Janë luajtur takimet e javës së 18-të të Superligës në basketboll për meshkuj. Besëlidhja kampione u mund 88-86 nga Vllaznia në “Asllan Rusi”, duke pësuar humbjen e parë në kampionat. Një humbje që nuk ndikon aspak në renditje, pasi lezhjanët e kanë siguruar vendin e parë prej kohësh.
Sfida ishte mjaft e bukur, me emocione dhe rivalitet deri në sekondën e fundit.
Për shkodranët fitorja do të thotë shumë, pasi mban gjallë shpresat për një vend në play off. Tucker me 25 pikë ishte shënuesi më i mirë për Vllazninë, ndërsa 21 pikët e Angle për Besëlidhjen mbetën për statistikë.
Fitore të rëndësishme korri skuadra e Teutës, që mposhti 82-74 Tiranën në “Fahrie Hoti”. Një ndeshje e hapur deri në fund, ku herë udhëhiqte njëri ekip e herë tjetri. Gorea me 22 pikë ishtë shënuesi më i mirë për durrsakët, duke i bërë të pavlefshme 23 pikët e Moses për bardheblutë.
Apolonia përforcon pozitat e saj në krye të renditjes, duke mundur 131-93 Kamza Basket, gjithnjë e më shumë drejt rëniës nga Superliga. Miqtë nga Fieri u shkëputën që në periodën e parë, ku u dalluan Skëndaj me 27 pikë dhe McDonald me 26 pikë (Lluka 29 pikë për kamzalinjtë).
Në ndeshjet e Kategorisë së Parë, asgjë nuk ndryshon në renditje pas javës së 18-të. Elbasani e Partizani fituan takimet e radhës dhe kryesojnë renditjen me pikë të barabarta, ndaj gjithcka do të vendoset në përballjen direkte. Fiton edhe Fieri Basket, një sukses më së shumti për statistikë.
Superliga-Meshkuj, java e 18-të
Kamza Basket – Apolonia, 93-131
Tirana – Teuta, 74-82
Besëlidhja – Vllaznia, 86-88
Renditja: Besëlidhja 35 pikë, Teuta 28 pikë, Tirana 26 pikë, Apolonia 26 pikë, Vllaznia 24 pikë, Kamza Basket 21 pikë.
Kategoria e Parë-meshkuj, java e 18-të
Fieri Basket – Skënderbeu, 87-75
Partizani – Pogradeci, 118-74
Flamurtari – Elbasani, 74-112
Renditja: Elbasani 34 pikë, Partizani 34 pikë, Fieri Basket 27 pikë, Skënderbeu 25 pikë, Flamurtari 22 pikë, Pogradeci 17 pikë.