Derbi në Romë, Juve për fitore

Futboll

Derbi në Romë, Juve për fitore

Më: 10 janar 2021 Në ora: 11:15
Derbi në Romë, Juve për fitore

Me Milanin që rikthehet te fitorja dhe shkëputet në krye në kuotën e 40 pikëve, Interi do të provojë të bëjë të njëjtën gjë të në transfertën kryeqytetase ndaj Romës, ndonëse nuk do të jetë një përballje aspak e lehtë.

Krye-ndeshja e javës në Serinë A do të luhet në një orar të pazakontë, në 12:30, megjithatë në “Olimpico” premtohet spektakël, pasi përballë do të vihen skuadra e vendit të dytë dhe ajo e vendit të tretë të kampionatit.

Zikaltrit vijnë pas humbjes së befasishme 2-1 në transfertën ndaj Sampdorias, që ndërpreu serinë prej 8 fitoresh radhazi në kampionat, megjithatë sot do të kërkojnë suksesin për të mos mbetur mbrapa “kushërinjve” kuqezi në renditje.

Nga ana tjetër Roma po bën mjaft mirë këtë sezon dhe kanë fituar 4 nga 5 ndeshjet e fundit, ndërsa për sfidën e nesërme trajneri Fonseca ka rikuperuar edhe mesfushorin anësor Leonardo Spinnazzola.

Dy sfidat e sezonit të kaluar kanë përfunduar në barazim, ndërsa vlen të theksohet se në përgjithësi përballjet mes të dy skuadrave prodhojnë gola të shumtë dhe spektakël.

Në orën 15:00 Napoli do të kërkojë të rikthehet te suksesi, ndonëse do të përballet me Udinesen, një skuadër në formë mjaft të mirë, që ka vënë në vështirësi shumë kundërshtarë këtë sezon.

Në të njëjtën orë, në Supersport do të vijë edhe përballja mes Parmës e Lazios, me Roberto D’Aversën që është rikthyer në pankinën e emilianëve dhe do të provojë të rikthejë skuadrën te rezultatet pozitive.

Në orën 18:00 Fiorentina do të presë Cagliarin në “Artemio Franchi”, një ndeshje mes dy skuadrash që kanë organikë cilësore, por që këtë sezon nuk po arrijnë të ngrihen në nivelin e pritshmërive.

Mbrëmja do të jetë e rezervuar për kampionët në fuqi të Juventusit, që do të presin Sassuolon në “Allianz Stadium”. Skuadra e drejtuar nga Andrea Pirlo ka regjistruar dy fitore radhazi dhe duket në formë, ndaj nesër do të sërish suksesin për të ruajtur ritmin e Milanit, por edhe për faktin se një javë më pas e pret një transfertë e vështirë si ajo ndaj Interit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat