“Skandaloze dhe e papranueshme”, Gërvalla godet Listën Serbe
Nga: A.M.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër ndaj propozimit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë si “skandaloz dhe të papranueshëm”.
Gërvalla ka theksuar se në Kosovë ekziston komuniteti serb dhe jo “populli serb”, ndërsa ka deklaruar se “populli serb” zgjedhjet i zhvillon në Serbi, duke iu referuar zgjedhjeve të 25 tetorit, përcjell “Bota sot”.
Reagimi i plotë
Propozimi i Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit është skandaloz dhe i papranueshëm.
Nuk ka popull serb në Kosovë, veç komunitet serb. Populli serb zgjedhjet i ka në Serbi, më 25 tetor.
Seanca në pushim 30 minutash para votimit për nënkryetarët
Kryetarja e Kuvendit Haxhiu urdhëroi 30 minuta pushim pas mospajtimeve rreth formës së votimit për nënkryetarët.
Ajo tha se partitë parlamentare kanë mospajtime sesi të votohet. Disa duan që të votohen të gjithë në pako, e disa jo.
Sa për t’jua kujtuar, herën e fundit të gjitha pesë nënkryetarët ishin votuan në pako, pas një marrëveshjeje paraprake mes partive.
Këta janë emrat e propozuar për nënkryetarë të Kuvendit
Pas zgjedhjes së kryetarës së Kuvendit, partitë politike propozuan emrat për nënkryetarë.
Lëvizja Vetëvendosje, propozoi Ardian Golën, PDK-ja propozoi Vlora Çitakun si dhe LDK-ja Kujtim Shala.
Ndërsa nga radhët e komunitetit serb u propozua Sllavko Simiq.
Kurse nga radhët e komunitetit joshumicë Emilija Rexhepin.
Tani radha për zgjedhjen e nënkryetarëve
Deputetët tani do të votojnë për t’i zgjedhur pesë nënkryetarët e Kuvendit.
LVV-ja e ka propozuar Ardian Golën, PDK-ja Vlora Çitakun, LDK-ja Kujtim Shalën, Lista Serbe Sllavko Simiqin, ndërsa komuniteti joserb e propozoi Emilia Rexhepin.
Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës
Deputetja, Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit e legjislaturës së njëmbëdhjetë me 62 vota për 102 deputetë sa ishin të pranishëm në sallë.
16 deputetë votuan kundër, 13 abstenuan.
Haxhiu cila ushtron edhe postin e presidentit nga 5 prilli, do të vazhdojë edhe më tutje këtë detyrë deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Albulena Haxhiu ishte edhe kryetare e legjislaturës së dhjetë e cila u shpërnda më 1 korrik 2026.
Nis vazhdimi i seancës konstituive
Ka nisur vazhdimi i seancës konstituive të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Në këtë seancë pritet të hidhen në votim zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, ndërsa partitë politike kanë paralajmëruar qëndrimet e tyre për procesin.
Duda Balje nuk ndryshon qëndrim, s'ka votë për president
Deputetja tjetër nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, ka deklaruar se nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket votës për presidentin.
Balje deklaroi se nuk ka pasur as takim e as marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.
"Do ta shohim se si do të zhvillohet sot. Për president është problem. Në këtë moment nuk e shoh se si do të dalim nga kjo krizë.
Unë deri më tani nuk kam pasur asnjë takim me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk kemi pasur asnjë marrëveshje dhe derisa është kështu, unë nuk e shoh të arsyeshme ta jap votën time... nuk e besoj se kanë nevojë për votën time", tha ajo para mediave.
Gashi i prerë: Në votim marr pjesë, nuk do të votoj
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi është deklaruar rreth pjesëmarrjes në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës si dhe në votim.
Shkurtimisht, Gashi tha në votim do të marrë pjesë, por nuk do të ketë votë pro.
“Në votim do të marrim pjesë, se a do të votojmë, nuk do të votojmë”, u shpreh Gashi.
A do ta dërgojë LDK-ja seancën konstituive në Kushtetuese? Flet Hoti
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti është deklaruar pak para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
I pyetur nëse seancën e sotme do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese dhe se a do të qëndrojnë në sallë, Hoti ishte i shkurtër në përgjigje,.
“Është një çështje që duhet ta vendosim në Grup Parlamentar”, u shpreh ai.
Pas pak pritet të nisë seanca.
Rexhepi: Së pari kryetari i Kuvendit, pastaj shohim për President e Qeveri
Para nisjes së seancës konstituive, është deklaruar edhe deputetja nga komuniteti boshnjak Emilja Rexhepi.
"Së pari për kryetar, pastaj shohim se qysh shkon situata për President dhe për Qeverinë e re", tha ajo.
Ajo nuk u deklarua nëse ka ndonjë marrëveshje me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.
Me fillim nga ora 11:00 është paraparë të nisë vazhdimi i seancës konstituive.