FIBA lavdëron punën që FBK po e bën për Fuqizimin e Klubeve

Basketboll

FIBA lavdëron punën që FBK po e bën për Fuqizimin e Klubeve

Më: 21 maj 2022 Në ora: 17:47
FIBA lavdëron punën që FBK po e bën për Fuqizimin e Klubeve

Të shtunën në Vilnius në organizim të Federatës së Basketbollit të Lituanisë dhe FIBA Evropës është organizuar Asambleja e Përgjithshme e FIBA Evropës për vitin 2021, në të cilën Asamble të pranishëm kanë qenë edhe Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku.

Në Asamblenë e Përgjithshme është raportuar nga krerët më të lartë të FIBA Evropës për punën e bërë në vitin e kaluar dhe për punën e bërë në katër muajt e parë të vitit 2022, ndërsa të pranishëm në këtë event kanë qenë edhe Presidenti i FIBA Botës, Hamane Niang dhe Sekretari Gjeneral, Andreas Zagklis.

Në fjalimin e tij, Sekretari Gjeneral i FIBA Botës, Andreas Zagklis e ka theksuar punën që Federata e Basketbollit e Kosovës është duke e bërë në implementimin e Planit Strategjik 2021-2025 duke thënë se është shembull që duhet ndjekur nga organizatat tjera.

Image

Ndërkaq Kamik Novak, Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës në raportin e tij të punës e ka prezantuar punën që FBK është duke e bërë në Fuqizimin e Klubeve, duke i vënë theks të veçantë organizimit të dy seminareve në bashkëpunim me FIBA-n dhe duke e përgëzuar kështu FBK-në për gatishmërinë dhe vullnetin e treguar në zhvillimin dhe fuqizimin e klubeve të saj.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu pas përfundimit të Asamblesë për faqen zyrtare të FBK-së ka deklaruar:

“Sigurisht se jemi të lumtur që në mesin e të gjitha Federatave anëtare të Evropës kemi qenë ne ata që kemi marrë lëvdata për punën që po e bëjmë në implementimin e Planit Strategjik, dhe kjo gjë ne na motivon për të punuar edhe më shumë. Pas përfundimit të finaleve të play-offit do të punojmë edhe më shumë me klubet tona, do t’i takojmë për ti dëgjuar për peripecitë që i kanë pasur gjatë edicionit, si dhe së bashku do të punojmë në atë drejtim që të përmirësohemi dhe të përgatitemi sa më mirë për edicionin e ri”.

Duhet theksuar se numri një i FBK-së dhe Sekretarja e Përgjithshme gjatë qëndrimit në Vilnius kanë pasur takime me krerët më të lartë të FIBA Botës, FIBA Evropës dhe me Federata të ndryshme nacionale ku kanë diskutuar për projekte të ndryshme dhe për zhvillimin e basketbollit në përgjithësi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat