Lojtari nga Kosova çudit Maqedoninë e Veriut! Rast i rrallë

Futboll

Lojtari nga Kosova çudit Maqedoninë e Veriut! Rast i rrallë

Nga: K.Goca Më: 23 maj 2026 Në ora: 20:24
Liridon Latifi,

Kampioni i ri Maqedonisë së Veriut, Vardarit, e mposhti rivalin më të madh, Shkëndijen e Tetovës, me rezultat 3:0 në ndeshjen e javës së fundit të Kampionatit të Maqedonisë Veriut në futboll.

Në një takim të luajtur pa shumë presion, të dy skuadrat krijuan raste të shumta shënimi, por vendasit treguan efikasitet, ndërsa tetovarët nuk arritën t’i konkretizonin mundësitë.

Që në fillim të ndeshjes, Mazari pati një rast ideal për mysafirët, por portieri Davor

Taleski reagoi shkëlqyeshëm.

Në anën tjetër, Zakariq u bllokua në momentin e fundit kur ishte pranë golit.

Në minutën e 20-të, pas një aksioni nga krahu i majtë dhe një topi të ulët në zonë, mbrojtësi Numan Ajetoviq devijoi topin në portën e vet, duke i dhënë epërsinë 1:0 skuadrës së Vardarit.

Epërsia u dyfishua në minutën e 36-të, kur Zakariq realizoi një gol të bukur me goditje të fuqishme nën traversë për 2:0.

Në pjesën e dytë, Shkëndija pati rastin ideal për t’u rikthyer në lojë.

Në minutën e 70-të u akordua penallti pas një ndërhyrjeje ndaj Webster në zonën e Vardarit.

Pas verifikimit me VAR, penalltia u konfirmua dhe përgjegjësinë e mori futbollisti nga Kosova, Liridon Latifi, por portieri Davor Taleski bëri pritje fantastike.

Penalltia u përsërit pas kontrollit të arbitrit, por edhe në tentimin e dytë, Taleski lexoi anën e goditjes dhe bëri një tjetër pritje spektakolare.

“Vulën” e fitores e vendosi Boban Nikolov në minutën e 80-të, kur pas një aksioni të bukur të vendasve dhe reagimit të dobët të mbrojtjes mysafire realizoi për rezultatin përfundimtar 3:0.

Vardari përfundoi në vend të parë me 83 pikë, duke lënë prapa Shkëndijën me 74.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat