Haxhiu merr drejtimin e Kuvendit, ngërçi kalon te nënkryetarët – seanca shtyhet

Aktuale

Haxhiu merr drejtimin e Kuvendit, ngërçi kalon te nënkryetarët – seanca shtyhet

Më: 9 shtator 2026 Në ora: 07:25 Përditësuar në ora: 10:56 më 09.09.2026
Albulena Haxhiu

Murati: Kandidatin për president e kemi, shpresoj të ketë reflektim nga deputetët e opozitës

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se formimi i institucioneve të vendit mund të bëhet shpejt, duke kujtuar se edhe në herën e kaluar Kuvendi dhe Qeveria ishin formuar në kohë rekord.

Murati tha se problematika ishte shfaqur më pas te zgjedhja e presidentit, pasi, sipas tij, deputetët e opozitës kishin bllokuar procesin, duke çuar vendin në zgjedhje.

“Ne edhe herën e kaluar i kishim formuar institucionet, pra Kuvendin, Qeverinë në kohë rekord, por pastaj e patë që tek presidenti ishte problematika, sepse deputetët e opozitës e bllokuan procesin dhe e dërguan vendin në zgjedhje”, u shpreh Murati.

Ai tha se shpreson që këtë herë të ketë reflektim nga deputetët e opozitës, duke theksuar se kandidati për president tashmë është përcaktuar.

“Shpresoj që do të ketë reflektim, kandidatin për president e kemi, pra është shumë afër zgjidhja, por shpresoj që të ketë reflektim nga deputetët e opozitës”, deklaroi Murati.

Kurti: Marrëveshja është arritur, por nuk mjafton për të shmangur zgjedhjet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja politike e arritur nuk është e mjaftueshme për të shmangur zgjedhjet e reja, pasi sipas tij nevojiten edhe votat për zgjedhjen e presidentit.

Kurti tha se për zgjedhjen e presidentit ose presidentes kërkohet pjesëmarrja e dy të tretave të deputetëve në Kuvend, ndërsa theksoi se duhet të jenë të pranishëm jo vetëm deputetët e palëve që kanë arritur marrëveshjen, por edhe deputetë të tjerë.

“Marrëveshje politike kemi, këtë e kemi arritur, por ajo duhet të na sigurojë edhe numrat në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja. Kuvendi dhe qeveria nuk i evitojnë zgjedhjet e reja pa e zgjedhur presidentin”, tha Kurti pak para fillimit të seancës konstituive.

“Meqenëse kemi marrëveshje politike, kryesuesi i seancës Avni Dehari e ka thirrur seancën konstituive, dhe ne duhet t’i përgjigjemi pozitivisht”.

Seanca konstituive, Gruda: Shpresoj se nuk do të jetë një lojë politike

Deputeti i PDK-së Përparim Gruda, tha se konstituimi i Kuvendit ka qenë kërkesë e ish-partive opozitare tash e një muaj.

Gruda tha se shpreson se kjo nuk do të jetë siç e quajti ai "një lojë e radhës politike".

"Për ta thirrur një seancë dhe për mos ta themeluar kuvendi. Kjo se çka po ndodh sot është në linjë me atë se çka kemi thënë ne", tha Gruda.

"Vendimet që dalin më pas dhe mënyrën si po themelohet ky kuvend e vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë dhe legalitetin e vendimet të këtij kuvendi", theksoi ai.

Zemaj: S’e votojmë kandidatin e LVV-së për kryetar të Kuvendit

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se nuk do të votojë për kandidatin e LVV-së për kryetar të Kuvendit.

Në një prononcim në hyrje të Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive, ai tha se Kujtim Shala do të jetë kandidati i LDK-së për nënkryetar.

“Do të jetë prapë Kujtim Shala, nuk kemi pasur ndryshim.

Nuk do të votojmë pro zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje. Nëse dikush e ka ndryshuar personalisht mendimin, është në vullnetin e tij”, tha Zemaj.

A pritet të mbyllet konstituimi sot?

Seanca e sotme është vazhdim i seancës së nisur më 6 gusht.

Ajo ishte ndërprerë dy herë me kërkesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për më shumë kohë për një marrëveshje politike për presidentin.

I pyetur nga gazetarë një ditë më parë nëse partia e tij do të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, Kurti nuk tregoi, duke thënë se “nesër e kanë thirrur seancën e Kuvendit, do të jemi aty”.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve.

Pas kësaj i hapet rrugë mabjtjes së seancave për zgjedhjen e qeverisë së re dhe presidentit të ri të Kosovës.

Për formimin e Qeverisë së re nga LVV kanë deklaruar se nuk u mungojnë 61 votat e nevojshme, por për çështjen e presidentit votat ende nuk janë të sigurta.

Kush do të marrë pjesë në seancë?

Në seancë pritet të jenë të pranishëm deputetë nga të gjitha partitë parlamentare, përjashtuar ata të Aleancës.

Aleanca, partia opozitare që ka 7 deputetë, njoftoi dje se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë.

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha se partia e tij dëshiron “të dërgojë mesazh, të tregojmë që nuk pranojmë të fyhet kështu Kuvendi”.

Dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë se do të marrin pjesë.

Konstituimi i Kuvendit, PDK propozon Vlora Çitakun për nënkryetare

Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot seancën konstituive, me deputetët që pritet të mblidhen në orën 11:00 për të proceduar me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Në këtë seancë, Partia Demokratike e Kosovës pritet të propozojë Vlora Çitakun për pozitën e nënkryetares së Kuvendit.

Kështu ka konfirmuar zyra për informim e PDK-së.

Kandidatura e Çitakut është konfirmuar edhe nga vetë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza,ditë më parë.

Seanca e sotme vjen pas një periudhe të gjatë bllokade, gjatë së cilës Kuvendi nuk ka arritur të përmbyllë procesin e konstituimit të legjislaturës së re.

Në rend dite janë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Çitaku ka mbajtur edhe më herët pozitën e nënkryetares së Kuvendit, në legjislaturën e kaluar.

LVV pritet ta nominojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit

Sot, në orën 11:00, do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ndërsa në rend dite janë zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.

Siç ka mësuar media, Lëvizja Vetëvendosje pritet ta nominojë Albulena Haxhiun si kandidate për kryetare të Kuvendit.

Ndërkohë, ende nuk dihet se cilët do të jenë kandidatët për nënkryetarë nga PDK-ja dhe LDK-ja, pasi këto dy parti kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në seancë.

Se si do të zhvillohet procesi i votimit dhe cili do të jetë qëndrimi i PDK-së, LDK-së dhe partive të tjera ndaj kandidaturës së Haxhiut, pritet të qartësohet gjatë seancës.

Deputetët ka dhënë betimin, ndërsa procesi mbeti pa përfunduar pasi Lëvizja Vetëvendosje, si partia që ka fituar zgjedhjet nuk prezantoi kandidatin për kryeparlamentar.

 

Kuvendi rikthehet në seancë konstituive

Kuvendi i Kosovës pritet të rifillojë sot procesin e konstituimit, pas më shumë se një muaji bllokadë institucionale. Seanca e vazhdimit është caktuar të mbahet të mërkurën, në orën 11:00.

Pjesëmarrjen në seancë e kanë konfirmuar Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ndërsa Aleanca ka vendosur të bojkotojë seancën.

Në qendër të vëmendjes mbetet sigurimi i votave për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Pjesëmarrja e LVV-së konsiderohet vendimtare për vazhdimin e procesit. Si subjekti që doli i pari në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja ka numrin më të madh të deputetëve dhe mbetet aktori kryesor në procesin e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte deklaruar më herët se partia e tij nuk kishte arritur marrëveshje me subjektet e tjera politike për përbërjen e udhëheqjes së Kuvendit.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka konfirmuar pas mbledhjes së partisë se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në seancën e së mërkurës.

Hamza ka theksuar se konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm dhe se Kosova duhet t’i ketë institucionet funksionale sa më shpejt.

“Të gjitha veprimet që ne i ndërmarrim këto ditë ndërlidhen edhe me datën 16 shtator. Ne jemi të bindur se në këtë kohë Kosova ka nevojë që të ketë Kuvend të konstituuar”, ka deklaruar Hamza.

PDK-ja ka bërë të ditur gjithashtu se do të propozojë Vlora Çitakun për pozitën e nënkryetares së Kuvendit, duke insistuar se kandidatura e saj është dorëzuar brenda afatit të përcaktuar.

Edhe LDK-ja ka konfirmuar pjesëmarrjen në seancë. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, deputetja Jehona Lushtaku ka deklaruar se deputetët e LDK-së do të jenë të pranishëm dhe do të kontribuojnë në përfundimin e procesit.

“Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit”, ka thënë Lushtaku.

Ndryshe nga LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja, Aleanca ka vendosur të mos marrë pjesë në seancë.

Kryetari i saj, Ardian Gjini, ka deklaruar pas mbledhjes së kryesisë se shumica dërrmuese e deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë kanë mbështetur vendimin për bojkot.

Sipas Gjinit, pjesëmarrja në seancë do të nënkuptonte legjitimimin e asaj që ai e cilësoi si “shkelje të vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës” nga partia fituese e zgjedhjeve.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 7 qershor, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet më 8 korrik.

Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhej të konstituohej brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Afati përfundimtar ishte 7 gushti.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e kishte thirrur seancën e parë të legjislaturës së re më 6 gusht. Por pamundësia për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët bëri që procesi të mbetej i papërfunduar.

Seanca vazhdoi më 8 gusht nën drejtimin e Avni Deharit, por edhe atëherë nuk pati rezultat. Kurti kërkoi kohë për vazhdimin e negociatave me partitë e tjera, ndërsa seanca u ndërpre pa u caktuar një datë e re.

Pas disa javësh presioni politik dhe kërkesave të vazhdueshme nga partitë opozitare për rifillimin e procedurave, më 4 shtator Avni Dehari njoftoi se vazhdimi i seancës do të mbahej më 9 shtator.

Në sfondin e kësaj krize institucionale, më 31 gusht Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftuan marrëveshjen për një kandidat të përbashkët për president.

Bëhet fjalë për ish-diplomatin dhe ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu.

Megjithatë, marrëveshja nuk është mbështetur nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke e lënë të pasigurt edhe procesin e zgjedhjes së presidentit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat