Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ishte një nga protagonistët në fitoren bindëse të kombëtares zvicerane ndaj Jordanisë me rezultat 4:1 në ndeshjen miqësore të zhvilluar në St. Gallen.
Mesfushori shqiptar zhvilloi paraqitje të mirë së bashku me bashkëlojtarët, duke kontribuar në dominimin e plotë të Zvicrës ndaj Jordanisë, që pati vështirësi të përballonte ritmin dhe ofensivën e vendasve.
Xhaka realizoi gol nga pika e bardhë në minutën e 45+9. Më herët kishin shënuar Breel Embolo në minutën e 28-të nga penalltia dhe Dan Ndoye në minutën e 33-të.
Golin e katërt për Zvicrën e realizoi Christian Fassnacht në minutën e 79-të, ndërsa golin e vetëm për Jordaninë e shënoi Yazan Al Fakhouri në minutën e 52-të.
Mesfushori Ardon Jashari u inkuadrua në lojë në minutën e 46-të, ndërsa Xhaka u zëvendësua në minutën e 61-të pas një paraqitjeje të mirë si lider i ekipit.
Kjo sfidë miqësore i shërbeu Zvicrës si test i rëndësishëm në prag të Kampionatit Botëror.