Tre anëtarë të një grupi kriminal shqiptar dënohen me burg në Britani për trafik droge

Diaspora

Tre anëtarë të një grupi kriminal shqiptar dënohen me burg në Britani për trafik droge

Nga: A.M. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 10:03
Alvaro Vrapi, Hysen Sopiku, Daniela Sopiku

Tre shtetas shqiptarë, të cilët sipas Policisë së Wiltshire-it ishin pjesë e një grupi të organizuar kriminal, janë dënuar me burgim në Britani të Madhe për përfshirje në furnizimin me kokainë, posedim të parave të përfituara nga aktiviteti kriminal dhe përdorim të dokumenteve të falsifikuara.

Daniela Sopiku, 26-vjeçare, është dënuar me nëntë muaj burgim në Gjykatën e Kurorës në Swindon, më 19 nëntor. Ajo fillimisht ishte deklaruar fajtore për posedimin e dokumenteve të falsifikuara të identifikimit me qëllim të papërshtatshëm, ndërsa gjatë gjykimit të kësaj jave u deklarua fajtore edhe për përfitimin dhe përdorimin e pasurisë së paligjshme.

Hysen Sopiku, 21-vjeçar, është dënuar me tre vjet burgim. Ai ishte deklaruar fajtor për të gjitha akuzat, përfshirë përfshirjen në furnizimin me droga të kategorisë A, posedimin e pasurisë kriminale, posedimin e kokainës me qëllim të shpërndarjes, si dhe posedimin e një objekti për përdorim në mashtrim. Ndaj tij ishin ngritur edhe dy akuza për drejtim të automjetit në kundërshtim me kushtet e lejes dhe pa sigurim.

Ndërkaq, Alvaro Vrapi, 18-vjeçar, pa adresë të përhershme, është dënuar me 28 muaj burgim. Ai ishte deklaruar fajtor për posedimin e dokumenteve të falsifikuara të identifikimit me qëllim të papërshtatshëm dhe për përfshirje në furnizimin me droga të kategorisë A.

Sipas njoftimit të Policisë së Wiltshire-it, hetimet ndaj tre personave kishin zgjatur për një periudhë të gjatë dhe përfshinin edhe metoda të fshehta të hetimit. Ato zbuluan përfshirjen e tyre në furnizimin me kokainë në disa qytete të qarkut Wiltshire gjatë viteve 2025 dhe 2026.

Në qershor, policia arrestoi Hysen Sopikun dhe Alvaro Vrapin, pasi i kishte gjetur brenda një automjeti të tipit Nissan Qashqai, duke kryer transaksione të drogës.

Gjatë hetimeve, në lokacione që ata kishin vizituar atë ditë, në Biddestone dhe Giddeahall, afër qytetit Chippenham, u gjetën sasi droge me vlerë mbi 11 mijë paundë.

Po atë ditë, në Old Town u arrestua edhe Daniela Sopiku. Gjatë kontrolleve të mëvonshme, policia gjeti pajisje për përdorimin e drogës, shuma të mëdha parash, mallra luksoze të markave të njohura, si dhe dokumente të falsifikuara identifikimi.

Në mesin e dokumenteve ishte edhe një pasaportë italiane e falsifikuar, në emër të Daniela Sopikut, e cila u konfirmua si e tillë nga autoritetet e imigracionit. Ndërkaq, hetimet zbuluan se Vrapi kishte përdorur dokumente të falsifikuara për të hapur llogari bankare që shfrytëzoheshin për aktivitete kriminale.

Hetimet financiare, sipas policisë, treguan se tre personat kishin përfituar të ardhura të pashpjeguara në vlerë prej më shumë se 53 mijë paundësh. Policia bëri të ditur se të tre ndodheshin në Britani në mënyrë të paligjshme dhe nuk kishin burim të ligjshëm të të ardhurave.

Deklarata e policisë

Detektivi Jordan Gratton tha se ishte i kënaqur që tre anëtarët e grupit të organizuar kriminal u dënuan me burgim për veprimtarinë e tyre.

“Kanë qenë përgjegjës për furnizimin me kokainë të komuniteteve në Wiltshire dhe janë përpjekur ta fshehin aktivitetin e tyre kriminal përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara të identifikimit dhe fondeve të përfituara në mënyrë të paligjshme”, deklaroi ai.

Ai theksoi se, përmes një hetimi të gjatë dhe proaktiv, që përfshinte metoda të ndryshme të fshehta, policia kishte arritur të siguronte prova bindëse për veprimtarinë e grupit dhe të ndërpriste dëmin që po shkaktonte.

“Sanksionet me burgim ndaj të treve pasqyrojnë seriozitetin e veprave të tyre dhe dëmin që mund t'u shkaktonin komuniteteve tona”, u shpreh Gratton.

Ai shtoi se ky hetim dëshmon përkushtimin e policisë në luftimin e krimit të organizuar, dërgimin e autorëve para drejtësisë dhe mbrojtjen e komuniteteve nga pasojat shkatërruese të drogave ilegale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat