28 orë incizime “tronditëse” – Prokuroria kërkon 6 vjet burgim për Thaçin për tentim-pengim të drejtësisë

Aktuale

28 orë incizime “tronditëse” – Prokuroria kërkon 6 vjet burgim për Thaçin për tentim-pengim të drejtësisë

Më: 10 shtator 2026 Në ora: 07:09 Përditësuar në ora: 14:07 më 10.09.2026
Hashim Thaçi

Kaq vjet burgim kërkoi ZPS-ja për Kuçin, Fazliun, Kilajn dhe Smakajn

ZPS-ja ka kërkuar nga Gjykata Speciale që të shpallë fajtorë Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.

Në seancë, Prokuroria deklaroi se kërkesa për dënim bazohet në provat dhe faktet e paraqitura gjatë procesit, si dhe në peshën e veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që duhet të merren parasysh gjatë caktimit të dënimit.

“Dhe bazuar në të gjitha provat dhe faktet, Prokuroria i kërkon juve, i nderuar gjykatës, që të merrni një vendim që të përputhet me ligjin, provat dhe faktet. Pra, fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës, bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që merren parasysh për dënimin e zbatueshëm në këtë rast”, u tha në seancë.

Prokuroria kërkoi këto dënime. Për Kuçin 9 muaj burgim, Fazliun 3 vjet burgim, Kilajn 3 vjet burgim, Smakajn 3 vjet burgim dhe për ish-presidentin Thaçi, 6 vjet burgim.

Prokuroria kërkon 6 vjet burgim ndaj Thaçit për tentim-pengim të drejtësisë

Prokuroria e Specializuar ka kërkuar nga Gjykata Speciale që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të dënohet me gjashtë vjet burgim për veprat penale që lidhen me pengimin e drejtësisë.

Gjatë seancës në Hagë, Prokuroria tha se akuzat ndaj të pandehurve janë vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe se përpjekjet për të ndërhyrë në procesin gjyqësor përbëjnë kërcënim serioz për administrimin e drejtë dhe të pavarur të drejtësisë.

“Ajo që është më e rëndësishmja, akuzat e ZPS-së, akuzat që ZPS-ja i ka ngritur, dhe akuzat që ZPS-ja ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm këtu janë krimet”, u tha në seancë.

Prokuroria theksoi gjithashtu se përpjekjet për të penguar procesin gjyqësor para kësaj gjykate, veçanërisht duke marrë parasysh të kaluarën e frikësimit dhe ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve në Kosovë, paraqesin kërcënim për integritetin e proceseve gjyqësore.

“Bazuar në të gjitha provat dhe faktet, Prokuroria i kërkon gjykatës që të marrë një vendim që përputhet me ligjin, provat dhe faktet”, deklaroi përfaqësuesi i Prokurorisë.

Përveç Thaçit, Prokuroria kërkoi dënime edhe për të pandehurit e tjerë në këtë rast.

“Dhe bazuar në të gjitha provat dhe faktet, Prokuroria i kërkon juve i nderuar gjykatës që merrni një vendim që të përputhet me ligjin dhe provat dhe faktet. Pra fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërsëinë e faktorëve që merren parasysh për dënimin e zbatueshëm në këtë rast, Prokuroria iu kërkon i nderuar gjykatës që të jepni një vendim siç është e kërkuar, konkretisht për zotëri Kuçi 9 muaj burg, për zotëri Fazliun 3 vjet, për zotëri Kilaj 3 vjet burg, zotëri Smakaj 3 vjet burgim, dhe për zotëri Thaçin 6 vjet burg”, u tha në seancë.

Prokuroria publikon mesazhe dhe audioincizime nga biseda e Thaçit me Fazliun

Prokurori i Specializuar, Joshua Hafetz, ka vazhduar gjatë seancës në Hagë paraqitjen e provave në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Në kuadër të deklaratave përfundimtare, Hafetz ka vazhduar të publikojë mesazhe dhe incizime audio që lidhen me komunikimet dhe bisedat me Fadil Fazliun.

Hafetz ka deklaruar se dëshmia e Rrustem Mustafës në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në rastin për krime lufte, ishte në shënjestër të ndërhyrjeve nga ana e Thaçit.

“Mustafa dhe dëshmia e tij ishin në shënjestër të udhëzimeve të ndërhyrjes së Thaçit të cilat synoni në një pjesë të madhe të sigurohej që z. Mustafa të krijonte një distancë në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantëve të zonave që përputhej me narrative e Thaçit”, ka thënë ai.

Prokuroria po i paraqet këto materiale në mbështetje të pretendimeve të saj lidhur me komunikimet mes të akuzuarve dhe çështjen e ndikimit të mundshëm në dëshmitarë.

​Prokuroria: Thaçi i dha Fazliut udhëzime për dëshminë e Mustafës – “Shkurt: jo, po, po, jo”

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, Prokuroria ka paraqitur pjesë të bisedave mes Hashim Thaçit dhe Fadil Fazliut, përmes të cilave pretendon se Thaçi ka dhënë udhëzime konkrete për mënyrën se si duhej të dëshmonte Salih Mustafa.

Në njërën prej bisedave, Thaçi dëgjohet duke këmbëngulur që përgjigjet e Mustafës të jenë të shkurtra.

Thaçi për dëshminë e Mustafës: “Shkurt: jo, po, po, jo”

“Pse mos ia lë ashtu... ata planifikojnë ndryshe të marrin në pyetje. Ti duhet me dalë ashtu siç ke folur, mos e lë aty. Shkurt: jo, po, po, jo. Ne e përgatisim të keqen, ti përgjigjesh atyre gjërave. Jo, kaq. Pjesën që keni që i bëni e bëni ti. Po de qashtu. Ta çojnë një ashtu pastaj ti heq asnjë... e ka mirë këtë radhë thotë, po mundet me të rrëshqitë... Të lodhin. Të lodhin tha”, dëgjohet në bisedën Thaçi – Fazliu.

Prokurori i rastit Joshua Hafetz tha se kjo pjesë, sipas interpretimit të Prokurorisë, tregon se Thaçi nuk po i jepte thjesht këshilla Mustafës, por po udhëzonte për mënyrën se si duhej të përgjigjej gjatë dëshmisë.

Sipas tij, Thaçi përsëriste që përgjigjet të ishin të shkurtra dhe që dëshmitari të mos thoshte më shumë sesa ishte e nevojshme

Hafetz: Thaçi udhëzoi që Mustafa të përgjigjej shkurt dhe të shmangte “rrëshqitjen”

“Thaçi i ka bërë të qarta si kristal udhëzimet e veta. Ai i thotë Fazliut që të përdorë të birin që të organizojë një takim me Mustafën dhe t'i thotë Mustafës se çfarë duhet të bënte. Duke përfshirë si më poshtë: dëshmitë të ishin të shkurtra, të përgjigjej me 'po, jo', 'jo, po'. Të shkurtonte gjërat, mos liheshin gjërat me fund të hapur. Të përdoret seanca për përgatitjen e dëshmitarët për ta bërë punën dhe për të shmangur rrëshqitjen. Thaçi aty zbuloi faktin konfidencial të kohës që mendohej që të merrej në pyetje zoti Mustafa, për qëllimin konkret për të theksuar rëndësinë e Mustafës për t'u përgjigjur me përgjigje të shkurtra”, tha ai.

Në një pjesë tjetër të bisedës, Thaçi dëgjohet duke folur me Fazliun për mesazhin që duhej t’i përcillej Mustafës.

Biseda Thaçi – Fazliu për Mustafën: “Këto thuaji”

“Këto thuaji. Po, unë këta i thashë mbrëmë. Çështje takimesh, çështje kështu. Ata s'kanë pasur punë... s'më intereson tha hiq... Se s'kam ditur... s'kam ditur mendimin e tyre. Këtë e kam bërë unë vetëm. Çfarë ashtu...”, thanë ata në bisedë me njëri tjetrin.

Sipas Prokurorisë, në këtë pjesë Thaçi po i tregonte Fazliut se çfarë duhej t’i thoshte Mustafës, ndërsa Fazliu më pas do t’ia përcillte këto udhëzime.

Hafetz: Thaçi i tregoi Fazliut çfarë mesazhi duhej t’i përcillte Mustafës

“Përsëri, kjo nuk është kujtimi i kohëve të fundit, ose pajtim thjesht për hir të pajtimit. Por kemi të bëjmë me një situatë ku Thaçi i tregon Fazliut se kur të shkojë t'i japë mesazhin Mustafës, mesazhi është ky: shkëputesh, s'ka penale të përgjithshme, përfshirë këtë të Thaçit nga komandantët e zonave. Dhe të thotë që 'këta nuk më kanë thënë mua asgjë'. Dhe këtu mbyllet citimi. Më pas, Fazliu ka dhënë udhëzime dhe ka sqaruese për Mustafën për të thënë që 'unë i kam bërë të gjitha vetë'. Tani të vazhdojmë më tej me incizimin”, tha ai.

Në një tjetër pjesë, në video incizim paraqitet një pjesë ku Thaçi me Fazliun diskutojnë për mënyrën e organizimit të takimit me Mustafën.

Prokurori tha se më pas bëhet e qartë se Fazliu nuk duhej të kontaktonte drejtpërdrejt me Mustafën, por se për organizimin e takimit do të përdorej djali i tij.

Hafetz: Fazliu do të përdorte të birin për takimin me Mustafën

“Pasi i thotë asaj pjese, më vonë ata përsëri konfirmojnë që po flasim për dëshminë e Mustafës. Më pas konfirmojnë rëndësinë e Fazliut që të mos kontaktojë Mustafën në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por Fazliu do të përdorte të birin, Fariun, për të organizuar takimin. Thaçi u pajtua me këtë edhe tha 'jo nuk duhet të jesh ti'. Duke e theksuar dhe njëherë rëndësinë e një ndërmjetësi tjetër, një personi tjetër që do të organizonte takimin midis Fazliut dhe Mustafës. Thaçi më pas menjëherë dha udhëzimin e radhës për Mustafën. Udhëzim që kishte të bënte me seancën përgatitore të dëshmitarët dhe çfarë duhej të bënte Mustafa gjatë asaj séance”

Sipas Prokurorisë, bisedat e paraqitura në seancë tregojnë një koordinim të pretenduar lidhur me dëshminë e Mustafës.

Prokurori tha se në biseda Thaçi jepte udhëzime për përgjigjet e dëshmitarit, përgatitjen e tij dhe mënyrën se si duhej të shmangte, sipas Prokurorisë, deklaratat që mund të ishin të dëmshme për Thaçin.

28 orë incizime të Thaçit brenda qendrës së paraburgimit, Prokuroria pretendon se përmbajtja është tronditëse

Prokurori i Specializuar, Joshua Hafetz ka vazhduar paraqitjen e deklaratave përfundimtare në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke pretenduar se Thaçi u jepte udhëzime të bashkakuzuarve lidhur me dëshmitarët.

Sipas prokurorit, të bashkakuzuarit duhej të vepronin në përputhje me atë që kërkonte Thaçi.

“Duhet të tonin e të bënin atë që donte Thaçi. Të gjitha argumentet e mbrojtjes që nga fillimi e kanë shmangur këtë realitet të thjeshtë”, tha Hafetz.

Prokurori ka pretenduar se mbrojtja po përpiqet ta shpërqendrojë gjykatën nga faktet e paraqitura në këtë çështje.

“Me fjalë të tjera, ta shpërqendronin në mënyrë të vazhdueshme gjykatën. Mbrojtja do që kjo gjykatë ta fus kokën në rërë dhe të mos shohë atë që është para syve, por nuk mund t’i fshehësh faktet në këtë çështje gjyqësore”, u shpreh prokurori.

Kryeprokurorja me akuza ndaj Thaçit në Hagë: Formoi grupe për të ndikuar te dëshmitarët

Hafetz ka folur edhe për incizimet e realizuara brenda Qendrës së Paraburgimit në Hagë, ku Thaçi mbahet i ndaluar. Sipas Prokurorisë, këto materiale paraqesin prova për ndërhyrje të pretenduar në dëshmitarë.

“Veprimtaria penale është incizuar brenda qendrës së paraburgimit, ku Thaçi mbahet i ndaluar konkretisht sepse vendimet e vazhdueshme gjyqësore konstatuan se ai ishte i rrezikshëm për ndërhyrjen e dëshmitarëve dhe mund të pengonte procesin gjyqësor”, tha ai.

Prokurori Joshua Hafetz ka deklaruar se janë siguruar rreth 28 orë incizime të bisedave të Thaçit, të shpërndara në nëntë vizita të veçanta gjatë një periudhe katërmujore.

“28 orë incizime të z. Thaçi, të shpërndara në nëntë vizita të veçanta në periudhën katërmujore, përfshirë pesë vizita ku Thaçi ka folur me të bashkakuzuarit në këtë çështje gjyqësore”, u shpreh ai.

Sipas tij, përmbajtja e këtyre incizimeve është veçanërisht rënduese për Thaçin dhe bashkakuzuarit.

“Përmbajtja e incizimeve është tronditëse për Thaçin dhe bashkë të akuzuarit. Thaçi, vizitë pas vizite, ka folur me një zë normal për temat e përditshme dhe më pas e ulte zërin dhe pëshpëriste për të dhënë udhëzime konkrete se çfarë duhet t’u thonin vizitorët dëshmitarëve”, tha prokurori i ZPS-së.

Rasti për administrim të drejtësisë- kryeprokurorja me akuza ndaj Thaçit: Formoi grupe për të ndikuar te dëshmitarët

Prokurori Hafetz ka pretenduar se udhëzimet kanë qenë edhe më të drejtpërdrejta kur bëhej fjalë për dëshmitarë viktima, të cilët, sipas tij, e lidhnin Thaçin me sjellje të mëparshme.

“Sa u takon dëshmitarëve viktima, ku e lidhinin zotin Thaçi me një sjellje të mëparshme, udhëzimet ishin edhe më të thjeshta: dëshmitari duhet të fshijë çdo gjurmë të përfshirjes së z. Thaçi”, tha ai.

Prokuroria po i paraqet këto pretendime në kuadër të deklaratave përfundimtare në çështjen ndaj Thaçit dhe të bashkakuzuarve.

Prokuroria: Thaçi tentoi ta pengonte procesin gjyqësor duke ndikuar te dëshmitarët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur shpalosja e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit - të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.

Vetëm Thaçi është i pranishëm në gjykatore, ndërkaq të akuzuarit e tjerë janë duke e ndjekur seancën përmes video-lidhjes.

Prokuroria: Incizimet dhe dokumentet konfirmojnë përpjekjet për ndikim ndaj dëshmitarëve

Prokurorja e specializuar, Kimberly West, në fjalën përmbyllëse tha se Thaçi dhe të bashkëakuzuarit e tjerë për muaj të tërë tentuan të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve për rastin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Bashkë me bashkëpunëtorët e tij në këtë proces ai tentoi ta pengonte këtë proces duke ndërhyrë në dëshmitë e këtyre dëshmitarëve dhe u kap. U kap me shumë orë incizime dhe dokumente që konfirmojnë incizimet në fjalë”, tha ajo.

West i cilësoi të bashkakuzuarit e tjerë të Thaçit, si bashkëpunëtorë të tij, shokë të devotshëm, lojaistë, dhe ish-vartës, të cilët, sipas saj, Thaçi i udhëzoi “që të shënjestronin dëshmitarët, dëshmia e të cilët, sipas tij, ishin vendimtare për procesin për krime lufte”.

West pretendoi se udhëzimet ishin të ndryshme, nga kërkesa për ndryshimin e dëshmive, apo që Thaçi të vihej apo të mos vihej në ndonjë vend ku pretendohet se janë kryer krime.

Sipas saj, duke krijuar grupe të vogla, Thaçi udhëzoi të bashkëakuzuarit se si dëshmitë e dëshmitarëve t’i përshtateshin “narrativit të tij”.

Prokurorja tha se dëshmitë u printuan në qendrën e paraburgimit dhe u diskutuan gjatë vizitave po në këtë qendër.

Ajo po ashtu pretendoi se Thaçi kishte biseduar me të akuzuarit e tjerë edhe për hierarkinë e UÇK-së dhe si dëshmitarët, me dëshminë e tyre, siç tha ajo, të zbehnin rolin komandues të tij.

Mbrojtja dhe prokurorët do t'i kenë tri ditë kohë për t’i dhënë argumentet e tyre përmbyllëse në këtë rast që ndërlidhet me çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Prokuroria ka kërkuar tri orë për fjalën e saj përmbyllëse.

Dy ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të dalin para trupit gjykues për t’u përballur me aktgjykimin për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë. Për secilin nga ta, Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burgim. Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat.

Akuzat për pengim të drejtësisë

Thaçi, si dhe Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi, akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kishin ndikuar te dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Thaçi përballet me tri akuza për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen, secili, me nga një akuzë për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kuçi përballet dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Që të pestit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Gjykimi ndaj tyre filloi më 27 shkurt, ndërsa më 13 mars, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave.

Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm për krime lufte, a lirohet menjëherë?

Në Kosovë janë ngritur pyetje nëse ish-presidenti mund të kthehet menjëherë në vend, në rast se gjykata e liron nga akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Gjykatës Speciale, “kur një i akuzuar i paraburgosur shpallet i pafajshëm, ai lirohet menjëherë, përveçse kur mbahet në paraburgim në mënyrë të ligjshme, ose vuan një dënim për vepra penale të ndryshme nga ato në lidhje me të cilat është shpallur i pafajshëm”.

“Në rastin e zotit Thaçi, paraburgimi është urdhëruar nga trupi gjykues në procesin ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si dhe nga gjyqtari i vetëm në procesin e veçantë ndaj tij për pengim të drejtësisë. Prandaj, nëse zoti Thaçi shpallet i pafajshëm në procesin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, çështja nëse ai do të vazhdojë të mbahet në paraburgim do të vendoset nga gjyqtari i vetëm që po shqyrton rastin për pengim të drejtësisë”, kishte thënë në gusht për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle.

Gjykatësi i vetëm duhet të rishikojë çdo dy muaj nëse paraburgimi vazhdon të jetë i arsyeshëm.

“Ai mund ta shqyrtojë këtë çështje edhe me kërkesë të të akuzuarit, nëse ka pasur ndryshim të rrethanave”, shtoi Doyle.

Vendimin e fundit, të dhjetin me radhë për vazhdimin e paraburgimit, gjykatësi i vetëm e lëshoi më 31 korrik, duke vlerësuar se ende ekziston rreziku që Thaçi të pengojë procedurat ose të kryejë vepra të tjera penale.

Në të njëjtin vendim, gjykatësi caktoi edhe afatet për rishikimin e radhës të paraburgimit: Thaçi mund të paraqesë parashtresat e tij deri më 7 shtator. Nëse ai nuk e bën këtë, Prokuroria duhet të paraqesë qëndrimin e saj deri më 14 shtator, ndërsa Thaçi mund të përgjigjet deri më 21 shtator.

Thaçi ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u arrestua nën akuza për krime lufte.

Që atëherë, mbrojtjes së Thaçit i janë hedhur poshtë të gjitha parashtresat për lirim nga paraburgimi. Madje, atij nuk iu pranua as një dorëzani prej 50 mijë eurosh, së bashku me disa kushte që Thaçi u zotua t’u përmbahej, në këmbim të lirimit nga paraburgimi.

Akuzat për krime lufte

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.

Që të katërtit i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima.

Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.

Mbi 130 dëshmitarë dëshmuan, ndërsa u pranuam me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë në këtë gjyq gjatë tri vjetëve seanca.

Gjyqi ndaj tyre përfundoi në shkurt.

Gjykata Speciale është formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, pasi është parë si e njëanshme, duke qenë se në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Prej atëherë, nëpër Kosovë janë vendosur pankarte e pllakate të mëdha me mesazhin “Liria ka emër” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.

Gjithashtu ka pasur protesta kundër këtij procesi në Hagë, në Prishtinë dhe në qytete të tjera.

Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë” në Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt këtë vit në Prishtinë, në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Sot deklaratat përfundimtare në çështjen Thaçi dhe të tjerve, në lidhje me akuzat për administrim të drejtësisë

Në Gjykatë Speciale gjatë ditës së sotme do të mbahen deklaratat përfundimtare në çështjen Thaçi dhe të tjerve, në lidhje me akuzat për administrim të drejtësisë

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Gjykatësi i Vetëm ka vendosur që deklaratat përmbyllëse në çështjen “Prokurorja e Specializuar kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit” të jepen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026, duke filluar nga ora 09:30

Caktimi i deklaratave përmbyllëse shënon përfundimin e paraqitjes së argumenteve të palëve në këtë proces gjyqësor, para se Gjykatësi i Vetëm të marrë vendimin për rastin.

Sipas dosjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, veprat penale të paraqitura në aktakuza kanë lidhje me proceset zyrtare të Dhomave të Specializuara, përfshirë këtu hetimet e Zyrës së prokurorit të specializuar.

Aktakuza thotë se së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, Thaçi zbuloi informacion të fshehtë që i ishte bërë i njohur në gjykimin e tij, dhe së bashku me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn e Hajredin Kuçin, bashkërenduan për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat