Pavarësimi i futbollit dhe i sportit të Kosovës nga sistemi ish-jugosllav ndezi makinerinë propagandistike të okupatorit serb, e cila shpërndante etiketime dhe akuza të llojllojshme ndaj shqiptarëve.
“Unioni separatist i Futbollit i Republikës së Kosovës ka pezulluar ligat serbe.
Shovinistët shqiptarë kanë formuar ligën me 20 klube.
Terrenet e futbollit në Maqedoni nuk do të jenë në dispozicion”, thuhej në titullin e një farë pamfletit serb, “Jedinstvo”.
Këto etiketime vinin nga i ashtuquajturi gazetar Mishko Iliq, i cili shkruante për këtë publikim serb që botohej në Prishtinë,” Jedinstvo”.
Në atë kohë, shqiptarët e Kosovës ishin nën presion të vazhdueshëm: merreshin në biseda informative, arrestoheshin, rriheshin dhe burgoseshin.
Por, pavarësisht represionit dhe presionit, rrugëtimin e pavarësimit të sportit të Kosovës nuk arritën ta ndalnin.
Futbolli i Kosovës vazhdoi rrugën e tij drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ja çfarë shkruante i ashtuquajturi gazetar Mishko Iliq me datën 8 shtator të vitit 1991.
“Unioni separatist i Futbollit i Republikës së Kosovës ka pezulluar ligat serbe.
Nuk njohin asgjë serbe!
Shovinistët shqiptarë kanë formuar ligën me 20 klube – Terrenet e futbollit në Maqedoni nuk do të jenë në dispozicion. Mbledhja e katërt separatiste në Prishtinë.
Se punëtorët shqiptarë të futbollit, armiq të betuar të Republikës së Serbisë, këto ditë nuk pushojnë, dëshmohet edhe nga lajmet e publikuara në gazetën shoviniste shqiptare “Bujku”.
Konkretisht, Unioni i Futbollit i Republikës së Kosovës këto ditë ka formuar ligën e vet.
Sipas planit të tyre, për titullin e kampionit do të garojnë 12 ekipe. Ata planifikojnë që ndeshjet për pikë të zhvillohen, mirëpo nuk është bërë e ditur se në cilat terrene dhe ku.
Në listë përmenden: Prishtina, Liria, Flamurtari, Ramiz Sadiku, Besëlidhja, Trepça, Vëllaznimi, Gjakova, Suhareka, Kaçaniku, Drenica, Feronikeli, Llapi, Drita, Ferizaj, Deçani, Besa, Kosova, Rahoveci dhe Mlladosti e Vitomiricës”, ka shkarravitur i ashtuquajturi gazetar Ilqi më 8 shtator të vitit 1991.
Në këtë shkrim sulmohej ashpër edhe kryetari i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Bytyçi, një burrë i madh.