Gashi kërkon transparencë për kontratat sekrete në veri

Aktuale

Gashi kërkon transparencë për kontratat sekrete në veri

Nga: A.SH. Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 14:48
Arben Gashi

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Infrastrukturës, duke kërkuar transparencë për kontratat e prokurimit dhe memorandumet e bashkëpunimit me komunat gjatë periudhës 2021-2026.

Gashi ka kërkuar dokumentacionin për kontratat e klasifikuara si sekret, me theks të veçantë te projektet dhe investimet në pjesën veriore të Kosovës.

Ai kërkon të dhëna për vlerën e kontratave, operatorët ekonomikë përfitues, pagesat e realizuara, si dhe bazën ligjore të klasifikimit të tyre.

Postimi i plotë i Gashit:

Sot, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kam drejtuar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Infrastrukturës për të kërkuar transparencë të plotë lidhur me kontratat e prokurimit dhe memorandumet e bashkëpunimit me komunat gjatë gjashtë viteve të fundit.

Në veçanti, kam kërkuar dokumentacionin për kontratat e prokurimit të klasifikuara si sekret për periudhën 2021-2026, me theks të veçantë te projektet dhe investimet në pjesën veriore të Kosovës. Kërkesa përfshin edhe bazën ligjore të klasifikimit, vlerën e kontratave, operatorët ekonomikë përfitues dhe pagesat e realizuara.

Po ashtu, kam kërkuar të gjitha memorandumet e bashkëpunimit me komunat, projektet e parapara, mjetet e ndara dhe të shpenzuara, si dhe raportet për shkallën e realizimit të tyre.

Është e domosdoshme të dimë se ku kanë shkuar paratë e qytetarëve, cilat projekte janë realizuar, cilat kanë mbetur pa u përfunduar dhe për çfarë arsye.

Kjo është pjesë e përgjegjësisë sime si deputet dhe e ushtrimit të mbikëqyrjes parlamentare ndaj institucioneve ekzekutive.

Transparenca nuk është privilegj, por obligim institucional. Çdo euro e parasë publike duhet të jetë e gjurmueshme dhe çdo institucion duhet të japë llogari për mënyrën se si e shpenzon atë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat