapat e mëtejmë”, tha ai.

Ndërkaq për thirrjen e seancës konstituive dhe bashkëpunimit me partitë tjera të opozitës, Quni tha se duhet që sa më parë të krijohen institucionet.

“Po, po, natyrisht që do të duhej një seancë konstituive të mbahet sa më shpejt.Me tërë spektrin politik ne jemi të interesuar që të bashkëpunojmë  që sa më shpejt të zyrtarizohen, të ngriten institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Quni.

Osmani: Jemi në mbrojtje të Kushtetutës, qëndrimet tona i bëjmë publike pas takimit

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka deklaruar se mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar është mbledhje e zakonshme.

“Është takimi i grupit parlamentar, natyrisht për zhvillimet e fundit. Sapo të përfundojë takimi do të kemi deklaratë të përbashkët”, tha ajo.

E pyetur se pse dje nuk ishin në Kuvend bashkë me PDK e Aleancën, Osmani tha se kanë qenë aty, mirëpo janë në mbrojtje të Kushtetutës.

Çdo ditë jam në Kuvend. Çdo ditë jam në Kuvend. Edhe sot isha në Kuvend. Ne jemi në përkrahje të mbrojtjes së Kushtetutës, kurse qëndrimet më në detaje do t’i publikojmë sot menjëherë pasi të përfundojë takimi i grupit parlamentar”, tha Osmani.

​LDK mbledh sot grupin parlamentar

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës pritet të mblidhet sot.

Ky takim vjen pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, ku të mërkurën deputetët e PDK-së dhe Aleancës qëndruan në sallën plenare duke kërkuar nga kryesuesi Avni Dehari thirrjen e seancës konstituive.

Sipas raportimeve në media, një nga temat që pritet të jetë pjesë e diskutimeve është edhe çështja e presidentit të Kosovës.

Kujtojmë se, LDK-ja ka diskutuar edhe më herët rreth pozitës së presidentit, ndërsa deputetë të kësaj partie kanë deklaruar se synojnë që kjo pozitë t’i takojë LDK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat