Akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve, kush është shqiptari që u arratis me kamion në Britani!

Diaspora

Akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve, kush është shqiptari që u arratis me kamion në Britani!

Më: 19 nëntor 2022 Në ora: 15:09
Ilirian Zeqaj

Një shqiptar, përballet me ekstradimin nga Britania për herë të dytë pasi hyri fshehurazi në vend, madje mori nënshtetësinë me një emër të rremë.

Ilirian Zeqaj, 50 vjeç, dyshohet se qëlloi për vdekje dy burra në fshatin Cakran në vitin 1999, por u largua në Angli me kamion pesë muaj më vonë dhe kërkoi azil me emrin Klemend Zeqaj. Daily Mail raporton se shqiptari kishte gënjyer zyrtarët britanikë duke iu thënë se ishte një refugjat kosovar.

Pavarësisht se ishte një nga të arratisurit më të kërkuar në Shqipëri, atij iu dha në vitin 2005 leja e përhershme për të qëndruar dhe një vit më pas shtetësia britanike.

Ai u dënua në mungesë të tij për dy akuza për vrasje në vitin 2002 dhe u dënua me 23 vjet burg.

Zeqaj, i cili ka tre fëmijë, përfshirë një vajzë që ndjek Universitetin e Kembrixhit, më në fund u gjurmua nga policia britanike në vitin 2011 dhe u ekstradua në Shqipëri dy vjet më vonë për t’u përballur me një rigjykim, i cili e shpalli të pafajshëm për vrasjet.

“Ai u lirua dhe u kthye menjëherë në Britani, por Gjykata e Lartë e Shqipërisë më vonë zbuloi se gjyqi ishte i korruptuar dhe vendimi i pafajësisë nuk ishin të sigurta”, shkruan media britanike.

Që nga shpërngulja në Britani, Zeqaj, i cili jeton në Hanwell, në veri-perëndim të Londrës, ka drejtuar një kompani për pajisje tualetesh.

Babai i tre fëmijëve mund të ekstradohet sërish në vendlindje për t’u përballur me një tjetër gjyq për vrasjen e Gramoz dhe Shkëlqim Llanajt.

Vëllezërit u vranë në shtator 1999, rrugës për në postën e fshatit dhe dyshohet se u ekzekutuan si hakmarrje për vrasjen e një anëtari të familjes Zeqaj tre ditë para krimit të dyfishtë, sipas dokumenteve ligjore shqiptare.

Anëtarët e familjes së viktimave pohojnë se kanë parë Zeqajn dhe kushëririn e tij Jetnorin duke mbajtur automatikë pak çaste pasi kanë dëgjuar të shtënat që dy vranë vëllezërit.

Në shkresat ligjore të depozituara në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë thuhet: “Në një moment kanë dëgjuar të shtëna armësh dhe kanë parë të pandehurin Ilirian Zeqaj me automatik në dorë, i cili menjëherë pas të shtënave është larguar në drejtim të shtëpisë së tij”.

“Ndërkohë i pandehuri tjetër Jetnor Zeqaj me automatik në dorë është larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës. Pasi ndaluan të shtënat, dëshmitarët kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë gjetur Gramozin dhe Shkëlqimin të shtrirë përtokë”.

Policia gjeti në vendngjarje 22 gëzhoja plumbash që ishin shkrepur nga arma e Jetnorit, thuhet në dokumente.

Ai u arrestua nga policia shqiptare dhe më vonë u shpall fajtor për vrasje, por Zeqaj u arratis dhe mësohet se kishte hyrë ilegalisht në Britani në pjesën e pasme të një kamioni në nëntor 1999.

Gjykata e Lartë Shqiptare rishikoi gjyqin e Zeqajt në 2017 dhe konstatoi se ligji nuk ishte zbatuar si duhet dhe lirimi i tij ishte i pasigurt. Prokurori Petrit Vukaj ka lëshuar një urdhër të ri arresti dhe Zeqaj është shtuar në listën e të kërkuarve të Interpolit. Më pas ai u kap nga autoritetet britanike.

Zeqaj u paraqit në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit më 10 tetor dhe do të dalë sërish më 30 janar. Avokatja e tij, Louisa Collins, argumentoi se ai ishte liruar tashmë nga vrasjet dhe ishte i gatshëm jepte një garanci prej 30,000 paund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat