Luka Modriç (40) mund ta përfundojë karrierën si futbollist pas Kampionatit Botëror, shkruan media spanjolle ‘As’, duke iu referuar burimeve italiane.
Për fundin e mundshëm të karrierës së Modriçit ka shkruar edhe ‘La Gazzetta dello Sport’, ndërsa të njëjtën gjë e pohon edhe gazetari italian Nicolò Schira.
Mesfushori kroat është pranë vendimit për pensionim, ndërsa mbetja e AC Milan pa kualifikim në Champions League duket se e ka përshpejtuar vendimin e tij, theksojnë tani edhe burimet spanjolle në artikullin me titullin:
“Modriç, game over”.
Modriç u gjend në qendër të vëmendjes pas humbjes së Milanit ndaj Cagliari Calcio, me çka “Rossonerët” mbetën pa shanse për kualifikim në Ligën e Kampionëve.
Pikërisht pjesëmarrja në garën më të fortë evropiane ishte një nga kushtet kryesore për qëndrimin e tij të mundshëm në klub.
Milani po përpiqet ta bindë të qëndrojë, por sipas ‘Tuttosport’, zhgënjimi që ndien është i madh. Kroacia ndeshjen e parë në Botëror e luan më 17 qershor ndaj Anglisë, më 24 qershor përballet me Panamanë, ndërsa fazën e grupeve e mbyll më 27 qershor kundër Ganës.
Varësisht nga suksesi, këto mund të jenë ndeshjet e fundit në karrierën e madhe të Luka Modriçit.