Komandanti i FSK-së nderon me medalje ekipin fitues të Medaljes së Artë në “Cambrian Patrol 2026”

Aktuale

Komandanti i FSK-së nderon me medalje ekipin fitues të Medaljes së Artë në “Cambrian Patrol 2026”

Nga: A.M. Më: 9 tetor 2026 Në ora: 10:49
Ekipi i FSK-së, fitues i Medaljes së Artë në “Cambrian Patrol 2026”

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim pjesëtarët e ekipit që përfaqësoi Kosovën në garën prestigjioze ndërkombëtare ushtarake “Cambrian Patrol 2026”, ku ekipi i FSK-së u vlerësua me Medaljen e Artë.

Gjatë takimit, Gjenerallejtënant Jashari përgëzoi pjesëtarët për suksesin e arritur, duke vlerësuar angazhimin, disiplinën, profesionalizmin dhe qëndrueshmërinë e treguar përgjatë garës. Ai theksoi se ky rezultat është dëshmi e përgatitjes së vazhdueshme, bashkëpunimit ndërmjet pjesëtarëve dhe përkushtimit për përmbushjen e standardeve të larta ushtarake.

Në shenjë mirënjohjeje për këtë arritje, Komandanti i FSK-së ndau medalje për pjesëtarët e ekipit, duke çmuar kontributin e tyre në përfaqësimin e denjë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Republikës së Kosovës në një garë me pjesëmarrje ndërkombëtare.

Suksesi në “Cambrian Patrol 2026” dëshmon nivelin e përgatitjes fizike dhe mendore, aftësitë profesionale dhe gatishmërinë e pjesëtarëve të FSK-së për t’u përballur me sfida të ndryshme në kushte kërkuese. Njëkohësisht, kjo arritje pasqyron përparimin e vazhdueshëm të Forcës në zhvillimin e kapaciteteve dhe ngritjen e standardeve të saj operacionale.

Fitimi i Medaljes së Artë përbën një moment të rëndësishëm për FSK-në dhe një kontribut në forcimin e reputacionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përfaqësimi i suksesshëm përkrah forcave ushtarake partnere dhe aleate dëshmon përkushtimin e pjesëtarëve të FSK-së për të avancuar aftësitë e tyre dhe për të përmbushur me profesionalizëm misionin dhe detyrat që u besohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat