Daily Mail: Shqiptarët po vijnë në Angli me jahte luksoze

Diaspora

Daily Mail: Shqiptarët po vijnë në Angli me jahte luksoze

Më: 14 qershor 2025 Në ora: 18:57
Ilustrim

Një jaht luksoz i marrë me qira në Francë, i quajtur Tacoma, u përdor për të transportuar ilegalisht 17 emigrantë shqiptarë drejt Britanisë, duke zbuluar një skemë të re të trafikimit detar.

Jahti u nis në prill nga Bresti, i marrë me qira nga një burrë me pasaportë austriake, i cili më vonë rezultoi se kishte lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe është aktualisht në arrati.

Kompania franceze që e dha me qira jahtin tha se dokumentet e dorëzuara dukeshin të rregullta dhe nuk ngritën dyshime në momentin e kontraktimit.

Dailymail shkruan se pronari i jahtit u bë dyshues kur pa që mjeti po largohej nga ujërat franceze dhe po kalonte Kanalin Anglez.

Ai njoftoi autoritetet britanike, të cilat ndaluan Tacoma-n pranë Falmouth-it, ku gjetën emigrantët të fshehur nën kuvertë.

Dy pjesëtarë të ekuipazhit shqiptarë janë arrestuar dhe kanë pranuar fajësinë për shkelje të urdhrave të mëparshëm të dëbimit. Emigrantët e tjerë pritet të dëbohen nga Britania.

Rasti ka vënë në alarm autoritetet franceze dhe britanike, pasi Tacoma nuk është rasti i vetëm këtë pranverë.

Një tjetër jaht i ngjashëm u gjet i braktisur më 8 maj në të njëjtën zonë dhe dyshohet të jetë përdorur gjithashtu për të sjellë emigrantë shqiptarë.

Trafikantët po shmangin rrugën me gomone për shkak të kontrolleve të rrepta dhe po përdorin mjete luksoze detare për të mos rënë në sy.

Zyrtarët paralajmërojnë se bandat kriminale janë duke manipuluar sistemin e qiradhënies së mjeteve detare dhe se shumë emigrantë janë të gatshëm të paguajnë shuma të mëdha për t’u futur në Britani, për të punuar në të zezë ose për të mbijetuar nëpërmjet aktiviteteve kriminale.

Kompania franceze që dha me qira Tacoma-n thotë se është hera e parë që përballet me një rast të tillë, por druhet se nuk do të jetë e fundit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat