Lushtaku pas largimit nga Drenica: Nuk kisha marrëdhënie të mira me drejtorin sportiv, i përgjigjet Taulant Dajaku

Futboll

Lushtaku pas largimit nga Drenica: Nuk kisha marrëdhënie të mira me drejtorin sportiv, i përgjigjet Taulant Dajaku

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 12:43
Tahir Lushtaku, Taulant Dajaku

Edhe pse e arriti objektivin për të mbetur në Superligën e Kosovës edhe në edicionin e ardhshëm, trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, ka dhënë dorëheqje nga ky sport duke e lënë klubin pa kryetrajner deri në emërimin e një të riu nga drejtuesit e klubit.

Largimi i Lushtakut nga klubi nuk ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme pasi ai ka thënë se ka pasur ndërhyrje në klub dhe madje rezultatet e mira të tij nuk janë mirëpritur nga njerëz brenda dhe jashtë klubit.

I pyetur mbi arsyet kryesore të dorëheqjes, ai ka thënë se në klub kanë munguar investimet dhe kjo ka ndodhur për shkak se dikujt nuk i kanë pëlqyer sukseset e tij si trajner.

“Janë disa arsye. Unë kam shpresuar që me punë dhe angazhim ta stabilizojmë Drenicën për një afat më të gjatë. Rezultat e mira, sidomos në fillim të sezonit, i kanë penguar shumë njerëz. Ata që është dashur dhe kanë pasur mundësi të investojnë nuk e kanë bërë këtë për shkak të emrit tim. Unë jam kundër përfshirjes së politikës në sport, unë nuk jam njeri i politikës, nuk jam me ndonjë parti dhe nuk dua të merrem me këtë pjesë.”, tha fillimisht Lushtaku.

Tutje, ish-trajneri ka thënë se nuk ka pasur aspak raporte të mira edhe me drejtorin sportiv të klubit, Taulant Dajaku, për të cilin ka thënë se nuk është kompetent për punën që e bënë dhe se marrdhënjet mes tyre ishin ngrirë që në fillim të sezonit.

“Unë nuk kam e as nuk kam pasur raporte të mira me drejtorin. Ai është në një pozitë që nuk e meriton, nuk e njeh dhe nuk e di se si funksionon. Lehtë është të dalë e të flas nëpër studio televizive dhe të duket mirë, por fare nuk e njeh këtë pjesë. Më të i kam ngrirë marrdhënjet që pas tre apo katër xhirove të para dhe marrdhënjet tona nuk kanë funksionuar asnjëherë.”, ka thënë Lushtaku.

Për akuzat e Lushtakut drejt tij, drejtori sportiv i Drenicës, Taulant Dajaku, ka thënë se puna e tij dhe e donatorëve ka bërë që Drenica të dal nga një situatë shumë e vështirë ekonomike dhe sipas tij, fjalët e trajnerit mbi punën e tij i vlerëson më së miri komuniteti sportiv.

“Nuk mendoj se kam çka të them për deklaratat e trajnerit të dorëhequr. Mendoj se përfshirja e faktorëve të jashtëm ose tentimi me njollosë e fajësuar njerëzit nuk është as profesionale dhe as korrekte pasi gjerat në sport duhet marr me sportivitet , njerëzit lëvizin në këtë profesion dhe gjejnë angazhime në ekipe të tjera. Kështu funksionon kudo në botë , Sa i përket emrit tim dhe raporteve qe ka pretenduar trajneri i dorëhequr, unë e kam shpjeguar edhe njëherë, tek klubi unë kam ardhur në një kohe kur gjithçka sa i përket ekipit ka qenë e mbyllur. Krejt me çka jam marr un ka qenë zhbllokimi që klubi kishte në FIFA dhe ia arritëm bashkë me donatorët qe janë pjesë shumë e rëndësishme e kontributit në klub që Drenica të vazhdonte garat dhe të arrinte atë që ishte objektiv i atij sezoni të trashëguar me shumë problemë. Ekipin e gjetëm me katër rroga të pa marra dhe me kontributin e të gjithë dashamirëve të këtij klubi të paguanim rroga të prapambetura dhe të vazhdonim sezonin pa probleme dhe këtë unë e cilësoj një arritje sepse gjendja ne atë periudhë ishte e pashpresë, Sa i përket pjesës se din diçka më shume a më pak mendoj se komuniteti sportiv njeh secilin nga ne dhe di ose ka parë se kush sa aftësi ka të qenit drejtor sportiv në një periudhë të tillë kur klubi ishte i bllokuar në çdo aspekt. Nuk ka qenë gjë e lehë për mua të pranoja të përfshihem në një situatë të tillë në janarin e këtij viti por në respekt të këtij klubi me traditë unë pa hezitim kam asistuar për të zgjidh problemet qe ky klub kishte, edhe sot ka probleme por gjërat do vijnë në vend të vet gradualisht.”, tha Dajaku.

Ndërsa sa i përket te ardhmes, Lushtaku tha se do të pushojë për një vit pasi ka disa angazhime në jetën private dhe pastaj do t’i kthehet punës së trajnerit sërish.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat