Trepça - Prishtina, mbi 15 mijë shikues në vitin 1980! Jakup Abrashi thumboi Zhikiqin! Po Fadil Muriqi...

Futboll

Trepça - Prishtina, mbi 15 mijë shikues në vitin 1980! Jakup Abrashi thumboi Zhikiqin! Po Fadil Muriqi...

Nga: Kemajl Goca Më: 4 tetor 2022 Në ora: 20:22
Jakup Abrashi

Një ndeshje që nuk harrohet, derbi më i madh në Ligën e Dytë Federative të ish Jugosllavisë, grupi i Lindjes, mes dy skuadrave me renome të Kosovës, Trepça - Prishtina.

Liga përbëhej me 16 ekipe, ndërsa Kosova kishte tri ekipe: Prishtinën, Trepçën dhe Vëllaznimin.

Trepça - Prishtina, mbi 15 mijë shikues pikërisht të dielën e 23 nëntorit të vitit 1980! 

Image

Trepça

Trepça – Prishtina 1:1

Stadiumi në Mitrovicë (sot "Adem Jashari".
Shënues: Ademi (79') -  Zhivkoviq (4').
Gjyqtarë: Cvetko Zhikiq (Knjazhevc), Dushan Sushës (Kralevë) dhe Sreten Martinoviq (Titograd).
Kartona të verdhë: Celina, Josifovski dhe Raçevski.
Trepça: Ahmetoviq 6,  Çarapiq 6, Ristoviq 6, Rafet Prekazi 7, Rashiq 6, Vukmiroviq 6, Radojevq 6, Faruk Domi 6 (Mensur Nexhipi 7), Martaç 5, Fisnik Ademi 7 dhe Stoliq 5 (Mërkiq). Kryetrajner: Jakup Abrashi.

Prishtina: Llaliq 7, Sabit Dallku 7, Fadil Muriqi 7, Husanoviq 6, Erdogan Celina 6, Josifovski 6, Raiçevski 6, Berisha 5, Jusuf Tortoshi 6, Ilievski, (Xhelal Kaçi) dhe Zhivkoviqi.  Kryetrajner: Ilia Dimovski. (formacinet nga Sporti i Rilindjes)

Stadiumi në Mitrovicë vlonte nga atmosfera, të cilës atmosferë ia kishin lakmi të gjithë.  

Fisnik Ademi shmangu humbjen e mitrovicasve duke barazuar në minutën e 79-të, pasi që prishtinasit avancuan në fillim të pjesës së parë (4’) me golin e Vojisllav Zhivkoviqit. 

Kryetrajneri i Trepçës, Jakup Abrashi, thumboi gjyqtarin Cvetko Zhikiq, i cili ishte figura tragjike e ndeshjes!

“Loja qe tipike kampionale në momente mjaft dinamike dhe interesante, Prishtinasit dëshmuan se janë kundërshtar i vështirë për skuadrën time.

Ata shumë herët krijuan avantazhin e kjo gjë ndikoi mjaft në lojën e futbollistëve të mi.

Ndarja e pikëve është epilogu real i ndeshjes. Referi Zhikiq nuk tregoi se është i aftë të udhëheqë derbi të këtillë”. 

Rafet Prekazi, futbollist i Trepçës, ankohet: "Edhe patëm iniciativë në fushë, nuk arritëm të shënojmë fitore. U desh të pajtohemi me rezultat baras, i cili duhet të na kënaqë.

Referi dy herë na dëmtoi, duke mos akorduar dy penallti”.

Fadil Muriqi (Prishtina), futbollisti më i mirë i ndeshjes, thotë: "Besoj se afro 20.00 shikues u ndanë të kënaqur me lojën e demonstruar. Rezultati është real".

Java e fundit e vjeshtës, Teteksi i Tetovës kryesonte me 21 pikë, pasonin Radniçki i Kragujevcit me 20, Borci i Çaçakut 20, Trepça e Mitrovicës 18, Sutjeska e Nikshiqit 17, Galenika e Zemunit 15, Slloboda e Uzhicës 15, Prishtina 14, Radi i Beogradit 14, Radniçki i Pirotit 13, Llovçeni i Cetinës 13, Duboçica e Leskovcit 13, Rabotniçki i Shkupit 13, OFK Titogradi 13, Bori 12 dhe Vëllaznimi i Gjakovës me 10 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat