Në nderim dhe kujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës është ndriçuar sonte me flamurin e SHBA-së.
Në fasadën e ndërtesës është shfaqur edhe mesazhi “We Will Never Forget 9/11”, në shenjë kujtimi për viktimat e kësaj tragjedie.
Me këtë gjest, institucionet e Kosovës kanë shprehur solidaritetin dhe respektin për viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit, një ditë që kujtohet çdo vit në SHBA dhe në mbarë botën.
Ndryshe, më 11 shtator 2001, Shtetet e Bashkuara u goditën nga një seri sulmesh terroriste të koordinuara, që ndryshuan përgjithmonë historinë moderne. Katër avionë pasagjerësh u rrëmbyen nga terroristët e Al-Kaedës; dy prej tyre u përplasën me Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, ndërsa një tjetër goditi Pentagonin.
Avioni i katërt, United Airlines Flight 93, u rrëzua në Pensilvani pasi pasagjerët dhe ekuipazhi tentuan të rimerrnin kontrollin e tij. Në sulme humbën jetën rreth 3,000 njerëz dhe mijëra të tjerë u plagosën. 11 Shtatori shënoi një pikë kthese për sigurinë ndërkombëtare dhe politikën e jashtme amerikane, duke u pasuar nga lufta në Afganistan dhe një fushatë globale kundër terrorizmit.