Kryeministri Albin Kurti e cilësoi gjeneratën e re si më të madhen deri më tani, duke theksuar se Qeveria synon ta forcojë ushtrinë përmes investimeve në armatim, pajisje moderne dhe kapacitete vendore të mbrojtjes.
515 ushtarë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë betuar në ceremoninë e mbajtur në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në prani të krerëve institucionalë, përfaqësuesve të institucioneve të sigurisë, partnerëve ndërkombëtarë dhe familjarëve të tyre.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e vlerësoi këtë gjeneratë si më të madhen që ka pasur ndonjëherë FSK-ja, duke theksuar se 515 qytetarë kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e lirisë dhe sigurisë së vendit.
“515 ushtarë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, njëherit gjenerata më e madhe që kemi pasur ndonjëherë; 515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut; 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit; 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes”, tha Kurti.

Duke folur për rëndësinë e shërbimit ushtarak, kryeministri theksoi se liria e Kosovës është rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave të shumë brezave, duke përmendur veçanërisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmorët e martirët e kombit.
“UÇK-ja ishte dhe mbetet simbol i vendosmërisë së popullit tonë për të mos u nënshtruar, për të mos u pajtuar me robërinë. Flijimi i dëshmorëve e martirëve të kombit na obligon që ta ruajmë të vërtetën historike, ta nderojmë luftën e drejtë çlirimtare dhe të krenohemi me të kudo që jemi e ngado që shkojmë”, u shpreh ai.
Kurti tha se ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit dhe se forcimi i saj mbetet prioritet i Qeverisë. Ai bëri të ditur se gjatë mandatit të kaluar buxheti i ushtrisë është trefishuar, ndërsa për mandatin aktual zotimi është investimi i mbi një miliard eurove në mbrojtje.
“Kemi realizuar blerje të armatimit me vlerë mbi 430 milionë euro. Mbështetjen ajrore e kemi me dronat Bayraktar dhe SkyDagger, ndërsa nga toka kemi mbi 40 lloje të armatimit të rëndë e të lehtë, modern e sipas standardeve të NATO-s”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se deri më tani janë rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj dhe se, me gjeneratat e ardhshme, synohet të arrihen më herët kapacitetet ushtarake të planifikuara për vitin 2028.
Sipas kryeministrit, Kosova po avancon edhe në industrinë e mbrojtjes. Ai njoftoi se deri në fund të vitit pritet të nisë prodhimi i municionit në fabrikën që po ndërtohet në Gjakovë, ndërsa Qeveria po mbështet edhe sektorin privat që synon të prodhojë produkte ushtarake.
Duke folur për rolin e FSK-së në arenën ndërkombëtare, Kurti përmendi pjesëmarrjen e saj në ushtrimet “Defender 21”, “Defender 23” dhe “Defender 25”, si dhe kontributin në misionet ndërkombëtare për paqe dhe siguri.
Ai theksoi se krahas investimeve në armatim dhe teknologji, rëndësi të veçantë kanë edhe përgatitja profesionale, edukimi dhe mirëqenia e pjesëtarëve të ushtrisë.

“Ne nuk e ndërtojmë ushtrinë kundër askujt. E ndërtojmë për Kosovën. Për paqen. Për sigurinë. Për lirinë”, tha Kurti, duke shtuar se synimi i vendit është që FSK-ja të jetë profesionale, moderne dhe e aftë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri i uroi ushtarët e rinj për betimin, duke u bërë thirrje që të shërbejnë me disiplinë, karakter dhe përgjegjësi.
“Ju jeni pjesë e brezit që duhet ta ruajë këtë liri që gëzojmë dhe ta forcojë shtetin që e garanton atë”, përfundoi Kurti.
