Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësim lidhur me kërkesat e fundit të Prokurorisë së Specializuar për dënimin e Hashim Thaçit, Hajredin Kuçit, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Bashkim Smakajt, në rastin që lidhet me pretendimet për pengim të drejtësisë.
OVL UÇK, përmes një reagimi, i ka cilësuar këto kërkesa si jo të befasishme, duke akuzuar Prokurorinë e Specializuar për qasje të njëanshme ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Sipas OVL UÇK-së, akuzat janë ngritur mbi materiale që ajo i konsideron të kontestueshme, përfshirë edhe materiale të ardhura nga Serbia.
“Është e vështirë të mos shtrohet pyetja nëse, përballë dështimeve të saj në proceset e zhvilluara në Hagë, ZPS-ja sot po përpiqet ta arsyetojë punën e vet përmes një qasjeje edhe më ndëshkuese në rastin e pengimit të drejtësisë”, thuhet në reagim.
OVL UÇK ka kritikuar gjithashtu Prokurorinë për, siç thotë, mosreflektim mbi dobësitë dhe kontradiktat e provave të paraqitura në proceset e saj, duke vlerësuar se kërkesat për dënime të rënda me burgim nuk e forcojnë besimin në drejtësi.
Organizata ka thënë se ekziston shqetësimi se ZPS-ja ka ndërtuar një “narrativë të paracaktuar” ndaj UÇK-së dhe njerëzve që i shërbyen asaj.
“OVL UÇK nuk pret lajme të mira nga një Prokurori e tillë, megjithatë, ne presim drejtësi nga gjykatësit”, thuhet më tej.
Në fund, OVL UÇK ka kërkuar që vendimi të mbështetet në ligj dhe në standardet më të larta të drejtësisë, e jo në atë që i cilëson si narrativa të Prokurorisë.
“Lufta e UÇK-së nuk mund të kriminalizohet përmes proceseve të njëanshme dhe drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi paragjykime politike”, përfundon reagimi.