Kanosi Albin Kurti, ja sa dënohet Kadri Xhemaili

Aktuale

Kanosi Albin Kurti, ja sa dënohet Kadri Xhemaili

Më: 21 gusht 2026 Në ora: 14:29
Kadri Xhemaili

Kadri Xhemaili është dënuar me gjashtë muaj burgim për kanosjen ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Vendimi është marrë pasi i pandehuri ka pranuar fajësinë në seancën gjyqësore të mbajtur të premten dhe ka shprehur pendesë për veprimin e tij.

Gjykata ka miratuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e cila ishte arritur ndërmjet të pandehurit, mbrojtjes së tij dhe Prokurorisë.

Prokurori Bekim Kodraliu ka deklaruar se marrëveshja është arritur vullnetarisht dhe se i pandehuri ishte njoftuar për pasojat e pranimit të fajësisë. Ndërkaq, mbrojtësi i Xhemailit, avokati Rinor Arifi, ka konfirmuar se mbrojtja pajtohet me marrëveshjen e arritur.

Në seancën gjyqësore nuk ishte i pranishëm kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Sipas gjyqtarit Rrahman Beqiri, Kurti e kishte pranuar ftesën për pjesëmarrje, por mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Sipas aktakuzës, Xhemaili më 22 tetor 2025 kishte kanosur publikisht Kurtin përmes rrjetit social Facebook, me qëllim të frikësimit të tij në cilësinë e kryeministrit të Kosovës. Kanosja, sipas aktakuzës, përfshinte edhe kërcënim për privim nga jeta.

Pas pranimit të fajësisë dhe miratimit të marrëveshjes me Prokurorinë, Gjykata e ka dënuar Kadri Xhemailin me gjashtë muaj burgim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat