Një grup kriminal i trafikut të drogës është shkatërruar në Greqi, ku në pranga kanë rënë 6 persona, 2 prej të cilëve shqiptarë dhe një tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas mediave të huaja, hetimet disamujore çuan policinë greke në zbërthimin e organizatës kriminale.
Operacioni policor u zhvillua në Pire, Agious Anargirous dhe Athinë. Po ashtu janë kryer kontrolle paralele në banesat e të arrestuarve si dhe në një shtëpi për magazinimin e lëndëve narkotike (kavatza), ku u gjetën dhe u konfiskuan:
12.7 kg heroinë, 10.7 kg marijuanë, 60 gram kokainë, 141 tableta XANAX dhe HIPNOSEDON, 500 ml Metadon, 1.8 kg përzierës heroine, 2 pistoleta të kalibrit 9 dhe 8 mm dhe 5 fishekë të këtyre kalibrave, 2500 euro, 1 automjet, 2 peshore elektronike, 8 celularë, mjete për përzierjen dhe paketimin e heroinës dhe shuma prej 2.500 euro, e ardhur nga trafiku i drogës.
Ndërkohë hetimet vijojnë për të identifikuar dhe çuar para drejtësisë të gjithë anëtarët e grupit.