​FFK miraton raportin financiar, shpalos projektet për vitin 2021

Futboll

​FFK miraton raportin financiar, shpalos projektet për vitin 2021

Më: 8 prill 2021 Në ora: 21:03
Pamje nga takimi

Federata e Futbollit të Kosovës ka mbajtur Kuvendin e Rregullt të Punës ku u prezantua puna e kësaj federate përgjatë vitit 2020 më në krye kryetarin Agim Ademi.

Në kuvend u miratua raporti financiar për vitin 2020, ku u paraqitën punët e realizuara gjatë këtij viti si dhe objektivat për vitin 2021.

Në këtë kuvend i cili u mbajt online, përveç zyrtarëve të FFK- morën pjesë edhe zyrtarë të UEFA-së si dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Duka: Shpresojmë që sa më shpejtë të kemi në mesin tonë lojtarin e 12-të, spektatorin.

“Ne jemi i vetmi sport në botë dhe e vetmja konfederatë evropiane e drejtuar nga politikat e drejta dhe të guximshme të lidershipit tanë. E aplikuar me profesionalizëm nga administrata e mrekullueshme e UEFA-s që kemi vazhduar pa ndërprerje aktivitetet dhe garat sportive. Kemi përfunduar me sukses ato të vitit 2020-të, e vazhdojmë me të njëjtin ritëm 2021-shin. Uroj nga zemra që këto gara të kenë sa më pranë lojtarin e 12-të, spektatorin. Jo vetëm për t’i bërë ata më të kompletuar, por për t’i shërbyer akoma më shumë rikthimit normal të jetës. Kam besim se Euro 2020 do të rikthej jetën. Ne këto kohë të vështira bashkëpunimi me Federatën e Kosovës nuk ka munguar, ne jemi më pranë se kurrë ndaj Federatës së Kosovës nëpërmjet zhvillimit të projekteve të ndryshme nëpërmjet programit ‘hat-trick’ apo ‘UEFA Grow’ të cilët po punojnë aktualisht për ndërtimin e strategjisë së futbollit të Kosovës për vitet në vazhdim”, tha Duka.

Pas Dukës, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi shfrytëzoi rastin që të falënderojë presidentin Duka dhe pjesëmarrësit në këtë kuvend të punës.

Ademi: Falënderoj përzemërsisht presidentin Duka për mbështetjen e vazhdueshme.

“President Duka, faleminderit shumë për këto fjalë dhe për mbështetjen e vazhdueshme. Faleminderit tani, edhe me kënaqësi edhe si përfaqësuesi i UEFA-s të Komiteti Ekzekutiv dhe të presidentit, sepse është nder që ta kemi një njeri si ju në organet e FIFA-s dhe ta themi siç thuhet atje në qeverinë evropiane te futbollit”, tha Ademi.

Në këtë kuvend u miratua edhe raporti financiar për vitin 2020, ku u paraqitën punët e realizuara gjatë këtij viti si dhe objektivat për vitin 2021.

Aty u bë e ditur se fokusi kryesor gjatë vitit 2020 i cili ishte i vështirë për shkak të pandemisë ishte te mbështetja financiare e federatave dhe klubeve si dhe rinovimi dhe zgjerimi i disa fushave dhe sallave sportive.

Presidenti Ademi tregoi më pas rreth mbështetjes që ka pasur nga Ministria e Sportit drejt sportit Kosovar.

Ademi: Jemi munduar që të mbështesim sa më shumë sportin e Kosovës

“Ne jemi munduar që me projektet tona vetanake me një pako të emergjencës ti ndihmojmë klubet. Ne e dimë që federata e futbollit nuk ka pasur as mjete qe domosdoshmërish me kërkesat e klubeve te cilat natyrisht qe dalin çdo herë, çdo muaj t’i realizojmë të gjitha por gjithsesi kemi qenë në at pozicionin qe mos ta lëmë futbollin të ndalet me aq sa ne kemi mundësinë. Nuk kemi kursyer sepse duke e ditur dhe duke pasur parasysh qe shteti jone është një ndër shtetet më të varfra në Evropë dhe sigurisht që mjetet e shtetit tonë kanë qenë të mangëta për sportin, po ashtu edhe për popullin. Ju e dini shumë mirë që çdo njeri ka marrë vetëm nga 170 euro për muaj për ata të cilët kanë punuar, ndërsa ministria e sportit e jona për sportin tonë i ka nda vetëm 499.000 euro që do të thotë edhe ato të dedikuara dhe të destinuara për klubet. Kjo ka qenë ndihma e tyre, ndërsa ne jemi mundu me mjetet tona dhe me sponsorët tanë”, tha Ademi.

Nga ana tjetër u tha se FFK për vitin 2021 synon zgjerimin e kapacitetit të stadiumit "Fadil Vokrri" me 7000 ulëse, implementimin e sistemit VAR në Superligën e Kosovës si dhe vazhdimin e reformave brenda Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat