Ndeshja e dytë e Grupit B në Botëror sjell përballjen mes Zvicrës dhe Katarit (ora 21:00), ndërsa vëmendja më e madhe është e përqendruar te përzgjedhësi i kombëtares nga Lindja e Mesme.
Në stolin e Katarit ndodhet Julen Lopetegui, ish-përzgjedhësi i Spanjës dhe njeriu që ende pret debutimin e tij në Kampionatin Botëror, edhe pse me “furinë e kuqe” kishte udhëtuar në Rusi më 2018.
Lopetegui, natyrisht, ishte përzgjedhës i Spanjës, por u shkarkua vetëm dy ditë para fillimit të Kupës së Botës, pasi pa dijeninë e Federatës së Futbollit kishte arritur marrëveshje që pas përfundimit të turneut të merrte drejtimin e Real Madridit.
Në Federatë nuk e fshehën zhgënjimin, e përcollën Julenin dhe besimin ia dhanë Fernando Hierros, ndërsa vetë Lopetegui nuk qëndroi gjatë te “mbretërit”. Mesazhi i opinionit publik spanjoll ishte i ashpër:
“Reali dhe Florentino Perez kanë kryer një grusht shteti”.
Tetë vjet më vonë, Katari nuk ka frikë se mund t’i ndodhë ajo që i ndodhi Spanjës, por dëshiron që paraqitja e tij e dytë në Kampionatet Botërore, pas debutimit në vitin 2022, të jetë më e suksesshme.
Rivali i parë për Lopeteguin është ndoshta më i vështiri në grup – sonte nga ora 21:00 përballet me Zvicrën në Santa Clara (Kaliforni).
“Jemi të vetëdijshëm se kush jemi dhe sa mundemi. Kjo është pika nga e cila duhet të nisim. E di se të gjithë rivalët janë të kënaqur kur luajnë kundër nesh, por kjo nuk duhet të na ulë kokën, përkundrazi – duhet të luajmë me krenari – tha Lopetegui.
Katari në Botërorin 2022, ku ishte nikoqir, nuk fitoi asnjë pikë dhe shënoi vetëm një gol në tri ndeshje.
“Na pret Zvicra, njëra prej përfaqësueseve më të mira në Evropë vitet e fundit, aty është edhe Kanadaja si skuadra më e fortë në Amerikën e Veriut. E Bosnja e Hercegovina? Gjatë rrugës për në Botëror eliminoi Uellsin dhe Italinë. Të tri skuadrat kanë shumë arsye që të konsiderohen favorite ndaj nesh’, shtoi Lopetegui.
Zviceranët e dinë se shumëkush i sheh si forcën më të madhe të Grupit B, por periudha përgatitore për Botërorin nuk ishte ideale. Për këtë foli kapiteni Granit Xhaka, i cili i dërgoi mesazh përzgjedhësit Murat Yakin dhe bashkëlojtarëve se duhet të zgjohen nëse duan të jenë konkurrues në Kupën e Botës.
Përvoja – kjo pritet të jetë arma më e fortë e “orëndreqësve” në Grupin B.