Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e të dielës në Itali.
Në komunën Fontaniva, një shqiptar është plagosur me armë zjarri.
Bëhet fjalë për 59 vjeçarin Fatos Cenaj, shkruajnë mediat italiane.
Dje rreth orës 09:30, afër rrugës “Via Casoni”, disa kalimtarë të rastësishëm vunë re një çiklist të shtrirë në tokë dhe fillimisht menduan se bëhej fjalë për një aksident rrugor.
Por, pasi ekipi emergjent shkoj në vendin e ngjarjes, u kuptua se shqiptari nuk kishte rënë thjesht nga biçikleta, por kishte një plagë të shkaktuar nga armë zjarri në fytyrë.
Ai u transportua me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje kritike dhe në rrezik për jetën.
Menjëherë pas konstatimit të plagës me armë, në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e karabinierisë nga Njësia Hetimore e Komandës Provinciale të Padovës.
Zona u izolua për të bërë të mundur grumbullimin e çdo prove që mund të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të atentatit.
Në këtë fazë hetimesh, nuk përjashtohet asnjë pistë.
Një nga dyshimet më të forta është ajo e një të shtënë nga një automjet në lëvizje.
Cenaj kishte dalë për një shëtitje të zakonshme me biçikletë mëngjesin e së dielës.
Policia ka sekuestruar të gjitha pamjet nga kamerat e sigurisë në zonë dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët që mund të kenë parë momentin e ngjarjes ose ndonjë lëvizje të dyshimtë.