Klubi i futbollit Deçiqi nga Tuzi ka nisur ndërtimin e një skuadre të re menjëherë pas përfundimit të sezonit 2025/26 dhe humbjes në finalen e Kupës së Malit të Zi ndaj Mornarit me rezultat 0:1.
Klubi shqiptar nga Tuzi ka bërë ndryshime të menjëhershme në shtabin teknik.
Trajner i ri është emëruar Ivan Brnoviq, i cili do ta udhëheqë ekipin në kualifikimet evropiane, ndërsa pas tri viteve suksesi ka dhënë dorëheqje drejtori sportiv Fatos Beqiraj.
“Menjëherë pas emërimit të Brnoviqit dhe stafit të tij ndihmës: Darko Markoviq, Muhamed Lekiq dhe trajnerit të portierëve Vedad Desheviq, kanë ardhur edhe përforcimet e para. Në Deçiq janë transferuar Aldin Axhoviq, Mario Gjolaj, talenti i ri i kombëtares Halil Kajosheviq dhe Romario Camaj.
Nga ana tjetër, klubi nuk arriti marrëveshje për transferimin e Abdel Osmanoviqin.
Edhe para emërimit zyrtar të trajnerit të ri, bordi drejtues kishte vendosur të mos vazhdonte kontratat me lojtarët Ibrahim Ndiaye, Trimnor Selimi, Asmir Kajeviq, Vuk Strikoviq dhe Zharko Tomasheviq.
Gjithashtu, pjesë e skuadrës nuk është më as portieri Milosh Dragojeviq, ndërsa kontrata me Stefan Golluboviq është ndërprerë”, shkruan media malazeze “Vijesti”.
Në Deçiq po zhvillohet një riorganizim i plotë, pas ndryshimeve në ekipin e parë, priten reforma edhe në akademinë e klubit.
Pas fitimit të titullit të parë kampion të Malit të Zi dhe triumfit në Kupën e Malit të Zi sezonin 2024-25, skuadra nga Tuzi këtë edicion e mbylli pa trofe.
Megjithatë, duket se ambiciet e klubit nuk ndalen vetëm te pjesëmarrja në kualifikimet evropiane.