Trojet – familja e madhe e vlerave kulturore shqiptare

Diaspora

Trojet – familja e madhe e vlerave kulturore shqiptare

Nga: Dashnim Hebibi Më: 9 nëntor 2025 Në ora: 15:49
Foto nga vendngjarja

Në qytetin e bukur të Winterthurit të Zvicrës, ku valët e gjuhës shqipe përzihen me tingujt e muzikës tradicionale, ndodhet folja e artit dhe shpirtit shqiptar – Ansambli “TROJET”. Ky ansambël nuk është vetëm një grup artistik, por një familje e madhe shpirtërore, ku ruhet, kultivohet dhe përcillet me dashuri trashëgimia kulturore e kombit tonë.

Ansambli “TROJET” është tashmë i njohur jo vetëm në Zvicër, por edhe më gjerë. Rreth tij gjithmonë kanë qenë, janë dhe do të mbeten njerëz të vullnetit të mirë, që punojnë për të mirën e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Kjo është një punë vullnetare – pa paga, por me shpërblim shpirtëror të paçmuar: gëzimin kur sheh fëmijët tanë të mërgatës duke kënduar e vallëzuar shqip, duke recituar poezi e duke mbajtur gjallë shpirtin e kombit të tyre.

Është për t’u vlerësuar ky përkushtim i mrekullueshëm, sidomos kur dihet se çdo anëtar, nga më i vogli deri te më i rrituri, e bën këtë me zemër. Do të duhej që shtetet tona amë të kontribuojnë më shumë për këto ansamble e shoqata që punojnë pa pagesë, por me dashuri të madhe kombëtare, sepse këtu po rritet brezi i ri i identitetit shqiptar në diasporë.

Image
Ansambli

Një mbrëmje plot jetë e dashuri për artin shqiptar

Kësaj here nuk do të ndalem në gjithë historikun e gjatë të kësaj shoqate, që tashmë ka më shumë se 12 vjet jetë aktive, por në një mbrëmje të veçantë – atë të së premtes, ku pata kënaqësinë të jem pranë tyre.

Në sallë ishin mbledhur mbi 100 të rinj e të reja, të cilët ushtronin me pasion për koncertin e 28 Nëntorit dhe për një festival në Lozanë.

Në mesin e tyre edhe prindër, por edhe drejtuesit e këtij ansambli: Presidenti z. Zeqë Gashi, një figurë e dashur dhe e respektuar, bashkë me sekretarin Taip Zeqiri, krahu i tij i djathtë, veprimtar i dalluar.

Image
Ansambli

Njëri nga Kosova, tjetri nga Ilirida – të dy shembuj të bashkimit që ky ansambël përfaqëson.

Sepse “Trojet” nuk njeh ndarje: pa dallim krahine, feje apo bindjeje politike – të gjithë janë shqiptarë dhe artistë, bashkuar nën flamurin e artit dhe dashurisë për kombin.

Ansambli TROJET prej vitesh është bërë një nga shtyllat më të qëndrueshme të kulturës shqiptare.

Në përbërje të tij janë valltarë, këngëtarë, dhe solistë artistikë, që me profesionalizëm e përkushtim mbajnë gjallë frymën e artit popullor në çdo skenë ku ngjiten.

Rritja dhe formimi i brezave të rinj

TROJET funksionon në tri grupmosha:

• Grupi i parë (6–11 vjeç)

• Grupi i dytë (12–16 vjeç)

• Grupi i tretë (16+ – grupi i të rriturve)

Në secilin grup artistik ka valltarë, këngëtarë dhe recitues që shfaqin prirjet e tyre të para për artin. Nga këto grupe janë dalluar shumë talente që tashmë kanë nisur rrugëtimin e tyre të pavarur.

Ndër ta veçohet Marisa Murtezi, një anëtare e pasionuar dhe e talentuar që ka ndjekur shkollën e këndimit që në moshë të re, ka krijuar këngët e saj dhe vazhdon të zhvillohet profesionalisht në këtë fushë, si dhe Eliza Zeqiri, e cila në moshë të re ka sjellë këngët e saj origjinale dhe po ecën me sukses në skenën muzikore.

Në anën tjetër, ansambli gëzon praninë e Bacës Shaq, anëtarit më të moshuar që me lahutë e këngë kreshnike e lidh ansamblin me rrënjët e trashëgimisë sonë shpirtërore.

Image
Ansambli

Pjesë e gjallë e veprimtarisë janë edhe interpretuesit e monologëve dhe këngëtarët gruporë, që sjellin larmi në çdo koncert.

Në fund të çdo muaji, nën drejtimin e Albulena Gjotës, zhvillohet programi edukativ “Këndi i Diturisë”, që u jep fëmijëve hapësirë për të mësuar dhe për t’u zhvilluar në mënyrë të plotë.

Grupi artistik dhe krijimtaria skenike

Grupi artistik është zemra e punës së përditshme në TROJET. Ai kujdeset për mirëmbajtjen dhe krijimin e valleve të reja. Përgjegjës për këtë pjesë janë Donjeta Gashi, Ensar Morina dhe Leotrim Gashi, të cilët drejtojnë ushtrimet dhe formojnë bazën artistike të ansamblit.

Në procesin e krijimit bashkëpunon edhe koreografja e trojeve shqiptare Suzana Drenica, që sjell çdo herë vepra të reja që pasqyrojnë bukurinë e traditës sonë popullore.

Në këtë punë janë përfshirë edhe valltarët e rritur Eriona, Nora, Melisa, Emira, Dona ku kan pergjegjesi të nndara që ndihmojnë në ruajtjen e disiplinës dhe në zhvillimin profesional të të rinjve.

Kryesia dhe organizimi i brendshëm

Kryesia e Ansamblit TROJET funksionon mbi parimin e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë vullnetare.

Ajo përbëhet nga;

• Kryetari Zeqë Gashi

• Nënkryetari: Blerim Bunjaku

• Sekretari: Taip Zeqiri

• Anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës: Blerim Qollaku, Albulena Gjota dhe Bubekir Morina

• Përgjegjës për Logjistikën: Hamim Xhemaili

• Përfaqësues të grupit artistik: Donjeta Gashi, Ensar Morina dhe Leotrim Gashi

Gjithçka bëhet me vullnet të lirë dhe dashuri për artin, me një përkushtim që e tejkalon çdo detyrim formal.

Grupi i grave

Në ansambël vepron një grup i veçantë e tepër aktiv – Grupi i Grave, i udhëhequr nga Sherife Zeqiri, Shqipe Salihi, Shaha Shabani dhe Behie Krasniqi.

Ato njihen për organizim të shkëlqyer në ngjarje, gatime tradicionale, por edhe për pjesëmarrje artistike në skenë me grupin e këndimit me defa, që tashmë është bërë pjesë e pandarë e koncerteve të TROJEVE.

Grupi logjistik dhe prindërit

Një nga shtyllat më të forta të funksionimit të TROJEVE është grupi logjistik punues, i përbërë nga prindërit e fëmijëve. Ata kujdesen për çdo detaj teknik, organizativ dhe mbështetës në çdo aktivitet.

Kontributi i tyre i sinqertë e bashkëpunues e bën ansamblin të ndjehet si një familje e madhe, ku secili jep pjesën e tij për suksesin e përbashkët.

Kostumografia dhe identiteti kulturor

Kostumografia është një nga elementet më të dashura dhe të ruajtura me kujdes në ansambël.

Që nga themelimi, Teuta Gashi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për sigurimin dhe mirëmbajtjen e veshjeve tradicionale, ndërsa Hamim Xhemaili ndihmon në organizimin dhe logjistikën e këtij sektori.

Veshjet tradicionale shqiptare në TROJET nuk janë vetëm pjesë e skenës – ato janë identitet, histori dhe krenari kombëtare.

MISIONI I TROJEVE

Misioni kryesor i Ansamblit “TROJET” është ruajtja, kultivimi dhe prezantimi i vlerave të mirëfillta kulturore shqiptare përmes këngëve, valleve, veshjeve, lojërave popullore dhe gjithë trashëgimisë së krijimtarisë burimore që pasqyron shpirtin dhe historinë tonë kombëtare.

TROJET nuk është thjesht një ansambël.

Është një mision i gjallë që mbledh brezat për të ruajtur, zhvilluar dhe përcjellë trashëgiminë kulturore shqiptare me dashuri, përkushtim dhe profesionalizëm.

Nga më i vogli deri te më i moshuari, çdo anëtar i TROJEVE është pjesë e një rrugëtimi të përbashkët drejt së bukurës, artit dhe atdheut.

Fëmijët e mërgatës – zëri i ardhmërisë

Edhe pse ishte ditë pune, me gjithë lodhjen e përditshme, askush nuk vonohej në ushtrime. Prindërit i sillnin fëmijët me dashuri, ndërsa salla – e vënë në dispozicion falas – ishte dhuratë e mikpritjes zvicerane dhe e përkujdesjes së një bashkëkombasi që e ndien detyrë ta mbështesë këtë ansambël.

