Më 13.12.2025 me shumë krenari dhe emocion u shënua 40-vjetori i Shkollës Shqipe “Shote Galica” në Mannheim, një institucion i rëndësishëm i komunitetit shqiptar në diasporë, që prej vitit 1985 ka ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.
Ky vit jubilar, i 40-ti me radhë, u organizua nën idenë e mësimdhënësit z. Sabri Potoku, ide e cila u mirëprit me shumë entuziazëm nga mësuesja në detyrë znj. Verime Bytyqi Muhadri, në bashkëpunim të ngushtë me ShKSH Dardania, nën udhëheqjen e z. Naser Hoxha.
Një organizim shembullor që dëshmon përkushtimin dhe bashkimin e vazhdueshëm rreth ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë.
Gjatë këtyre katër dekadave, shkolla ka kaluar nëpër sfida të mëdha politike, shoqërore dhe financiare, por falë vullnetit dhe përkushtimit të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe shoqates kulturore shqiptare Dardania ne Mannheim ajo jo vetëm që ka mbijetuar, por është forcuar dhe zgjeruar. Ajo ka qenë gjithmonë më shumë se mësim në banka shkollore – ka qenë hapësirë kulturore, vend takimi, edukimi dhe solidariteti.
Një rol të pazëvendësueshëm në këtë histori kanë pasur mësimdhënësit ndër vite, nga fillimet e vështira e deri te ditët e sotme. Kontributi shumëvjeçar i mesuesve z.Ibrahim Hasanaj, z.Sabri Potoku dhe i zonjës Hatixhe Ramadani, si dhe angazhimi dhe vizioni i mësimdhënëses aktuale, zonjës Verime Muhadri, janë shembuj të përkushtimit ndaj brezave të rinj dhe ruajtjes së shpirtit shqiptar në diasporë.
Falë bashkëpunimit me Shoqatën Dardania dhe mbështetjes së komunitetit shqiptar në Mannheim dhe rrethinë, Shkolla Shqipe ka qenë dhe mbetet faktor i rëndësishëm i integrimit, pa humbur kurrë lidhjen me prejardhjen tonë.
Për rëndësinë dhe rolin e Shkollës Shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, për bashkëpunimin ndërmjet shoqatës dhe shkollës, si dhe për sfidat dhe sukseset e të dy institucioneve, folën kryetari i Shoqatës Kulturore “Dardania”, z. Naser Hoxha, si dhe mësuesja aktuale e shkollës, znj. Verime Muhadri.
Në mënyrë të mrekullueshme, programi u moderua nga Herolinda Metaj dhe Arianit Ahmetaj, të cilët me profesionalizëm dhe elegancë i dhanë ritëm dhe ngrohtësi gjithë mbrëmjes. Ndërkohë, thelbin e rrugëtimit të Shkollës Shqipe ndër vite e prezantoi Rilind Rafunaj, kryetar i organizatës AYO, duke sjellë një pasqyrë domethënëse të historisë, sfidave dhe vlerës së kësaj shkolle për komunitetin shqiptar në Mannheim dhe më gjerë.
Në këtë manifestim jubilar të Shkollës Shqipe morën pjesë edhe mësues veteranë dhe figura të shquara të arsimit shqip në diasporë, ndër ta themeluesit e Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë (KASH) “Naim Frashëri” në Gjermani: Rifat Hamiti, Sejdi Gashi dhe Sami Thaçi, si dhe mësuesi i vyer dhe aktiv, në prag të pensionimit, Adem Shala.
Një fjalë përshëndetëse, në emër të KASH-it, e mbajti z. Rifat Hamiti, i cili foli me fjalë vlerësuese për punën ndër vite, duke theksuar kontributin e Shoqatës “Dardania” dhe të Shkollës Shqipe, në veçanti përkushtimin e mësuesve Sabri Potoku dhe Hatixhe Ramadani, të cilët, pavarësisht vështirësive, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në edukimin e brezave.
Fjalën e radhës e mori nënkonsullja e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Stuttgart, znj. Shpresa Rama, e cila vlerësoi lart punën 40-vjeçare të Shkollës Shqipe, duke theksuar rëndësinë e saj në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar në diasporë. Po ashtu, ajo përgëzoi mësuesen Verime Muhadri për angazhimin dhe përkushtimin e saj në vazhdimin e këtij misioni fisnik.
Programi artistik, i përgatitur në mënyrë perfekte nga artistët e vegjël të kësaj shkolle, u prit me shumë emocione nga të pranishmit. Me dashuri dhe përkushtim, fëmijët i kënduan atdheut të të parëve të tyre, flamurit, gjuhës shqipe, mësuesve, e në veçanti figurës legjendare të Adem Jasharit.
Ata demonstruan valle të ndryshme tradicionale si Vallja e Bariut, Vallja e Zanave, Vallja e Shotës, Moj Hatixhe, ndërsa kulmi i mbrëmjes ishte Vallja e Xhamadanit, e cila u mirëprit jashtëzakonisht ngrohtë nga publiku.
Në skenë u prezantua edhe paneli i mësuesve, ku secili prej tyre ndau shkurtimisht përvojën dhe kontributin e vet ndër vite, duke sjellë kujtime dhe reflektime me shumë vlerë për rrugëtimin e Shkollës Shqipe.
Më pas u zhvillua edhe paneli i ish-nxënësve, i cili u dallua si shumë atraktiv dhe tejet i rëndësishëm, pasi dëshmoi ndikimin afatgjatë të shkollës në formimin personal, kulturor dhe profesional të brezave që kanë kaluar nëpër bankat e saj.
Në fund të programit, mësuesja në detyrë, znj. Verime Muhadri, me shumë dashuri dhe modesti, ftoi të gjithë ish-nxënësit, prindërit dhe mësuesit të ngjiteshin në skenë, për ta përmbyllur këtë festë madhështore me këngën “Mora fjalë” – një moment prekës që bashkoi breza dhe emocione në një zë të vetëm.
Ruajtja e gjuhës shqipe është ruajtje e identitetit tonë. Le ta çojmë përpara këtë mision edhe për 40 vitet e ardhshme.
Gëzuar 40-vjetorin Shkollës Shqipe në Mannheim!