Seanca konstituive më 9 shtator, LDK zbulon qëndrimin e saj

Aktuale

Seanca konstituive më 9 shtator, LDK zbulon qëndrimin e saj

Më: 7 shtator 2026 Në ora: 12:18 Përditësuar në ora: 14:23 më 07.09.2026
Fotoilustrim

Lushaku: LDK merr pjesë në seancën konstituive të Kuvendit

Deputetja e LDK-së Jehona Lushaku, ka folur pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Ajo para mediave deklaroi se në mbledhje u diskutua ftesa për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

"Vendosëm si grup të marrim pjesë në seancë dhe t'i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit, meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e saj, prandaj kemi bërë thirrje që të konstituohet Kuvendi sa më parë të jetë e mundshme dhe institucioneve t'u kthehet funksionaliteti i tyre, prandaj vendosëm të marrim pjesë në seancë dhe të japim kontributin tonë për t'i dhënë institucione Kosovës", deklaroi ajo para mediave..

Kryesuesi Avni Dehari, e ka caktuar të mërkurën më 9 shtator vazhdimin e seancës konstituive.

Quni: Nuk ka grupe në LDK, diversiteti dhe diskutimet e brendshme janë natyrë e partisë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka mohuar se brenda partisë ekzistojnë grupe të ndara, duke thënë se diskutimet e brendshme janë pjesë e natyrës së kësaj partie.

Quni ka deklaruar se dallimet dhe diskutimet mund të bëhen publike ose të mbeten brenda organizatës, ndërsa ka bërë thirrje që çdo tension eventual të ndihmohet për t’u çtensionuar.

“Jo, nuk ka grupe. Nuk ka grupe. Kjo është diversiteti dhe natyra e Lidhjes Demokratike të Kosovës që kemi diskutimet e brendshme. Natyrisht ato mund të bëhen mediale apo të mbahen brenda organizatës. Por për një gjë jeni të bindur: një Lidhje Demokratike e Kosovës sa më e unifikuar do të thotë një shpresë dhe progresivitet më i madh për Republikën e Kosovës. Prandaj kisha kërkuar edhe tek ju, për çdo shfaqje të ndonjë tensioni, të na ndihmoni të çtensionohet situata”, tha ai.

Kica-Xhelili: Kurti po të ishte serioz për Sejdiun, s’do ta linte seancën pas afatit kushtetues

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka folur para mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj partie, ku pritet të diskutohet edhe çështja e caktimit të seancës së re për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Kica Xhelili ka thënë se situata sa i përket caktimit të seancës së re është komplikuar, duke theksuar se më herët ishte pranuar një afat fleksibil për shkak të paqartësive të krijuara nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Tani është shumë e komplikuar çështja e caktimit të seancës së re, sepse ju e keni parasysh që pavarësisht që afati kushtetues kishte kaluar në gusht, ne u patëm pajtuar që ta konsiderojmë një afat të ri për hir të paqartësive të cilat i kishte lënë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ato paqartësi kishin të bënin me mungesën e pasojave juridike dhe me faktin që Gjykata kishte vlerësuar që në emër të themelimit dhe funksionalizimit të institucioneve lejon të bëhen edhe disa, le të themi, improvizime, sepse fundja kjo kutia e Pandorës nga Gjykata Kushtetuese është hapur nga vendimet e kaluara. Për hir të krejt kësaj vendosëm ta pranojmë idenë e trajtimit të këtij afati fleksibil, por jo të një afati pas afatit”, tha ajo.

Duke folur për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Kica Xhelili ka kritikuar caktimin e një afati të ri përtej afatit të përcaktuar më herët.

“Çdo afatgjate sot po tejkalon një nuancë të mungesës së plotë të seriozitetit nga vetë zoti Kurti. Natyrisht unë po flas për veten, mendoj që fakti që ka caktuar një afat të ri përtej afatit që ai vetë ka determinuar tregon sa i pa vendosur ka qenë vetë ai për kandidimin e Bekim Sejdiut, sepse po ta kishte seriozisht kandidaturën, së paku më e pakta që do ta bënte ishte që të caktonte një seancë për brenda afatit që e kishte dhënë vetë. Kështu që për mua kjo vetëm flet për mungesën e seriozitetit dhe mungesën e qëllimit real dhe të sinqertë të tij për të zgjedhur vërtetë presidentin e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së ka thënë se, nga këndvështrimi i saj profesional, nuk e sheh të arsyeshme pjesëmarrjen në një seancë që, sipas saj, ka tejkaluar afatet kushtetuese.

“Unë vlerësoj që nuk kam hapësirë për mua si Doars, me gjithë njohuritë e mia juridike që i kam, të marr pjesë në një seancë e cila e ka kaluar çdo afat kushtetues. Jam shumë e gatshme dhe shumë e hapur ta dëgjoj vlerësimin e grupit parlamentar. Dua ta shoh leximin e tyre për këtë çështje. Unë e kam një lexim timin që për mua është krijuar në momentin që është tejkaluar edhe ky dy-tri ditësh shtesë dhe mendoj që nëse në çfarëdo momenti është krijuar vetëdija që mund të eksperimentohet tutje me afatet kushtetuese, kjo gjë duhet të përmbyllet tani. Por Doarsa, si gjithmonë, pavarësisht mendimeve që i ka pasur, gjithmonë ka qenë shumë mendjehapur në raport me mendimet e kolegëve. Por në opinionin tim profesional është krijuar një pamundësi goxha objektive për me marrë pjesë në seancën e radhës”, tha ajo.

Osmani: Po përgatitemi për seancën konstituive të 9 shtatorit

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Grupi Parlamentar i kësaj partie është mbledhur për përgatitjet lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të mbahet më 9 shtator.

Osmani ka folur para mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ku pritet të diskutohet për vazhdimin e seancës konstituive dhe qëndrimet e partisë për këtë proces.

“I kemi përgatitje e zakonshme, për këtë jemi mbledhur (përgatitje e seancës konstituive). Pasi ta përfundojmë këtë takim do të deklarohemi”, tha ajo.

Mblidhet LDK-ja, diskutohet zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të mblidhet sot me fillim nga ora 13:00.

Kjo u konfirmua nga zëdhënësi njëherësh deputeti i kësaj partie, Besian Mustafa.

“Po, në orën 13:00, me një pikë diskutimi: seanca e thirrur më 9 shtator për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”, tha Mustafa.

Kryesuesi Avni Dehari, e caktuar 9 shtatorin si datë për vazhdimin e seancës konstituive.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat