LIVE: Pasi goditën objektin e EULEX-it me mjete piroteknike dhe qëlluan me gurë objektin e Qeverisë, qetësohet situata

Aktuale

LIVE: Pasi goditën objektin e EULEX-it me mjete piroteknike dhe qëlluan me gurë objektin e Qeverisë, qetësohet situata

Më: 16 shtator 2026 Në ora: 13:10 Përditësuar në ora: 23:22 më 16.09.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Qytetarët në shesh: Do të protestojmë e nuk do të heshtim për UÇK-në

Çlirim Haziri, djali i dëshmorit Xhavit Haziri, u ka bërë thirrje qytetarëve që kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit të sotëm në Hagë ta shprehin me vendosmëri, por me dinjitet dhe pa sulmuar Policinë apo institucionet e Kosovës.

Duke iu drejtuar qytetarëve të mbledhur në Prishtinë, Haziri tha se protestat do të vazhdojnë dhe se qytetarët nuk do të heshtin përballë një vendimi që ai e konsideron të padrejtë, por theksoi se kundërshtimi nuk duhet të drejtohet kundër institucioneve të vendit.

“Do të qëndrojmë këtu, do të protestojmë dhe nuk do të heshtim. Por nuk do ta sulmojmë Policinë e Kosovës dhe nuk do t’i sulmojmë institucionet tona”, ka thënë Haziri.

Ai u ka bërë thirrje protestuesve që të mos mbajnë maska dhe të mos e fshehin identitetin gjatë protestës.

“Hiqini maskat. UÇK-ja ka qenë pa maska. Edhe ne jemi pa maska. Ne nuk fshihemi. Ne protestojmë hapur dhe me dinjitet”, ka deklaruar Haziri.

Sipas tij, qytetarët mund ta mbrojnë publikisht atë që e konsiderojnë të vërtetën e luftës së UÇK-së pa cenuar rendin dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Haziri ka kërkuar që qytetarët të tregojnë përmbajtje ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke theksuar se kundërshtimi i tyre është ndaj aktgjykimit dhe jo ndaj institucioneve të vendit.

“Këto janë institucionet tona. Janë institucionet e Kosovës, të krijuara me shumë sakrificë dhe me gjakun e dëshmorëve. Ne jemi këtu për ta mbrojtur UÇK-në, jo për ta dëmtuar Kosovën”, është mesazhi që Haziri u ka përcjellë qytetarëve.

Ai ka paralajmëruar se protestat dhe aktivitetet qytetare do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke kërkuar që ato të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe dinjitoze.

“Nuk do të heshtim dhe nuk do të dorëzohemi, por do të protestojmë siç i ka hije një populli që e di çfarë ka sakrifikuar për lirinë e vet”, ka thënë Haziri.

Protestuesit vazhdojnë qëndrimin para Qeverisë

Protesta para Qeverisë së Kosovës po vazhdon edhe në këto momente.

Ndërsa situata para objektit qeveritar paraqitet e qetë.

Protestuesit po qëndrojnë në shesh dhe në vazhdimësi po dëgjohen thirrjet “UÇK, UÇK”.

Në mesin e qytetarëve protestues vazhdojnë të jenë edhe ish-komandanti i UÇK-së, Nasim Haradinaj, si dhe deputetja Ganimete Musliu.

 

Qytetarët në protestë kundër vendimit të Speciales: Kërkojnë vazhdimin e tyre paqësisht dhe reagim institucional

Qytetarë të mbledhur në protestën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Disa prej protestuesve e kanë konsideruar vendimin të padrejtë, ndërsa kanë bërë thirrje që protestat të vazhdojnë në mënyrë paqësore.

Nazif Fllanza e ka cilësuar protestën si të zbehtë, duke thënë se vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është ndër më të këqijtë.

Fllanza: Apeloj për grevë popullore, por në mënyrë paqësore

“Protestë e zbehtë. Një vendim i vështirë, më i keqi. Dashtë Zoti, një vendim jo i vlefshëm. Janë dënuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë dhënë gjithçka për Kosovën. Është bërë një krim ndaj UÇK-së…. Hashim Thaçi dhe shokët e tij u dënuan me 25 vjet burg, që e kanë mbrojtur shtetin dhe kisha bërë apel te popullata të organizojë një grevë popullore në mënyrë paqësore…. Mendoj që protesta të jetë sa më paqësore dhe populli të vetëdijesohet dhe të vendoset në një grevë masive”, tha ai.

Ndërsa, qytetari Arton Klona nga Drenasi ka thënë se protestat duhet të vazhdojnë deri në marrjen e ndonjë mase lidhur me ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.

Klona: Nuk do të ndalemi derisa të merret diçka për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

“Sot gjithë natën, deri të merret diçka ndaj tyre. Të merret edhe Parlamenti, të dalë para nesh dhe të na japë të drejtat tona të protestojmë deri në lirimin e ushtarëve të UÇK-së, sepse u është bërë e padrejtë ndaj tyre. Masa do të kemi, veç po i presim edhe disa udhëheqës të UÇK-së, se na kanë thënë se do të presim, do të mobilizohemi së bashku dhe të shohim se si do të vazhdojmë këto ditë e tutje. Nuk besoj se do të ndalemi deri të merret diçka ndaj UÇK-së, ndaj atyre që gjenden në Hagë”, tha ai.

Ndërsa Avni Ulluri ka kritikuar numrin e vogël të pjesëmarrësve në protestë, duke thënë se ajo është simbolike.

