Alimehmeti: Mjekësia sportive në Shqipëri po njeh zhvillim të madh

Futboll

Alimehmeti: Mjekësia sportive në Shqipëri po njeh zhvillim të madh

Më: 30 mars 2023 Në ora: 16:36
Alimehmeti

Ka mbërritur në modulin e tretë kursi për formimin e fizioterapistëve i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit e që udhëhiqet nga Departamenti i Mjekësisë Sportive në FSHF. Ky kurs, që ka një kurrikul të pasur e që trajton një gamë të gjerë problematikash që hasin futbollistët, ka nisur në janar dhe do të zhvillohet për disa muaj me radhë për t’u përmbyllur me provimet finale në muajin korrik 2023.

Lektorët kryesorë janë dy përfaqësuesit e Departamentit të Mjekësisë Sportive, Gianluca Stesina e Ilvi Begolli, ndërkohë që për çdo modul janë të ftuar lektorë të ndryshëm me një përvojë të pasur në fushën e fizioterapisë, nga vendi dhe bota.

Pjesëmarrësit kanë mundësi të thellojnë njohuritë e tyre mbi tema të ndryshme, që nga dëmtimet e gjurit, këmbës dhe legenit, te dëmtimet e gjymtyrëve të sipërm, kolonës lumbare, dëmtimet muskulare në sport e nutricioni sportiv, si edhe te përdorimi i terapisë strumentale (aparaturave) në patologji të ndryshme e ndihma e parë (urgjenca) BLSD dhe rianimimi kardio-pulmonar.

Në modulin e zhvilluar në janar është diskutuar për dëmtimet e gjurit ndërsa në modulin e dytë janë trajtuar çështjet e dëmtimeve të këmbës dhe legenit. Në modulin e tretë që po zhvillohet aktualisht po trajtohen problematikat me kolonën lumbare, ku i ftuar për të referuar para studentëve ishte doktori i njohur Ridvan Alimehmeti.

Në një prononcim për fshf.org, doktor Alimehmeti shpjegon dëmtimet që i ndodhin futbollistëve dhe shkaqet që çojnë në hernien diskale, teksa flet edhe për mënyrat se si kurohen këto probleme shëndetësore.

“Kategoria e sportistëve është një kategori ku ndërthuret fuqia më e madhe e strukturave të kolonës krahasuar me ata që nuk stërviten për shkak se muskulatura vertebrale dhe paravertebrale është më e zhvilluar, por gjithashtu edhe sforco me të cilën ekspozojnë kolonën është më e madhe. pra është një luftë forcash të kundërta të cilat mund të rezultojnë edhe në prishjen e strukturës së diskut dhe shfaqjen e hernies diskale. Janë sportistë që japin maksimumin edhe në sforco rotatorë të kolonës, që janë edhe ato më të rrezikshmet për të prodhuar një hernie diskale”, – thotë Ridvan Alimehmeti, duke shtuar:

“Kryesisht kur nuk kemi kërcënim të funksionit të rrënjës nervore, që është në afërsi të fragmentit të hernies diskale nuk ka nevojë që të ndërhyhet dhe ka të tjera teknika fizioterapie, infiltrime apo mjekime që përdoren për të trajtuar hernien diskale, por gjithashtu ka edhe raste ku kërcënimi funksionit të rrënjës nervore është i atillë që duhet domosdoshmërisht të largohet nga kompresioni që i ushtron rrënjës nervore. Në raste të tilla ka teknika mikro-kirurgjikale që nuk e prekin strukturën e kolonës vertebrale dhe lejojnë që edhe rikuperimi të jetë relativisht i shpejtë”.

Më tej, doktori i njohur flet edhe për zhvillimin pozitiv të mjekësisë sportive në Shqipëri dhe për kontributin që po jep FSHF në këtë drejtim, duke ofruar kurse formimi mjaft të mira.

“Në përgjithësi çdo aktivitet në Shqipëri po merr një zhvillim pozitiv, sikundër edhe kërkesat që kanë gjeneratat e futbollistëve apo sporteve të tjera për të arritur maksimumin dhe për t’u krahasuar me botën, kjo kërkon një sforco më tepër.

Me këtë hap ka ecur edhe aftësia e mjekësisë sportive, pra që t’i gjendet këtyre problematikave që i kërkon koha.

Unë shoh me këto kushte që janë gjithmonë e më cilësore të organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit, siç është ky kurs i sotëm, bën që pjesëmarrësit të kenë gjithmonë e më tepër përfitim për t’u përditësuar me të rejat e mjekësisë sportive”.

Gjithashtu, Alimehmeti tregon edhe eksperiencën që ka pasur me traumat e futbollistëve. “Traumat e kokë dhe qafës trajtohen në mënyrë të veçantë në qendrën kombëtare të traumës, padyshim që aty ka një ekip neuro-kirurgësh, kolegësh, të cilët janë shumë të aftë t’i zgjidhin këto probleme akute. Unë kujtoj në fillimet e karrierës time si neuro-kirurg kur kam operuar bashkë me kolegët e ekipit në QSUT një portier 15-vjeçar nga Korça, i cili u soll me urgjencë për një hematomë të madhe dhe sot e kësaj ditë pas kaq shumë vitesh ai bën jetë të lumtur me familjen e tij”, – thotë Ridvan Alimehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat