Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka përcjellë një mesazh me rastin e 28 Nëntorit, duke përkujtuar ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo ka theksuar se 28 Nëntori është ditë e kujtesës, krenarisë dhe nderimit për të gjithë ata që kontribuuan në rrugën e Kosovës drejt lirisë.
Në mesazhin e saj, presidentja Shiroka Pula ka vënë në pah rëndësinë historike të daljes publike të UÇK-së, duke e cilësuar atë si një kapitull të ri në përpjekjet e popullit shqiptar për liri.
Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë, ajo ka theksuar se nuk duhet harruar qëllimi i luftës çlirimtare.
“UÇK-ja luftoi për lirinë e Kosovës. Përpjekja e një populli për të jetuar i lirë nuk mund të trajtohet si krim. Historia e një populli nuk mund të shkëputet nga e drejta e tij për liri”, ka deklaruar ajo.
Në fund, presidentja ka kujtuar sakrificën e Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Adem Jashari dhe të gjithë ata që u flijuan për Kosovën mbeten pjesë e përhershme e lavdisë dhe e kujtesës sonë kombëtare”, ka shkruar Shiroka Pula, duke përmbyllur mesazhin me fjalët: “Lavdi dëshmorëve të kombit! Nderim luftës për liri!”