Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka ftuar deputetët e PDK-së që të marrin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit.
Në vazhdimin e seancës konstituive, Haxhiu tha se ka bërë përpjekje për t’u takuar me përfaqësuesit e PDK-së për të gjetur një zgjidhje për çështjen e nënkryetarit, mirëpo të njëjtit kanë refuzuar.
E propozuara e PDK-së për nënkryetare, Vlora Çitaku, gjatë ditës nuk mori mbështetjen e nevojshme për të marrë këtë post në legjislativ.
Haxhiu: Ftoj deputetët e PDK-së të marrin pjesë në seancën konstituive
“Po e shoh që grupi parlamentar i PDK-së nuk është këtu. Duke qenë se kemi mbetur te radha e tyre, i ftoj të jenë në këtë vazhdim të seancës konstituive. Po i presim ata të vijnë në sallë.... Unë ia afrova të drejtën sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që të propozojnë ndonjë kandidat tjetër ose kandidaten e njëjtë. Megjithatë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ishte këtu dhe nuk bëri propozim. Prej kohës kur i ndërpreva punimet e seancës konstituive, unë kisha një përpjekje që të takohem me përfaqësuesit e PDK-së, por nuk ishte e mundshme. Referuar qëndrimeve të tyre thanë që nuk do të vijnë në seancë, por do t’i referohen Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.
Haxhiu tha se PDK po refuzon të drejtën e saj, derisa vazhdoi seancën konstituive duke kërkuar zgjedhjen e nënkryetarit nga LDK.
Haxhiu: PDK refuzon të ushtrojë të drejtën kushtetuese për të propozuar nënkryetar të Kuvendit
“Konsideroj se PDK refuzon të ushtrojë të drejtën kushtetuese për të propozuar nënkryetar të Kuvendit, andaj vazhdoj tek grupi parlamentar LDK”, tha ajo.
Krahas deputetëve të PDK-së në sallën plenare nuk janë as deputetët e Aleancës.