Ulluri: Nuk përkrahim masa radikale, reagimet duhet të jenë paqësore

“Protesta është simbolike, me 200 vetë kurgjo s’bën Kosova me 200 vetë. Shteti është dënuar, jo udhëheqësit, por shteti. Edhe këtu kanë me ardhë, qysh kanë nisë kanë me ardhë në Kosovë. Ta shohim tash. Unë kam ardhur prej Gjermanie. Me kanë vazhdu pak, përkrahje shumë pak është”, tha ai.

Ulluri ka bërë të ditur se nuk mbështet masa radikale, duke theksuar se reagimet duhet të jenë paqësore.

Policia e Kosovës lejoi dy protestues që të vendosin flamurin kombëtar në hyrje të Qeverisë

Policia e Kosovës ka lejuar dy protestues të hyjnë në oborrin e Qeverisë së Kosovës, për të vendosur flamurin kombëtar në hyrje të këtij institucioni.

Ngjarja ka ndodhur gjatë protestës së qytetarëve, e cila prej orësh po mbahet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, pas aktgjykimit dënues ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Dy protestuesit, pasi kanë hyrë në oborrin e Qeverisë me lejen e Policisë, kanë vendosur flamurin kombëtar në hyrje të objektit.

Protesta gjatë ditës është shoqëruar edhe me tensione. Disa protestues kanë hedhur gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke shkaktuar thyerjen e disa xhamave.

Protesta para Qeverisë, disa deputetë i bashkohen thirrjes për seancë të jashtëzakonshme

Protestuesit që po qëndrojnë para Qeverisë së Kosovë kanë marrë mbështetjen e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me ftesën që t’i bashkohen protestës dhe të mbajnë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj kishte një kërkesë për deputetët.

Haradinaj: Të mbahet seanca e Kuvendit, të tregojnë orientimi i këtij populli

“Ti ndihmojmë kësaj mase, të dalim me një mesazh për sonte që deputetët të mbledhjen në parlament, qoftë në një mbledhje të jashtëzakonshme që të dalim me një kërkesë sonte ose nesër se cili është orientimi i këtij populli që keni premtuar që do të na përfaqësoni”, tha ai.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu mbështeti ftesën e Haradinajt.

Musliu: I bashkohem ftesës tënde, deputetët të dalin në protestë dhe Kuvend

“Edhe unë i bashkohem ftesës tënde, të gjithë i ftoj pa dallim partitë, të gjithë deputetë e Kuvendit të Republikës së Kosovës me qen sot këtu me juve dhe atje brenda në Kuvend”, tha ajo.

Protestës iu ka bashkuar edhe Time Kadrijaj, Ablana Bytyqi e Aleancës, Sala Jashari nga PDK, bashkëshortja e ish-komandantin Abedin Rexha dhe ish-deputetja e PDK-së, Safete Haderxhonaj.

Protestuesit vazhdojnë qëndrimin para Qeverisë

Protesta para Qeverisë së Kosovës po vazhdon edhe në këto momente, ndërsa situata para objektit qeveritar paraqitet e qetë.

Protestuesit po qëndrojnë në shesh dhe në vazhdimësi po dëgjohen thirrjet “UÇK, UÇK”.

Në mesin e qytetarëve protestues vazhdojnë të jenë edhe ish-komandanti i UÇK-së, Nasim Haradinaj, si dhe deputetja Ganimete Musliu.

Nasim Haradinaj bën thirrje për qetësi: Asgjë nuk kemi me policinë tonë

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka bërë thirrje për qetësi dhe unitet pas tensioneve të krijuara pranë objektit të Qeverisë së Kosovës.

Pas eskalimit të situatës, Haradinaj ka tentuar t’i qetësojë qytetarët, duke theksuar se nuk duhet të ketë përplasje me Policinë e Kosovës.

“Asgjë nuk kemi me policinë tonë. Ne duhet të thërrasim për unitet”, deklaroi Haradinaj.

Thirrja e tij vjen në një kohë kur situata pranë objektit të Qeverisë së Kosovës është tensionuar, ndërsa ai ka kërkuar që qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të shmangin përplasjet me policinë.

Disa protestues përleshen mes vete

Disa protestues janë përfshirë në një përleshje mes vete, teksa janë duke vazhduar të qëndrojnë para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Paraprakisht, disa prej protestuesve tentuan të thyenin kordonin policor.

Gjithashtu, kanë hedhur edhe gurë në drejtim të objektit, duke thyer xhamat.

Mirëpo, më pas gjithçka mes protestuesve është qetësuar.

Protestuesit gjuajnë me gurë objektin e Qeverisë

Protestueit kanë gjuajtur me gurë objektin e Qeverisë së Kosovës duke thyer xhamat e saj.

Ndërkaq, disa nga protestuesit që janë në rreshtin e parë të turmës janë me maska në fytyrë.

Po ashtu ata janë duke brohoritur "UÇK, UÇK".

Protestë e ngjashme u mbajt paraprakisht para selisë së EULEX-it, në zonën industriale, kur u hodhën gurë në drejtim të ndërtesës së Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit.

Protestat vijnë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë i dënuan katër ish-krerët e UÇK-së për krime lufte, me dënime që shkojnë nga 13 deri në 25 vjet burgim

Protesta zhvendoset në shesh/ Turma të mëdha kundër aktgjykimit të Hagës

Pas tubimit pranë objektit të EULEX-it, protestuesit janë orientuar drejt sheshit, ku është kërkuar vazhdimi i protestës.

Në mesin e turmës është bërë thirrje që protestuesit të largohen nga hapësira pranë objektit të EULEX-it dhe të vazhdojnë tubimin në shesh. Zhvendosja është bërë në koordinim me Policinë e Kosovës.

Protesta është zhvilluar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Numër i madh qytetarësh janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat