Mbappe tregon objektivin e Francës

Futboll

Mbappe tregon objektivin e Francës

Më: 26 mars 2023 Në ora: 17:50
Kylian Mbappe

Kylian Mbappe ka folur rreth synimeve të Francës në fillimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

“Gjelat” e nisën mbarë këtë cikël kualifikues, pasi regjistruan fitore 4:0 ndaj Holandës në ndeshjen e parë, që u zhvillua të premten.

Mbappe dha së fundmi një intervistë për “Telefoot”, ku tha se objektivi i tanishëm është që me Francën të sigurojnë pjesëmarrjen në Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.

Për kapitenin e ri francez, pavarësisht nga një sërë largimesh të disa prej futbollistëve më të mirë, që vendosën për t’u pensionuar, emrat si Karim Benzema, Hugo Lloris e Raphael Varane, “Les Blues” mbeten favoritë për të fituar trofe.

“Nuk e kemi problem të themi se luajmë në klubet më të mira në botë, kemi lojtarë që janë ndoshta ndër më të mirët në pozitat e tyre. Tani na takon ne ta krijojmë atë – sepse ka shumë lojtarë që u larguan – për të ecur përsëri përpara dhe për të fituar tituj”, tha fillimisht sulmuesi i Paris Saint-Germainit.

“Objektivi tani është që të kualifikohemi në Evropian dhe pastaj sigurisht që do të varet nga ne që të përpiqemi ta fitojmë atë. Unë po e vendos veten në vendin e atyre që shikojnë në TV, ata do të mendojnë: ‘si do të arrijmë të mos e fitojmë atë?’”, shtoi 24-vjeçari.

Trofeu i Kampionatit Evropian mbetet i vetmi që i mungon Francës së udhëhequr nga Didier Deschamps.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat