Më pak se dy vite nga marrja e detyrës, Franko Bushati ka mbyllur bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Basketbollit, teksa disa ditë më parë ka dhënë dorëheqjen nga detyra e sekretarit të përgjithshëm të FSHB-së.
I afruar më shumë bujë, pas një karriere shumë të suksesshme në parket prej dy dekadash në Itali, Bushati preku nga afër realitetin e vështirë të basketbollit shqiptar, një sport që lufton për mbijetesë mes njëmijë hallesh dhe problematikash.
Pa bërë shumë komente për zgjedhjen e tij, në një reagim të shkurtër për “Panorama Sport”, ai konfirmon se prej një jave ka dhënë dorëheqjen nga posti në FSHB, duke pranuar ofertën si menaxher i përgjithshëm në skuadrën Skafati Basket, ekip që militon në Serinë A2.
Për Bushatin bëhet fjalë për një rikthim në këtë klub, pasi është aktivizuar si lojtar në sezonin 2012-2013, ndërsa tashmë do të japë kontributin e tij si zyrtar. Skafati Basket ka njoftuar nënshkrimin me ish-basketbollistin shqiptar, duke e zyrtarizuar në faqen e klubit: “Stafi drejtues i Skafati Basket pasurohet me një emër të ri dhe të rëndësishëm.
Franko Bushati do të ushtrojë rolin e këshilltarit për sektorin teknik. Ishbasketbollist me përvojë të madhe në kampionatet më të larta italiane,
Bushati ka veshur edhe fanellën e Skafatit në vitin 2012. Ai e mbylli karrierën si lojtar në vitin 2023, kur u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, një detyrë që e ka vendosur në një rol të rëndësishëm si në nivel kombëtar, në Shqipërinë e tij të lindjes, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Tashmë, përvoja e tij, e ndërtuar si në fushë, ashtu edhe në drejtim, do të vihet në shërbim të Givova Scafati. Klubi njofton gjithashtu se, për arsye personale, Antonio Mirengi largohet përkohësisht nga detyra e tij brenda shoqërisë”, njofton klubi italian.
Përveç Bushatit, nga FSHB pak javë më parë është larguar edhe Klaudio Ndoja, një tjetër emër injohur i afruar me bujë një vit më parë në federatë në detyrën e drejtorit të ekipeve kombëtare dhe trajner i përfaqësueses së femrave.