Publicisti Adriatik Riza Dosti ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit përfundimtar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Dosti e ka cilësuar vendimin si të rëndë, duke theksuar se, sipas tij, përgjegjësia për krimet duhet të ndahet nga karakteri dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në reagimin e tij, Dosti ka rikujtuar deklaratën e gjyqtarit Charles L. Smith se akuzat dhe dënimet lidhen me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve dhe jo me legjitimitetin apo veprimtarinë e UÇK-së. Ai ka shprehur gjithashtu qëndrimin e tij se Thaçi dhe Veseli janë fajtorë, por se nuk kishte pritur dënime kaq të larta, ndërsa për Krasniqin dhe Selimin kishte pritur pafajësi, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Haga shpall vendimin final: 81 vite burg për Thaçin (25 vjet), Veselin (18), Krasniqin (25) dhe Selimin (13).
Dënime të rënda, fort.
“Akuzat dhe dënimet nuk kanë të bëjnë me legjitimitetin e UÇK-së e as me veprimtarinë e saj, por qartësisht me përgjegjësinë personale të secilit nga të akuzuarit”, tha gjyqtari që lexoi vendimin, Charles L. Smith.
Dënuan veten... sepse, duke shpresuar e besuar se të tjerë do të binin në gropën-kurth që ata hapën, votuan e aprovuan (Gjykatën Speciale), ranë vetë të parët brenda në të.
Askush nuk e bën dot pis UÇK-në e luftën e saj për Lirinë e Kosovës dhe askush të mos mendojë të mbrohet e të fshihet pas gjakut të saj.
Ata që kanë kryer krime, si gjatë luftës, veçmas në kohë paqeje, duhet të dënohen.
Por Haga të ketë një gjë parasysh: janë totalisht tjetër gjë ata që luftojnë për lirinë e vendit e të popullit të tyre, siç ishin shqiptarët e Kosovës me këtë rast...
...Dhe komplet tjetër gjë ata pushtues e dhunues, grabitës, plaçkitës, kriminelë, përdhunues e sadistë që i vunë flakën Kosovës dhe e shpërngulën e përzunë popullin e saj prej trojeve të veta... dhe këta ishin serbët.
Drejtësi për të gjithë dhe kurrë JO barazi mes kriminelit e viktimës.
Haga e dha sot vendimin e saj... Pritën natyrshëm reagimet, si në Kosovë, po ashtu edhe ato ndërkombëtare.
Personalisht kam besuar fort se Thaçi e Veseli janë fajtorë, por jo deri në këtë shkallë sa të merrnin dënime kaq të rënda.
Për Krasniqin e Selimin kam pritur pafajësi.
Megjithatë, përsëris publikisht dhe jam dakord me atë që tha edhe gjatë shpalljes së vendimit gjyqtari Charles L. Smith: UÇK-ja është tjetër gjë, e personat përgjegjës për krime janë tjetër gjë.
Ndaj, popull i Kosovës, përmbahu... dhe arsyeto me logjikë të ftohtë. Haga nuk u çmend... të çmendur janë ata... fajtorët, apo, siç më pëlqen mua t’i quaj... vetë-dënuesit.
Kurioz të di e të dëgjoj tani se ç’do të thotë Rama, një nga personat kyç që i bindi Hashimin e Veselin me shokë për të votuar Gjykatën Speciale...
Ç’do të thotë Baton Haxhiu, që i futi në këtë kurth duke luajtur perfekt lojën e Beogradit...
Si dhe jam kurioz gjithashtu të di e të dëgjoj se ç’do t’u thonë Albin Kurtit tani... kundërshtuesit më të fuqishëm të krijimit të kësaj lloj Gjykate... Hamzat e PDK-së së tij, Ramushet e Gjinet, Isat e Dullat, Gashet e Lushtakët etj., etj.
Haga foli sot... Prishtina, me mend në kokë, duhet të flasë, siç është për të folur, nga sot e mbrapa.