Media britanike The Telegraph i ka kushtuar një artikull 29-vjeçarit shqiptar Dorian Puka, i njohur për precedentë penalë në Britaninë e Madhe dhe i deportuar dy herë nga ky vend. Sipas gazetës, Puka ka vijuar prej një viti të publikojë video dhe foto në rrjetet sociale, ku shfaqet duke ngarë makina luksoze dhe duke ekspozuar koleksionin e tij të orëve “Rolex”, teksa kundërshton për herë të tretë dëbimin drejt Shqipërisë.
Makina dhe ora luksi, sfidë ndaj autoriteteve
Në llogaritë e tij në TikTok dhe Instagram, Puka është parë duke drejtuar një Lamborghini Urus V8 të vitit 2022, me vlerë rreth 185 mijë paundësh, ndërsa më herët ka publikuar edhe video duke ngarë një Ferrari të kuq. Ai shfaq edhe gjashtë ora “Rolex”, të cilat – sipas The Telegraph – kapin vlerën totale të 162,500 paundëve, duke nisur nga “Day-Date” prej 53,000 £ e deri te modelet më të lira.
Ky ekspozim i stilit të jetesës ka ardhur në një kohë kur qeveria e re britanike, nën drejtimin e Sekretares së Brendshme Shabana Mahmood, ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj abuzimeve me sistemin e azilit, përfshirë edhe rishikimin e procesit të apelimit dhe kërkimin e kontributeve financiare nga aplikantët që zotërojnë pasuri të konsiderueshme.
E kaluara kriminale dhe kthimet e paligjshme në Britani
Dorian Puka u dënua për herë të parë në vitin 2016 me nëntë muaj burg për tentativë grabitjeje, dhe një vit më pas u deportua në Shqipëri. Megjithatë, ai arriti të rikthehej ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe u përfshi në një seri vjedhjesh në periferi të Londrës, derisa u arrestua nga policia në Surbiton.
Në vitin 2020, Puka u burgos për tre vjet e gjysmë dhe pas përfundimit të dënimit u dëbua sërish. Sipas raportimeve, gjatë kohës në burg ai u bë i njohur për përdorimin e një telefoni celular të futur ilegalisht për të postuar foto e video në Instagram.
Pasi qëndroi disa muaj në Shqipëri, Puka lëviz në disa vende të Europës dhe në dhjetor 2020 arriti të hynte për herë të dytë ilegalisht në Britani. Ndërkohë ai prezanton pamje nga pushimet në Cornwall dhe pozime me makina të tjera luksoze, mes tyre Porsche, Bentley e Mercedes.
Në pritje të azilit
Dorian Puka ka paraqitur tashmë një kërkesë për azil, çka e pengon Ministrinë e Brendshme ta deportojë deri në përfundim të procesit ligjor. Aktualisht ai mbahet nën mbikëqyrje me etiketë elektronike, ndërsa vazhdon të postojë video dhe foto nga Londra.
Autoritetet britanike deklarojnë se “kriminelët e huaj nuk duhet të kenë asnjë dyshim për vendosmërinë e shtetit britanik”, ndërsa qeveria paralajmëron reforma të reja për t’i bërë deportimet më të shpejta dhe më efektive.