Zërat e fëmijëve më kthyen në fëmijërinë time – në atë ndjenjë të pastër gëzimi e dashurie për artin, për gjuhën, për këngën shqipe.

I shihja me pozitivitet, me dritë në sy, dhe mendoja: sa e sigurt është e ardhmja kur këta fëmijë rriten me gjuhën dhe kulturën e tyre.

Mikpritje dhe respekt në çdo hap

Presidenti Zeqë Gashi, një burrë i buzëqeshur dhe që di të nderojë, më tha me humor e dashuri:

“Aty ku jepet bukë, ka të mira.”

Ai dhe sekretari i ansamblit, Taip Zeqiri nga Tetova, i cili kishte ardhur me bashkëshorten dhe fëmijët e tij, treguan mikpritje që nuk harrohet lehtë.

Na nderuan me darkë, me kafe e me fjalë të mira. Nga hyrja e deri te përshëndetja e fundit, ndjeva ngrohtësinë e familjes shqiptare – një pozitivitet që mbetet gjatë në kujtesë.

Ata po përgatiteshin për koncertin e nëntorit dhe festivalin në Lozanë, me punë, disiplinë dhe përkushtim shembullor. Në atë mbrëmje ishin të pranishëm edhe vëllezërit Kuqi, bashkë me babain e tyre – dy djem shembullorë, artistë që luajnë me violinë, çifteli dhe piano. Një familje nga Suhareka, që meriton respekt dhe që tashmë është pjesë e zemrës së “Trojeve”.

Arti që bashkon breza

Nga grupi i fëmijëve më të vegjël e deri te të rriturit, pashë art, përgatitje, shpirt dhe disiplinë.

Ata kujdesen për çdo detaj. Dhe nuk dyshoj aspak se nga Festivali i Lozanës do të kthehen me çmim të merituar.

Në mesin e ushtrimeve, Taip Zeqiri, me modestinë që e karakterizon, më tha diçka që më mbeti në mendje:

“Kur jemi në ansambël, jeta më shtohet. Më duket si një infuzion për shpirtin.”

Dhe vërtet ashtu është. Këtu, në këtë fole shqiptare, jeta merr frymë shqip.

Një mbrëmje që përfundoi me dritë

Kur ora shënoi 23:00 dhe ushtrimet po përfundonin, pashë si asnjë nuk largohej me ngut.

Ata qëndronin bashkë, pinin kafe, bisedonin e qeshnin. Ishte si një familje që nuk ndahet lehtë.

Presidenti Zeqë Gashi falënderonte prindërit, motivonte fëmijët, dhe përgëzonte vëllezërit Kuqi për punën e tyre.

Ai tha me përzemërsi:

“Ne duam që ju të jeni më të mirë se sa ne. Të ruani miqësinë me shtetin mik zviceran, por kurrë të mos harroni gjuhën dhe traditat tona kombëtare.”

Pas një bashkëbisedimi miqësor me kryesinë dhe z. Kuqi, u ndamë të kënaqur dhe plot shpresë.

Presidenti dhe sekretari na siguruan:

“Suksesi do të vijë, sepse vullneti ynë për të kontribuar për rininë shqiptare nuk do të shuhet kurrë.”

Prindërit buzëqeshnin të lumtur që fëmijët e tyre po rriten të sigurt, të edukuar dhe me dashuri për atdheun e të parëve. Ata këndonin për dëshmorët, për flamurin, për Shqipërinë.

Në fund u përshëndetëm me mall e dashuri:

“Natën e mirë, ju dallëndyshe e bilbila! U pafshim herave të tjera.”

U premtova:

“Do të shihemi sërish dhe do të jemi pranë jush në çdo manifestim. Mos u ndalni!”

Mirënjohje dhe vazhdimësi

Mirënjohjen që më ndanë për punën time e ndava me ta – me fëmijët, me prindërit, me brezin e ri që po e ruan e po e trashëgon gjuhën, këngën dhe shpirtin shqiptar në çdo skenë të botës.

Ata janë shpresa dhe krenaria jonë.

Në Winterthur, në folenë e “Trojeve”, Shqiponja e artit shqiptar fluturon çdo të premte me këngë e valle, duke i kujtuar botës se gjuha, kultura dhe dashuria për atdheun nuk njohin kufij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat