Përfundon protesta në Prishtinë kundër vendimit për ish-krerët e UÇK-së
Ka përfunduar protesta e mbajtur sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e organizuar kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta nisi rreth orës 21:00 me moton “Jo në emrin tim”, ndërsa në të morën pjesë një numër i madh qytetarësh.
Programi u hap me “Betimin e Ushtarit”, të cilin e bëri veterani i UÇK-së, Bekim Juniku. Ai më pas ndau me të pranishmit edhe dëshminë e tij personale.
Në mesin e të pranishmëve ishin organizatori i protestës, Çlirim Haziri, gazetarja nga Shqipëria, Denada Kola, si dhe aktori Kushtrim Sheremeti.
Gjatë protestës u shfaq edhe videoja “Rrëfimi i ushtarit”, ndërsa Luan Jahiri interpretoi një pjesë kushtuar Epopesë së Jezercit dhe një këngë ushtarake.
Protesta u përmbyll me aksionin simbolik “Një minutë heshtje për drejtësinë”.
Pas përfundimit të programit, protestuesit u shpërndanë nga sheshi “Skënderbeu”, duke shënuar kështu përfundimin e protestës së sotme.
13 net, i njëjti zë: Sheshi mbushet në mbështetje të çlirimtarëve
Për të 13-tën natë me radhë, qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë, duke u bërë bashkë me një kërkesë dhe një zë: mbështetje të palëkundur për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në pamjet e siguruara, shihet grumbullimi i qytetarëve, familjarëve të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës, të cilët vazhdojnë të shprehin revoltën e tyre ndaj vendimeve të Dhomave të Specializuara në Hagë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në po të njëjtat pamje, shihet edhe i biri i Kadri Veselit, Klestori i cili është prezent edhe sonte në protestë.
Tubimet kanë përcjellë vazhdimisht thirrje drejtuar institucioneve vendore për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se qetësia e deritanishme e protestave nuk duhet të neglizhohet, pasi mobilizimi pritet të zgjerohet në të gjithë vendin.
Protesta e 13-të në Prishtinë, qytetarët nisin grumbullimin
Në sheshin e kryeqytetit kanë nisur të mblidhen qytetarët për protestën e natës së 13-të, me grumbullimin që ka filluar para orës 21:00.
Sipas organizatorëve, kërkesa kryesore e këtyre tubimeve është ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili vite më parë u miratua nga Kuvendi i Kosovës.
Gjatë netëve paraprake, përmes fjalimeve nga pjesëmarrësit dhe familjarët e dëshmorëve, u janë drejtuar mesazhe të qarta institucioneve vendore.
Përveç tubimeve të përditshme të mbrëmjes, organizatorët kanë paralajmëruar një protestë gjithëpopullore më 1 tetor.