Përfundon takimi Kurti-Hamza

Aktuale

Përfundon takimi Kurti-Hamza

Më: 2 tetor 2026 Në ora: 16:42 Përditësuar në ora: 19:00 më 02.10.2026
Bedri Hamza

Hamza: Për PDK-në nevojë aprovimi i ligjit të gjykatës dhe pastaj diskutojmë për presidentin

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha pas takimit me kryeministrin Albin Kurti se aktualisht nuk ka marrëveshje, ndërsa la të hapur mundësinë që takimet ndërmjet palëve të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme.

Hamza: Kur të kemi marrëveshje tregoj, e mundshme që të kemi takime edhe në ditët në vijim

“Kur të kemi marrëveshje, tregoj. Është e mundshme që të kemi takime edhe në ditët në vijim”, tha Hamza.

Hamza tha se në takimin me Kurtin u diskutua për procesin që po zhvillohet në Hagë, aktgjykimin e Dhomave të Specializuara dhe nevojën për miratimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Speciale.

Hamza: Për PDK-në nevojë aprovimi i ligjit të gjykatës dhe pastaj diskutojmë për presidentin

“Takimi ka të bëjë me procesin që është duke u zhvilluar në Hagë, me aktgjykimin e gjykatës, me nevojën që ligji i gjykatës të aprovohet në Kuvendin e Republikës, dhe tema e zgjedhjes së presidentit. Për PDK-në e dini që është nevojë aprovimi i ligjit dhe pastaj ne jemi të hapur që të diskutojmë për presidentin dhe që vendit me i dhënë president”, tha Hamza.

Hamza: Takimi me Kurtin përfundoi pa marrëveshje

Ka përfunduar takimi i kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se takimi me kryeministrin Albin Kurti ka përfunduar pa marrëveshje.

Hamza ka deklaruar se, megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që palët të takohen sërish në ditët e ardhshme. 

“Nuk ka marrëveshje, por nuk e përjashtoj mundësinë për takime në ditët e ardhshme.

Prioritet është ndryshimet për Ligjin për Specialen. Aprovimi i ligjit, pastaj diskutojmë për presidentin”, ka thënë Hamza pas takimit me Kurtin.

​Nis takimi Kurti-Hamza, a do të ketë dakordim për presidentin dhe Ligjin për Specialen

Filloi takimi i kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, në të cilin çështje të pashmangshme diskutimi do të jenë çështja e presidentit dhe procedimi i ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.

Hamza është parë i shoqëruar nga deputeti Rrahman Rama teksa hynte në objektin e Qeverisë.

PDK-ja i ka vënë kusht bisedimet për presidentin me procedimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen.

Qeveria ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave po pret opinion ligjor nga Ministria e Drejtësisë rreth ndryshimeve të propozuara.

Me anë të ndryshimeve ligjore, PDK synon që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj, ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër drejtuesit e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.

Kuvendi ka afat deri më 6 tetor ta zgjedhë presidentin e ri ose shpallen zgjedhje të reja.

Hamza arrin në Qeveri, pritet të takohet me Kurtin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i shoqëruar nga deputeti Rrahman Rama, ka arritur në ndërtesën e Qeverisë, ku pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

Burime jozyrtare bëjnë të ditur se në takim pritet të diskutohen ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhja e presidentit të ri të vendit.

Takimi vjen pasi kryeministri Kurti ka deklaruar gjatë ditës se kanë filluar komunikimet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.

“Kemi filluar komunikimet dhe, natyrisht, kjo fundjavë është vendimtare për të pasur një marrëveshje, që javën e ardhshme të kemi presidentin”, ka thënë Kurti.

​Pritet takimi Kurti-Hamza, çështje diskutimi presidenti dhe Ligji për Specialen

Pritet pas pak të zhvillohet takimi i kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.

Sipas raportimeve, çështje të pashmangshme diskutimi do të jenë çështja e presidentit dhe procedimi i ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.

PDK-ja i ka vënë kusht bisedimet për presidentin me procedimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen.

Qeveria ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave po pret opinion ligjor nga Ministria e Drejtësisë rreth ndryshimeve të propozuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat